Një zjarr i madh shpërtheu në Ras Laffan, ku ndodhet impianti më i madh i prodhimit të gazit të lëngshëm natyror (LNG) në botë, pas një sulmi të pretenduar nga Irani.
Një sulm me raketa ka goditur qytetin industrial Ras Laffan në Katar, ku ndodhet një nga qendrat më të mëdha të përpunimit të naftës dhe objekti më i madh i prodhimit të gazit të lëngshëm (LNG) në botë.
Sipas kompanisë shtetërore QatarEnergy, goditjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe zjarre në zonë.
“Ekipet e reagimit emergjent u dërguan menjëherë për të kontrolluar zjarret që rezultuan, pasi janë shkaktuar dëme të mëdha. I gjithë personeli është llogaritur dhe nuk është raportuar asnjë viktimë në këtë kohë”, thuhet në reagimin e kompanisë në rrjetet sociale.
Edhe Ministria e Brendshme e Katarit konfirmoi se situata është vënë nën kontroll. Zjarri është “vënë nën kontroll paraprakisht” dhe nuk ka pasur të lënduar, njoftuan autoritetet.
Ndërkohë, Katari e cilësoi sulmin si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin rajonal, duke përdorur tone të forta ndaj Iranit.
“Sulmet e paturpshme me raketa… janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kombëtare dhe stabilitetin e rajonit”, thuhet në reagimin zyrtar.
Ministria e Jashtme shtoi se situata po përshkallëzohet. “Pala iraniane vazhdon politikat e saj përshkallëzuese që po e shtyjnë rajonin drejt humnerës…”, thuhet në njoftm.
Gjithashtu, autoritetet paralajmëruan se nuk do të qëndrojnë pasive ndaj sulmit.
“Katari rezervon të drejtën e tij për t’u përgjigjur… dhe nuk do të hezitojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve të tij”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Brendshme e Katarit ka paralajmërur gjithashtu qytetarët, duke u kërkuar që të qëndrojnë brenda banesave për shkak të një niveli të lartë kërcënimi për sigurinë.
Sipas autoriteteve, situata aktuale kërkon kujdes maksimal, ndërsa banorëve u është bërë thirrje të shmangin daljet e panevojshme.
Sulmi rrit tensionet në rajon, duke ngritur shqetësime për ndikimin në tregjet globale të energjisë dhe stabilitetin në Gjirin Persik.








