Irsa Golemi, një histori suksesi në Gjermani. E para shqiptare që shkëlqen në artet e bukura në Hamburg

0

Mbase edhe është shpejt për ta thënë, por duket sikur historia përsëritet për të gjithë shqiptarët e talentuar që nisin një jetë të re jashtë Shqipërisë. Pas përpjekeve maksimale për të gjetur një vend të sigurt për talentin e tyre në vendlindje, përçapjeve e burokracive, zyrave të njëpasnjëshme e firmave të pafundme, sapo kalojnë kufirin gjërat bëhen vetvetiu më të thjeshta – me një të kërcitur të gishtit. Jo se rruga është e shtruar për pasionin dhe profesionin e tyre, por nëse këto të dyja janë të forta dhe puna e madhe, gjithçka shkon në drejtimin e vet dhe fare natyrshëm drejt suksesit.

Për fat të keq, për ata flitet pak, ndonëse janë shumë. Vit pas viti, ikin të tjerë të rinj të talentuar që gjejnë veten në një vend tjetër për të realizuar ëndrrat e tyre. Ne të këtushmit na lënë t’i presim derisa një ditë të binden dhe të kthehen për të kontribuar në vendlindje.

Gjithsesi, për Irsa Golemin ka ende kohë. Është vetem 20 vjeç, por mjaft e talentuar në profesionin/et e saj. Vendimi dhe rrugëtimi drejt Gjermanisë nuk ishte aspak i thjeshtë, por sapo shkeli atje, me ambicie dhe vullnet, për një kohë fare të shkurtër, Irsa shkëlqeu… Në kuptimin e parë të fjalës.

Për një shkodrane që është marrë që në fëmijëri me aktivitetet kulturore e artistike të qytetit të saj, nuk është aq e thjeshtë të largohet dhe të nisë gjithçka nga e para në Gjermani. Por Irsa e mori këtë vendim 2 vjet më parë, me bindjen se do ta gjente veten shpejt. Dhe ashtu ndodhi.

Kush është Irsa Golemi?

E lindur dhe e rritur në një familje të ngritur në Shkodër, Irsa është krenare për origjinën e saj, sepse aty, në vatrën e saj të lindjes u është mëshuar fort vlerave të një niveli arsimi të lartë, për të krijuar imazhin e një vajze me këmbë në tokë, të pavarur dhe të plotësuar.

Ndaj u nisa drejt Gjermanisë për të njohur dhe sfiduar veten në të gjitha dimensionet. Tashmë, prej dy vjetësh jetoj këtu dhe studioj në Universitetin Shtetëror të Kölnit për Shkenca të Medieve Televizive dhe International Business. Kjo e fundit ka në fokus ekonominë dhe menaxhimin e medieve. Jam kualifikuar në gazetari dhe moderim dhe kam punuar redaktore dhe moderatore në radion e Kölnit”, – nis Irsa ta prezantojë veten dhe me kaq kuptohet që nuk ke të bësh aspak me një 20-vjeçare që studion një degë çfarëdo në universitet, që pjesën e dytë të ditës e kalon kafeneve me miqtë apo që mbush kohën me gjëra të zakonshme.

Studimet në Shkencat e Medieve Televizive nuk ishin qëllimi kryesor i Irsës. Së fundmi, ajo ishte pjesë e një ‘Casting Tour’ të zhvilluar nga Stage School Hamburg (shkolla e parë dhe më e madhja në Gjermani përsa u përket arteve të performuara) dhe në bazë të aftësive të saj në aktrim dhe këndim, u përzgjodh mes qindra të huajve për të studiuar ‘Performing arts/ Musical Theatre’ (e para shqiptare që e arrin të fitojë një degë të tillë në këtë universitet).

Nisur nga performancat e saj të jashtëzakonshme, Irsës iu dha mundësia të punojë në një nga televizionet më të mëdha në Gjermani, NDR (Norddeutsche Rundfunk ose Televizioni i Gjermanisë së Veriut), në të cilin, krahas punësimit, ka mundësi edhe të marrë kualifikime të tjera në fushën e prezantimit:

“Dua që të arrij në nivele më të larta në daljet e mia në skenë në të ardhmen. Natyrisht, më ndihmon shumë edhe elokuenca në të folurën e gjuhës së huaj, në gjermanisht, po edhe nga pasioni dhe dëshira e madhe që kam për të penetruar në industrinë e artit dhe të mediave në një vend të huaj”, – tregon Irsa për Class duke shtuar se sfida nuk ishte vetëm kaq: “Tashmë jam e para shqiptare që studioj në Stage School Hamburg në degën e Musical”.

Por fillimet artistike nuk i pati në Gjermani. Si mund të ndodhë ndryshe për një vajzë shkodrane? ‘Që në moshën 6-vjeçare jam aktivizuar pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Shkodër, ku jam shpallur shumë herë fituese e çmimeve të para në konkurset e interpretimit. Më vonë pastaj m’u besuan rolet e prezantueses në programet e fundvitit, duke vazhduar pastaj me aktrimin, në shumë role kryesore të dramave. Në një numër të konsiderueshëm të tyre, kam qenë edhe protagoniste, madje edhe jam shpallur ‘Aktorja protagoniste më e mirë’ pranë Teatrit ‘Migjeni’, dhënë nga drejtoresha e Teatrit, znj. Rita Gjeka’.

Përveç prezantimit dhe aktrimit, Irsa ka marrë pjesë edhe në sfilatat e modës dhe shumë aktivitete të tjera kulturore. Sigurisht, pa lënë mënjanë edhe këngën dhe pjesëmarrjen në Festivalet Rinore të zhvilluara në Shkodër.

Për të mos e lënë pas këngën, sapo shkoi në Gjermani, Irsa nisi të marrë mësime kantoje në shkollën e sopranos së njohur Migena Gjata, motrës së Elvana Gjatës. Madje, aq shpejt u familjarizua e u apasionua pas saj, saqë e quan shtysën kryesore për të arritur dhe prekur suksese të tjera në të ardhmen: ‘Krahas familjes (e cila është mbështetësja më e madhe për mua), Migena është shtysa ime kryesore në Gjermani, që më ka shtyrë drejt realizimit të ëndrrave të mia.’

Drejt qëllimit final dhe ëdrrës më të madhe mund të ndikojnë shumë faktorë, por për Irsën duket se pengesat janë sheshuar. Aq kohë sa pasioni vazhdon të udhëheq rrugën e saj drejt suksesit dhe aq kohë sa ëndrra më e madhe duket se është afër… Aq sa ka mbetur është thjesht dhe vetëm çështje kohe.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu