Kreu i BKH-së në Vetting/ Fituesi përcaktohet nga tre prokurorë dhe poligrafi

0

Vetting, pompa, vrap dhe nënshtrimi i përgjigjeve me makinën e të vërtetës janë etapat që do të përcaktojnë fituesin mes 13 kandidatëve për kreun e ri të BKH-së.

Në fokus të institucioneve të drejtësisë e jo vetëm aktualisht ndodhet procesi i zgjedhjes së kreut të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një nga hallkat më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

Sipas nenit 33 dhe 34 të ligjit 95/2016 për organizimin dhe funksionimin e BKH-së, drejtori i këtij institucioni emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pas një procedure të hapur dhe konkurruese të drejtuar nga një komision me përfaqësues të Prokurorisë së Posaçme. Ky komision përzgjedhës aktualisht përbëhet nga Altin Dumani kreu i SPAK, Prokurori Behar Dibra dhe Ish kreu i SPAK Arben Kraja.

Procesi i përzgjedhjes nisi me një thirrje publike për aplikim, fillimisht në thirrjen e parë refuzoi të aplikojë drejtuesja aktuale Aida Hajnaj. Më pas në thirrjet e dytë pati 13 garues, ku kandidatët duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të rrepta ligjore, profesionale dhe etike.

Kandidatët duhet të kenë të paktën 5 vite përvojë në hetimin e çështjeve që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar apo krimet e rënda, si dhe të kenë kryer studime në drejtësi ose në akademi policore, me një diplomë të nivelit “Master i Shkencave”.

Për t’u përzgjedhur si drejtor i BKH-së, kandidati duhet të ketë vetëm shtetësi shqiptare, të mos jetë nën hetim apo gjykim, dhe të mos ketë mbajtur funksione politike apo poste drejtuese në partitë politike gjatë dhjetë viteve të fundit.

Ai gjithashtu duhet të kalojë me sukses testin e poligrafit dhe të mos ketë pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit apo kontakte me botën e krimit.

Kjo procedurë përzgjedhjeje synon të garantojë transparencë, integritet dhe profesionalizëm, duke e kthyer Byronë Kombëtare të Hetimit në një instrument thelbësor të drejtësisë së re shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu