Kurti: Zgjedhjet në veri duhet të mbahen, Asociacioni nuk do të formohet

0

Kryeministri Albin Kurti tha se autoritetet e Kosovës nuk do të lejojnë vakum në veri të Kosovës dhe se zgjedhjet në katër komuna duhet të mbahen, por gjithashtu hodhi poshtë mundësinë e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, raporton APA.

Në një deklaratë për agjencinë austriake APA, Kurti tha se vendet e lira në veri të Kosovës, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, duhet të plotësohen shpejt dhe se nuk mund të presim kthimin e serbëve.

“Do të duhet të organizojmë zgjedhje të reja për pozitat e katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës”, tha ai dhe shtoi se sa i përket 10 deputetëve të Listës Serbe, pozitat e tyre duhet të plotësohen nga të tjerët.

“Nëse nuk bëjnë, do të duhet të vazhdojmë me partnerët tjerë”, tha Kurti.

Ai gjithashtu thotë se punonjësit e policisë duhet të ndërrohen sa më shpejt, sepse, shton ai, është e nevojshme të sigurohet sundimi i ligjit dhe siguria për të gjithë.

Kurti pohon se vetëm “një pakicë ekstremiste në mesin e serbëve” qëndron pas protestave në veri, ndërsa shumica dërrmuese prej 90 për qind e serbëve të Kosovës kanë ndërruar targat e tyre dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë incident apo ankesë ndaj 1500 personave për paralajmërimet e dhëna për pronarët e veturave me targa serbe që të vendosin targat RKS.

Sa i përket Asociacionit, formimin e së cilës, siç thekson APA, e kanë kërkuar prej kohësh SHBA dhe BE, Kurti hedh poshtë mundësinë e formimit të saj.

“Vitin e kaluar unë erdha në pushtet dhe paraardhësit e mi e nënshkruan atë dokument, me të njëjtët njerëz që janë edhe sot në pushtet në Serbi, pse nuk e formuan atëherë?”, pyeti ai.

Asociacioni bie ndesh me kushtetutën tonë, shtoi ai, sepse baza e Kushtetutës së Kosovës është multietniciteti i shtetit, me pretendime se kërkesat për një autonomi të tillë nuk vijnë nga popullata shumicë serbe në Kosovë. por vetëm nga Beogradi për të kompensuar humbjet që ka pësuar gjatë luftës në kohën e Sllobodan Millosheviqit.

“Por kjo nuk është e zbatueshme,” tha ai.

Kurti shprehu besimin se në dy vitet e ardhshme do të ketë një marrëveshje përfundimtare me Beogradin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

“Jam shumë optimist sepse me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin, ka një shans të mirë për të arritur një marrëveshje”, pohon Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu