Shkruan Kim MehmetiPa dyshim se keni dëgjuar si një partisë shqiptare – të cilën kohë më parë e dëbuan nga koalicioni qeverisës – përnjëherë iu ringjall damari i shqiptarisë dhe ka propozuar që edhe shqiptarët e Maqedonisë të kërkojnë atë që duan të realizojnë serbët e Kosovës – ‘Asocionin të Komunave Shqiptare’.
Dhe ky nuk është rasti i parë që dëshmon se përderisa janë në pushtet, partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, shpërfaqen si shumë properëndimore e proshtetërore – me çka bëhen të largëta për shqiptarët e shumë të përshtatshme për maqedonasit dhe për ‘miqtë tanë perëndimorë’ – e porsa mbeten në ‘rrugë’, u kujtohet se në të vërtet është dashur të jenë vetëm proshqiptare.
Tani shtrohet pyetja e logjikshme: ç’është ajo që partive të këtushme shqiptare ua paralizon nervin kombëtar e proshqiptar përderisa janë në pushtet, e që kur janë në opozitë i bënë aq proshqiptare sa të çojnë të mendosh se – për arsye kombëtare – mbase do ishte më mirë sikur atyre me ligj t’u ndalohej pjesëmarrja në qeveri?!
Nuk ka dyshim se ‘tenderokracia’ është ajo që atyre ua ngulfat nervin shqiptarë përderisa janë në pushtet, e të qënurit larg grazhdit të shtetit, atyre ua ringjallë ndjesitë kombëtare.
Sidoqoftë duhet thënë se edhe kur janë në opozitë, pra edhe atëherë kur, si në rastin e lartë përmendur, vjedhin ide dhe projekte serbe, pra edhe atëherë kur mendërisht shpërfaqen si ‘serb të vonuar’, drejtuesit e partive shqiptare në Maqedoni, nuk e kanë guximin e mjeshtërve të destabilizimit të Ballkanit – të politikanëve serbë.
Dhe duke qenë më frikacakë se ‘mentorët’ e tyre politik, ata edhe kur duan ta ndihmojnë qeverinë e Vetëvendosjes në Kosovë, bëjnë një gabim të pafalshëm: tridhjetë për qind të shqiptarëve të Maqedonisë i barazojnë me një autobus serbësh të Kosovës. Kështu që, në vend se të kërkojnë atë që kanë realizuar serbët e Bosnjës – pra ‘Republikën Shqiptare’ në Maqedoni, ata dalin me kërkesë qesharake për ‘Asocion Komunash’, gjë që u ka hije shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre të Malit të Zi.
Por sidoqoftë, edhe këtë kërkesë duhet parë nga këndvështrimi i mallit që partitë shqiptare shesin në tregun politik të Maqedonisë edhe atë atëherë kur kanë hallin e mbijetesë politike dhe kur mezi presin të rikthehen atje ku do donin të mbeten përgjithmonë – pjesë e ‘vëllazërisë tenderokrate’. (Kim Mehmeti)