Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj foli gjatë mbrëmjes së të premtes për nivelin e krimit në vend.
Lleshaj u shpreh me nota optimizmi se vrasja e biznesmenit Kastriot Reçi në qendër të Rrëshenit, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë, do të zbardhet, duke thënë se hetimet kanë bërë progres, por pranoi se vrasja ishte mafioze.
LLeshaj pranoi se viti 2020 nuk ka nisur mirë sa i përket krime të ndodhura.
Ministri tha gjithashtu se, në Shkodër dhe Vlorë, që njihen edhe qytete problematike, siguria është rritur.
LLeshaj u shpreh i zhgënjyer nga vendimet e gjykatës në Elbasan sa iu takon ngjarjeve kriminale.
Akti i parandaluar terrorist iranian
Po ashtu, Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj ka zbuluar se në Shqipëri është tentuar të goditen përmes një akti terrorist qytetarët iranianë që janë strehuar këtu.
“Ka ekzistuar një celulë terroriste: Kjo ka qenë një tentative për të goditur përmes një akti terrorist në Shqipëri, që është parandaluar përmes angazhimit të autoriteteve tona dhe arritëm që në kohën e duhur të parandalojmë një goditje”, theksoi Lleshaj.
Qëllimi ishte për të realizuar një goditje terroriste kundër qytetarëve iranianë që ndodhen në Shqipëri. Nuk po them për vendin, por targeti ishin këta persona, opozita iraniane, qytetarët iranianë që ndodhen në Shqipëri. Shqipëria nuk i ka pranuar si opozitë politike, por si një grup që ndodhet në kushtet e rrezikut që kishin nevojë për ndihmë. Është fat i mirë që Shqipëria i ka pranuar.”
Ai sqaroi se dëbimi i ambasadorit të Iranit erdhi fill pas marrjes së këtij informacioni për akt terrorist.
“Ne dëbuam ambasadorin e Iranit në kuadër të së njëjtës ngjarje. Shteti iranian është konsideruar përgjegjës. Marrëdhëniet diplomatike sot janë në një pikë shumë të ulët.”
Lleshaj zbuloi se agjencitë inteligjente në Shqipëri janë të shqetësuara lidhur me aktivitetin e Iranit në vendin tonë.
Targat teknologjike të makinave
Targat e makinave në Shqipëri shumë shpejt do të jenë teknologjike. Planin e zbuloi ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë emisionit “Kapital”.
Lleshaj tha se për të shmangur përdorimin e makinave në kryerjen e krimeve në vend, mjeteve do t’u instalohen targa me çip që nuk hiqen dot.
Lleshaj tha se diçka e tillë momentalisht po pilotohet në Tiranë dhe Durrës.
“Këtë vit duam të fusim targat inteligjente, targa teknologjike që nuk mund të hiqen, po fillojmë të pilotojmë një teknologji që bazohet në targat me çip, me 3 targa, dy jashtë dhe një brenda që edhe nëse hiqen targat brenda, kjo brenda nuk mund të hiqet kurrë”, theksoi ministri.
Sipas tij, “kjo parandalon këmbimin apo ndërrimin e targave. Do të ketë një sensor që nëse do të ketë një rast të tillë të alertohet. Në Tiranë dhe Durrës po pilotohet kjo me qëllim që ta heqim mundësinë e përdorimit të mjeteve të vjedhura për kryerjen e krimeve. Në krimet e kësaj natyre në Shqipëri janë përdorur mjete që vidhen apo ndërrohen targa dhe digjen.”