Kryeministri Edi Rama është i shquar në karagjozllëkun e tij dhe për lehtësinë me të cilat i merr vendimet që kur ka ardhur kryeministër.
I ka shkaktuar shtetit shqiptar miliona euro humbje dhe jo vetëm vetëm që nuk ka kërkuar ndonjëherë ndjesë publike ndaj qytetarëve shqiptarë, por na i shet dhe si suksese.
Kështu ka ndodhur me të gjitha paditë për të cilat shteti shqiptar është dërguar në Arbitrazh Ndërkombëtar, pjesën më të madhe të të cilave janë humbur.
Rasti më i bujshëm ka qënë ai me kompaninë çeke CEZ, ku ka akuzat për një dëm prej 479 milion euro për shtetin, përmes marrëveshjes për mbylljen e arbitrazhit me kompaninë.
Kujtojmë se çështja e CEZ është një nga çështjet për të cilat Alma Hicka është përfolur më shumë gjatë kohës që mbante postin e Avokates së Shtetit, për shkak se bashkëshorti i saj, Envi Hicka, ka qenë avokati i kompanisë CEZ përgjatë kohës që ka operuar në vendin tonë.
Zyra e bashkëshortit të Avokates së Shtetit, ka qenë përfaqësuese në proçeset gjyqësore në periudhën kohore kur DIA akuzoi CEZ për mosshlyerje detyrimesh.
Janë humbur dhe gjyqet ndaj ish pronarëve, kemi humbur dhe përballë firmave të ndryshme të huaja me të cilat janë ndërprerë kontratat në mënyrë të njëanshme nga shteti shqiptar.
Aq sindromë humbjeje është krijuar në shtetin shqiptar për këtë arësye, sa Shqipëria është e gatshme të vijojë dhe kontratat më diskriminuese për arkën e shtetit, pasi paguhen miliona, por për ta hedhur në arbitrazh as që bëhet fjalë. Si në rastin e “Bankers” apo të tjera.
Rasti më i fundit ka qënë dhe padia e biznesmenit kontravers italian, Francesco Becchetti, i cili ka fituar gjyqin ndaj shtetit shqiptar.
Nëse për HEC-in e Kalivaçit Rama kishte të drejtë për masat e marra ndaj Bechettit, për pasojë vitin e kaluar fitoi gjyqin ndaj tij në arbitrazhin e Parisit, veprimet e tjera të kryeministrit nuk kanë qënë të kopsitura si duhet, çka solli dhe dështimin e pritshëm.
Pavarësisht se shteti shqiptar fitoi në arbitrazh në Paris 7 milionë euro të cilat duhet ti paguajë biznesmeni italian, 2.2 milionë euro na i “përlau” avokati që mbrojti çështjen, karagjozllëqet e Ramës që u përplas me “TV Agon Channel”, i cili u mbyll, kostuan rëndë.
Gjykata e Arbitrazhit në Uashington vendosi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është përgjegjës për sulmet ndaj biznesmenit Francesco Becchetti, lidhur me “Dosjen Agon Channel, Kompanive energjitike dhe investimeve të tjera”.
Vendimi i marrë nga kjo gjykatë është mbështetur mbi 3 kolona kryesore dhe pritet t’i kushtojë Shqipërisë të paktën mbi 100 milionë euro.
Tre kolonat e vendimit janë: “Agon Channel” u shkatërrua me një aksion të udhëhequr nga Edi Rama, për shkak të pozicionit si media oponente e tij; Edi Rama në mënyrë direkte personale ka nxitur një sulm anti-ligjor ndaj interesave të biznesmenit Becchetti; Është e provuar se Becchettit, televizionit dhe interesave të tij të biznesit, u është mohuar çdo e drejtë elementare për të pezulluar vendimet arbitrare dhe është vërtetuar se të gjitha këto veprime antiligjore arbitrare të dirigjiara nga Edi Rama, janë të gjitha të mbështetura mbi një pandehmë që Gjykata e Arbitrazhit e ka verifikuar si mashtrim.
Vendimi është marrë në datën 24 prill 2019. Mbyllja e çështjes e marrja e vendimit konfirmohet edhe në faqen elektronike të Gjykatës së Arbitrazhit në Uashington.
Pra sjelljet arrogantë të Edi Ramës, i cili guxoi dhe preku e bllokoi financat e një televizioni të pavarur, aq më tepër kritik ndaj tij, i sollën një dëm prej mbi 100 milionë euro arkës së shtetit shqiptar.
Ndërkohë që Avokati i Shtetit ka “vdekur”, pasi dhe në këtë gjyq ndaj një biznesmeni kontravers dhe që jeton me këto maskarallëqe për hir të së vërtetës, ishte i “vdekur”.
Ky është Artur Metani, i emëruar nga kryeministri Edi Rama si Avokati i ri i Shtetit, pas dorëheqjes së Alma Hickës.
Merita e vetme e Metanit në “kapjen” e këtij posti, ka qënë dhe është thjeshtë dhe vetëm fakti se është vëllai i ish-ministres të Zhvillimit Urban e deputetes socialiste, Eglantina Gjermeni.
Pra Tur Metani u bë Avokat Shteti sepse qëlloi të jetë vëllai i Tinës, dhe “ndërmarrja” nepotike dhe klienteliste në qeverisjen e Ramës funksionon mrekulli.
Pavarësisht se përfshirja në postet më të rëndësishme të shtetit të miqve dhe shokëve të Ramës ka një kosto tepër të lartë për shtetin shqiptar, qeverisja në Shqipëri vijon të funksionojë sipas kësaj skeme