Kurti apo Konjufca?

0

Shkruan Zef Ndreka

Kush mund të jetë “kryeministri real” në Kosovë?!
Këto mbetën pyetjet që prekin në thelb dinamikën e brendshme të Vetëvendosjes dhe marrëdhënien mes Albin Kurtit, Glauk Konjufcës dhe Vjosa Osmanit, që sot përbëjnë një treshe të ndërlidhur politikisht, por me raporte delikate pushteti.
Ta analizojmë pyetjet:
Kush do të jetë “kryeministër real”?
Nqs Konjufca formalisht mandatarohet dhe merr detyrën, Albin Kurti do të mbetet kryeministër “de facto”, për disa arsye.
Struktura e VV-së është ndërtuar rreth personalitetit të Kurtit dhe çdo vendim strategjik kalon përmes tij.
Besnikëria politike e Konjufcës ndaj Kurtit është e njohur. Ata ndajnë jo vetëm historinë e lëvizjes, por edhe një vizion ideologjik të përbashkët.
Konjufca nuk ka as infrastrukturë të pavarur politike brenda VV-së, pra ai mbetët më shumë “garant i vazhdimësisë” duke mos qenë lider rival.
Prandaj, edhe nqs Konjufca ulet në karrigen e kryeministrit, Kurti do të vazhdojë të drejtojë në prapaskenë qeverinë, axhendën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pyetja tjetër shtrohet:
A është kjo një manovër politike e Kurtit dhe Osmanit?
Sigurisht që po, është një manovër shumë e kalkuluar.
Kandidimi i Konjufcës shërben për disa qëllime, ndër më kryesorët, ruajtja e kontrollit të VV-së mbi qeverinë, duke shmangur presionin për “largimin e Kurtit” pa e dorëzuar realisht pushtetin. Ndërkohë, krijohet përshtypja se një “fytyrë e re” në krye të ekzekutivit, ndihmon për të ulur tensionet me ndërkombëtarët, sidomos me BE-në e SHBA-në. Gjithashtu, konsolidohet aleanca me Vjosa Osmanin, e cila mund të luajë rolin e “balancueses” mes VV-së dhe arenës ndërkombëtare, me një profil më të pranueshëm diplomatik.
Në këtë kuptim, Konjufca është një garant politik për të ruajtur linjën ideologjike të Kurtit dhe njëkohësisht për të dhënë sinjal “ndryshimi të butë”.
Pyetja tjetër që shtrohet:
A ndihmon kjo në uljen e kostos personale të Kurtit?
Po, dhe ky është thelbi i manovrës.
Kurti ka pësuar erozion të imazhit ndërkombëtar, sidomos pas tensioneve me BE-në për veriun e Kosovës dhe raportet me NATO-n.
Një tërheqje “taktike” nga posti i kryeministrit, por jo nga pushteti real, e lejon atë të rifitojë terren si figurë morale, ideologjike dhe udhëheqës i VV-së, pa mbajtur mbi supe koston e përplasjes me partnerët ndërkombëtarë.
Në të njëjtën kohë, ai i lë Konjufcës detyrën e administrimit të krizave, ndërsa vetë mund të merret me ripërgatitjen e terrenit elektoral për ciklin e ardhshëm.
Kështu, gjithçka varet nga ajo që a do të mundet VV të ndryshojë stilin e qeverisjes dhe raportet me ndërkombëtarët?
Nëse jo, rotacioni Konjufca-Kurti do të shihet si një “lojë e brendshme” dhe jo reformë reale.
Nga gjithë kjo analizë. Kryeministër “real” do të mbetet Albin Kurti, ndërsa Glauk Konjufca do të jetë forma e butë e një manovre për mbijetesë politike dhe rehabilitim ndërkombëtar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu