Ku shkojnë miliardat që prokuron Veliaj për ECO Tirana? Tenderat e 2022

0

Para pak vitesh, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri një marrëveshje tepër të dyshimtë me një shoqëri private me seli në qytetin e Veronës në ItaliBashkia e Tiranës dhe firma do të hapnin një shoqëri aksionere, ku Bashkia e Tiranës do të kishte 51 % të aksioneve dhe italianët 49 %.

Objekti i shoqërisë ishte pastrimi, fushë që në Itali dyshohet se kontrollohet nga grupe mafioze apo kriminale.

Shoqëria u quajt “ECO Tirana”, e cila do të dublonte firmat private që pastrojnë kryeqytetin dhe marrin çdo vit dhjetëra milionë euro.

Por, paratë e kujt do të përdorë ECO Tirana?

Marrëveshja mes Lali Erit dhe italianëve është mbajtur e rezervuara nga Bashkia, megjithëse ka përqindjen më të madhe të aksioneve.

Sipas ekstraktit të QKB-së, shoqëria ka 4 aksionerë Taulant Tusha, Andrea Benati, Diego Testi dhe Mirco Caliari.

Pra raporti 3 me 1 në favor të italianëve. Bashkia e Tiranës ka 51 % të aksioneve, ndërkohë 49 % të aksioneve i ka firma AGSM Holding ALBANIA. Kjo e fundit, është degë e kompanisë së huaj AGSM Verona S.P.A.

Sipas informacioneve që disponon Boldnews.al, dyshohet se italianët po i përdorin këto aksione për të përfituar miliona euro, duke menaxhuar një kompani që mbiu nga hiçi në Shqipëri, por ish-drejtuesit dhe drejtuesit italianë janë hetuar, proceduar dhe arrestuar në Itali dhe Spanjë për pjesëmarrje në grupe kriminale dhe klane mafioze.

Po në Shqipëri, a po hetohen apo procedohen?! Pak kohë më parë, redaksia jonë mori informacione se SPAK apo prokuroritë e rretheve nuk kanë nisur ndonjë hetim të mundshëm. Dhe, në këtë situatë, kjo kompani ka vijuar në administrimin e një buxheti që do ta kishin zili edhe bashkitë dytësore.

Por, si po mbijeton në Shqipëri kjo shoqëri aksionere? Në muajin gusht të vitit të kaluar, kjo kompani hapi 3 tendera të njëpasnjëshëm, me vlerë totale plot 3 milionë euro. Dhe, të gjitha kishin lidhje me pastrimin e Tiranës, kur në fakt Lali Eri kishte nënshkruar kontratat me Abazët apo Fushat.

Po në vitin 2022?!

Boldnews.al shfletoi dokumente zyrtare, mori informacione nga brenda bashkisë apo firmës, se ECO Tirana ka në procedurë dhjetëra tendera me vlera të konsiderueshme. E gjitha 1 vit para zgjedhjeve lokale të 2023-shit, ku kandidimi i Erion Veliajt në Tiranë është vënë në dyshim nga kryeministri Edi Rama.

Por, përse po prokuron kaq shumë para? Do t’i përdorë për zgjedhjet apo për “jetën politike” pas Bashkisë së Tiranës”?

Erion Veliaj në qarqet politike konsiderohet si pasardhësi i Edi Ramës. Dhe, me këtë frymë, apo me lidhje të forta në drejtësi, ai po mundohet që t’i shpëtojë ndonjë hetimi të mundshëm. I shpëtoi hetimit për vdekjen e Ardit Gjoklajt, dhe po tenton t´i shpëtojë edhe hetimit për inceneratorët. Dy ngjarje të lidhura me plehrat. Por, a do t’i shpëtojë miliardave që po prokuron për ECO Tirana, sërish për plehrat?

Biznesi i pistë duket se do t’i “hajë kokën”, pasi në vitin 2022 Veliaj, duke përdorur ECO Tirana po shpenzon miliona euro.

Boldnews.al ka siguruar dokumente nga Agjencia e Prokurimit Publik, ku renditen procedurat që janë bërë apo janë në proces.

Sipas dokumenteve, kjo firmë ka gati tenderin me objekt “blerje kompaktues me 2/3 akse” me fond limit 86.699.544 lekë. Gjithashtu, edhe të njëjtin tender me objekt “blerje kompaktues me 3 akse me fond 97.600.000. Pra, dy tendera me vlerë totale, duke shtuar edhe TVSH-në, rreth 2 milionë USD.

Por, vijojmë! Ka hapur procedurën “blerje kompaktues me 2 akse” me vlerë 51.240.000 lekë, ndërsa ka në zhvillim edhe tenderin me objekt “blerje kazanë të rinj hekuri 1700 lt me kapak HDPE ne dy pjese” me fond limit 213.448.760 lekë.

Sipas dokumenteve, objekti i tenderit të radhës është “blerje platformë e përdorur për mbledhjen e inerteve” me vlerë 12.800.240 lekë, ndërsa “blerja e pajisjeve të reja ghibli (ujë i ftohtë) në automjetin e përdorur euro 5” do të kushtojnë 12.855.018 lekë.

Katër administratorët po bëjnë gati edhe tenderin për “blerje scarrabile (i përdorur) Euro5 me 6 kontejnerë të rinj për shkarkimin e fshirësve” me fond limit 15.860.000 lekë.

Ndërsa do të blejnë “kazanë të përdorur 1700 lt” me vlerë 30.500.000 lekë. Milionat apo miliardat do të vijojnë të derdhen lumë për ECO Tirana, e cila për tenderin me objekt “blerje mjete për inerte” do të shpenzojë 21.700.000 lekë.

Ndërsa për tenderin me objekt “blerje uniformash dimërore, blerje bluza jelekë verorë dhe kapele me logo verore” do të shpenzojnë 10.000.000 lekë ose 100 mijë euro.

Ndërkohë, lista vijon me tenderin “blerje makineri fshesë e përdorur 5 mc euro 5” me vlerë 13.999.988 lekë, apo për blerjen e një autoboti të ri 10.000 lt në shasi të përdorur për korsitë e biçikletave me vlerë 22.739.824 lekë.

Kjo kompani do të bëjë tenderin për të blerë automjetin e përdorur me kapacitet të vogël kompaktor 6/8 mc euro 5 me vlerë 13.420.000 lekë, ndërsa vetëm për blerjen e fryrëseve elektrike të reja me bateri të dyfishtë do të shpenzohen 5.368.000 lekë.

Impianti për pastrimin e ujit do të kushtojë 4.590.335 lekë, ndërsa mjeti 1+1 (4 rrota) për shërbim inspektiv do të kushtojë 2.693.333 lekë. Firma do të blejë një kamionçinë 5 mc me vlerë 9.300.000, si dhe do të shpenzojë 3.367.200 lekë për të blerë karroca të reja për fshirëse në dy rrota dhe me dy kosha.

Lista e tenderëve do të vijojë me tenderin për blerje koshash të rinj 25 lt me vlerë 4.684.800 lekë, apo edhe me blerjen e pjësëve të këmbimit me vlerë 1.952.115 lekë.

Sipas dokumenteve që disponon Boldnews.al, ECO Tirana ka hapur tenderin për “blerje kompaktues me 2/3 akse” me fondi limit 86.699.544 lekë.

Ndërkohë, blerja e kazanëve të rinj hekuri 1700 lt me kapakë HDPE në dy pjesë ka një fond 213 milionë lekë, apo mbi 2 milionë euro.

Blerja e makinave me dy akse, euro 6, do të kushtojë 51 milionë lekë të rinj, ndërsa po bëhet edhe tenderi i karburanteve me vlerë 120.000.000 lekë.

Por, në listën e tenderëve, janë edhe disa për makineri të përdorura. Kështu, ECO Tirana ka hapur tenderin “blerje platformë e përdorur për mbledhjen e inerteve” me fond 12 milionë lekë të rinj, apo edhe “blerja scarrabile (i përdorur) euro 5 me 6” me vlerë 15 milionë lekë të rinj. Por, ku janë përdorur? Në Itali? A do të vijnë “mbeturinat” italiane në Shqipëri?

Apo, pasi u përdorën mirë e mirë në Itali do të përdoren në Shqipëri. Sipas dokumenteve, ECO Tirana do të blejë autobot i ri 10,000 lt në shasi të përdorur me fond 22.739.824 lekë.

Boldnews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu