Nuk është më vetëm një “aksident” i çuditshëm, që ndodh një herë në të rrallë. Vdekjet brenda komisariateve të personave të shoqëruar po ndodhin në mënyrë të frikshme, duke rikthyer edhe një herë problemin e madh të sigurisë në institucionet e Policisë së Shtetit.
Viktima e fundit që në statistikat policore do regjistrohet si “vetëvrasje”, është 28-vjeçari nga Kavaja, Ilvi Stameta, i cili i dha fund jetës në rrethana ende të mistershme, pak orë pasi ishte shoqëruar nën dyshimin si autor i një vjedhje.
Ky është rasti i dytë brenda 40 ditëve që qytetarët humbin jetën në ambientet e komisariateve dhe çuditërisht të dy brenda qarkut të Tiranës. Më 26 mars u dogj në dhomën e paraburgimit në Komisariatin e Kamzës 28-vjeçari Arben Mici. Edhe për atë rast u tha se i vendosi zjarrin dyshekut të dhomës ku qëndronte, duke lënë të lënduar edhe tre persona të tjerë, mes tyre edhe dy policë.
Përtej raportimit si “raste aksidentale”, duket se ka një problem serioz si për kushtet e komisariateve, ashtu edhe për trupën policore që merret me shoqërimin dhe vëshgimin e personave të shoqëruar.
Kreu i Policisë së Shtetit Gledis Nano po çedon shpejt në detyrën që mban. Shpesh del në media, por duke treguar për “punën e madhe” në luftën kundër krimit dhe nuk lë rast pa falenderuar edhe biznesmenë që i falën policisë syze dielli dhe vizita falas për ata që kanë nevojë probleme me shikimin. Boldnews.al






