Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar me 9 vota pro dhe 1 kundër kërkesën e kreut të SPAK-ut Arben Kraja lidhur me caktimin e dy prokurorëve si të përkohshëm pranë kësaj strukture, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.
Nurihan Seiti ishte anëtarja e KLP-së e cila doli kundër miratimit të kësaj kërkese.
Mandati i dy prokurorëve Premçi dhe Mara, nuk mund të jetë më shumë se 1 vit.
Përmes një shkrese që mban datën 23 dhjetor, Kraja i kërkoi KLP-së caktimin e dy prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara për t’iu shtuar strukturës së SPAK, i cili aktualisht ka në përbërje 8 prokurorë.
Dritan Prenci dhe Vladimir Mara, janë konfirmuar në detyrë gjatë procesit të Vettingut dhe ndonëse kandiduan për të qenë pjesë e SPAK, nuk u listuan gjatë garës, pasi nuk morën pikët e duhura.
Sipas të dhënave, SPAK deri tani ka më shumë se 140 dosje, të cilat do të shqyrtohen nga prokurorët dhe kreu i saj, Arben Kraja do i shpërndajë me short, në mënyrë të barabartë dhe sipas specializimeve të prokurorëve.







