Kur e mban vulën si humorist, nuk e gëzon dot as si biznesmen

0
Shkruan Andi Bejtja 
Sot u vërtetua ajo që dihet: kur je pakicë, ta mbash vulën e shumicës padrejtësisht, teorikisht mund të jetë qejf, por praktikisht është hall.

I ashtuquajturi proces i regjistrimit të pakicës me atributin e shumicës në KQZ, ishte më shumë se estradë. Një ish-kryetar partie i dorëhequr, që edhe vetë pakica e shikon më shumë si turist, futet përkohësisht si gur pa forme në fushën e bilardos, godet gurin e zi, që guri i zi të godasë një gur tjetër, që ky të arrijë të futet në gropën e KQZ.

Aq qesharake ishte, saqë dhe ai që çoi letrat zyrtarisht, e kishte të vështirë të thoshte publikisht se në emër të kujt kishte ardhur.

Dhe prit, ky është vetëm fillimi! Po kur të vijë procesi i zgjedhjes së kandidatëve? E sigurt që edhe kandidatët duhet të kenë po këtë nivel estrade që të pranojnë të kandidojnë.

Po kur të vijë momenti i caktimit të komisionerëve? Të vetmit seriozë që do mund të pranojnë, nuk ka asnjë shans veçse të jenë rilindas. Estrada nuk do të përfundojë kurrë, dhe është e qartë që ky grusht politikanesh kanë vetëm një të ardhme, të kthehen në një grusht humoristësh.

E kur e mban vulën si humorist, vështirë e ke ta gëzosh atë dhe si biznesmen. Mund të kishte vetëm një shans për ta gëzuar vulën si biznesmen: nëse shumica nuk do të merrte pjesë në zgjedhje. Tani e çdo minutë që kalon, pakica që zvogëlohet nuk është veçse një estradë që po shkon me shpejtësi drejt asgjësë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu