Prokuroria e posaçme Spak, ka firmosur 11 urdhëra arresti të reja për çështjen e incineratorëve.
Pas miratimit të këtyre masave në gjykatë, mësohet se Byroja Kombëtare e hetimit dhe policia e shtetit kanë nisur ekzekutimin e tyre duke vënë në pranga pesë persona.
Një nga personat e arrestuar mësohet se është Arben Dervishaj, pronar i kompanisë Ave Consulting e cila ka bërë supervizimin e projekteve të incineratorëve.
Dervishaj është anëtar i Shoqatës së Ndërtuesve dhe zv.President i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Persona të tjerë për të cilët SPAK ka firmosur arrestet janë edhe Arber Denizi, ish magazinier i incineratorëve, Juri Ymeraj, Silvester Dreza, Gentian Zifla, Arjola Kodra, Enver Sheshi, Robert Shabani, Regan Merdani dhe ish administrator i incineratorit të Fierit, Luran Dusha.
Përveç arrestimeve mësohet se oficerët e BKH kanë ekzekutuar edhe urdhëra kontrolli në disa biznese dhe banesa të personave nën hetim.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për incineratorin e Elbasanit por dhe për incineratorin e Fierit. Janë në total 11 persona. Dy gjyqtarë, Erjon Bani dhe Irena Gjoka kanë firmosur 11 urdhërarrestet” informon gazetarja e Ora News, Keti Banushi.
Emrat e personave të cilëve u është firmosur urdhër arresti
1-Arber Denizi
2- Juri Ymeraj
3- Silvester Dreza
4- Gentian Zifla
5- Arjola Kodra
6- Enver Sheshi
7- Robert Shabani
8- Regan Merdani
9- Luran Dusha
10- Arben Dervishaj arkitekt
Një javë më parë prokuroria mbylli hetimet për dosjen e incineratorit të Elbasanit duke ngritur akuza për biznesmenin Mirel Mërtiri dhe ish deputetin Alqi Bllako, përveç të pandehurve të mëparshëm Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit dhe anëtarët e komisioneve që kryen procedurat e përgatitjes së koncesionit.
Mësohet se urdhërat e arrestimit të lëshuar së fundi kanë të bëjnë me abuzimet e gjetura në incineratorin e Fierit, një tjetër çështje që ndodhet në hetim në SPAK.
Kjo strukturë ende nuk ka vepruar në lidhje me incineratorin e Tiranës i cili është gjithashtu në hetim prej mëse dy vitesh por që nuk ka ende asnjë person në hetim.
Mirel Mertiri dhe Alqi Bllako
Ora News mësoi dje se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në gjykatë masë sigurie “arrest me burg” për biznesmenin Mirel Mërtiri, bashkëjetues i Stela Gugallias, i cili sipas akuzës është pronari faktik i kompanisë përfituese.
Mërtiri i cili është shpallur në kërkim sipas prokurorisë fshihej pas emrit të bashkëjetuses së tij Stela Gugallia, dhe ka rezultuar se është përfitues direkt edhe në incineratorin e Elbasanit.
Gjithashtu një masë të dytë për rastin e Elbasanit pritet ti komunikohet edhe ish Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, i cili në këtë dosje akuzohet për shpërdorim detyre.