Hijet e parlamentit, memecët dhe shulat

0

Shkruan Zef Ndreka

Përshkrimet për situatën politike në vëndin tonë nga analistë e gazetarë të ndryshëm si dhe nga disa politikanë të pavarur, sjellin fakte të panumërta e të pakontestueshme të sjelljes absurde të liderëve historik e politik ndaj shtresës së intelektualëve, ku, fatkeqësisht, një pjesë e tyre, kanë rënë viktima të këtyre sistemeve apo ideologjive duke mos pranuar të bëhen palë e tyre.

Nuk po flasim këtu për periudhën e diktaturës, ku shumë inteketualë u persekutuar, u pushkatuan, u burgosën. Ai sistem e pranonte vetë që ishte diktaturë. Por le të shikojmë fatin e intelektualëve në këto 32 vite pseudo-demokraci, periudhë e një tranzicioni, që, krahasuar me vendet e lindjes, është më i gjati dhe më i vështiri. Sigurisht, bilancet janë ca të dokumentuara e ca të fshehura.

Në Shqipëri, ka shumë shkelje të të drejtavë të njeriut, shkelje të dinjitetit, largime nga puna padrejtësisht, përndjekje dhe penalizime, dhunë verbale e psikologjike, pra, dhunime nga të gjitha llojet. Viktimat janë kryesisht nga rradhlt e intelektualëve. Për Shqipërinë, këto qëndrime e veprime të politikës, sjellin humbje të trurit të kombit. Përballë këtyre sulmeve, intelektualët ose tërhiqen ose detyrohen të largohen jashtë vendit. Ne jemi dëshmitarë dhe shohim çdo ditë se si sillen politikanët me intelektualët e vërtetë, me ata që kanë një zë ndryshe nga zëri i “kokave” të politikës, tashmë të deklaruar të dështuar… Ne i shohim si i shtyjnë, i fyejnë, i trysnojnë njerëzit e mençur, të shkolluar për t’i zëvendësuar me injorantë, me njerëz të pavlerë, të përpunueshëm, shërbëtorë, yesmenë, unukë.

Dhe, për çudi, këta “prijësa” legjendarë, politikë të këtyre 32 viteve, ndihen fort mirë e bukur rrethuar nga kjo kategori hibride njerëzish. Është e habitshme, por edhe e kuptueshme pse Sali Berisha, Ilir Meta e Edi Rama, këta “koka” të politikës se sotme absurde, ndihen komodë mes injorancës e batakut, mes “shulave” të tyre. Mjafton të shikojmë cilësinë e deputetëve të ulur në Parlamentin tonë dhe do t’i gjejmë një për një këta personazhe “shula” etj. Formimi i tyre i dyshimtë, i bën të përshtatshëm për “legjendat” e tyre dhe justifikon faktin e një pikëpyetjeje të madhe që vihet, lidhur me personalitetin e tyre! Këta deputetë, sot, ashtu si ata të legjislaturës së shkuar, janë turpi i parlamentarizmit shqiptarë. Madje, mund të themi se përbërja e parlamentarizmit tek ne ka ardhur në bjerrje!

Shumë deputetë të opozitës dhe ata të shumicës, vetëm dëgjojnë ose bëjnë sikur, ngrenë kartonin me urdhër nga lart dhe firmosin në bordero. Ata janë të bindur, të kënaqur me kaq, duke dëshmuar se janë apolitikë e të paaftë. Tashmë të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se këta lloj deputetësh janë “hijet e parlamentit”, janë memecët, që nuk i shërbejnë popullit, por kryetarëve që i kanë zgjedhur.

Të tillë i donte Berisha dhe Rama, njerëzit rreth vetes: pa gojë, pa mend, pa personalitet. Historikisht, në vëndin tonë, sulmet mbi intelektualët kanë qenë një plagë historiko-shoqërore, të stimiluara nga agjenturat e ndryshme. Nga këto plagë, përherë kanë qënë përfitues të privilegjuarit e regjimeve, siç po ndodh rëndom edhe sot. Por çfarë ndodh sot me inteligjencën këtu te ne? Një pjesë punon për një rrogë minimaliste: ulin kokën. Një pjesë mbijeton me një pension mëshirues, pavarësisht kontributeve ndër vite, pra, e kanë ulur kokën. Të tjerë marrin arratinë, sepse për ta nuk ka punë, nuk u dëgjohet fjala, madje përndiqen. Edhe këta ulin kokën e ia mbathin.

Për hirë të së vërtetës, s’po i njohim më intelektualët e vërtetë, nuk i shohim, nuk i dëgjojmë askund, as në parlament, as në qeverisje, as në TV, vetëm rrallë herë, rastësisht, mund të lexojmë diku për ndonjë që shkëlqen andej jashtë vendit, që vletësohet nga të huajt. Por, nga ana tjetër, shohim e njohim çdo ditë mediokrit si bëjë karierë, dëgjojmë ata që nuk dinë të artikulojnë dot në shqip, shohim si shtriqen në kolltuqe zyrash ata me diploma fallco, me grada shkencore të kopjuare e të blera, njohim edhe ministre me nivel inteligjence 5.6, por që vlerësohet pikërisht për injorancën e devotshme. Kemi edhe shumë të tjerë që u shijon aq shumë kur u shërbejnë kokëulur kryetarëve, dhe këta, të fundit, për “shpërblim” i ngrenë në poste më të larta! Kështu do vazhdojmë edhe në të ardhmën ?! Duhet, në këtë vënd, të ndryshojë kursi i politikës ndaj intelektualëve të vërtetë, pasi nuk jemi aq të pasur me njerëz të ditur dhe nuk mund të bëhet Shqipëria me të preferuarit e kryetarëve. Berisha e ka bërë zgjedhjen e tij. Po ashtu edhe Meta e Rama.

Shtrohet pyetja : A janë këta kryetarë intelektualët më të mirë të këtij vëndi, që garantojnë zhvillimin e vendit dhe do bëjnë politika mbështetëse për rikthimin e intelektualëve në vënd dhe do zbatojnë realisht meritokracinë për t’i vënë në krye të shtetit e të politikës? Sigurisht, jo! Kanë patur kohë, plot 32 vite, për të dëshmuar se sa të aftë e të interesuar janë që të kenë në krahë njerëz të mençur e me integritet. Në këtë vënd të mençurit nuk janë shumë, por kanë kapacitete që mund t’u bëjnë ballë budallenjëve. Ndërsa “shulat” i gjejmë përherë rreth trekëndshit keqbërës Berisha-Meta-Rama dhe numri i tyre është rritur siç është rritur dhe potenciali i rrezikut prej tyre. Jane këta “shula”, që vazhdojnë të mbajnë treshen Berisha, Meta, Rama në pushtet. Këta “shula” janë kapitali fizik që mbushin sheshet e sallat duke u vetofruar si mburoja e kokave të partive. Të mençurit duhen respektuar për pavarësisinë e mendimit, pavarësisht përkatësisë partiake. Ndërsa difiçentët duhen anashkaluar, sepse me ta nuk merret as Zoti. “Shulat” janë më të neveritshëm dhe më të rreziksshëm, pasi ata kthehen në mercenarë, patronazhistë, spiunë… Thuhet një fjalë e urtë në Mirditë: “Shpinë e robit s’e prishin as të mençurit as budallët, por shulat !” “Shulat” janë detashmenti veprues i Sali Berisha, Edi Rama e Ilir Metës, janë të betuarit e tyre, pasi janë sajdisur me prona e pasuri dhe krerët i kanë të lidhur pas vetës si sqep!

Mënyrat staliniste të zhdukjes nga skena politike e intelektualëve dhe e fisnikëve është si ta lësh mullarin pa drurin mbajtës dhe kështu çdo erë sado e lehtë do e rrëzonte mullarin… Kjo po ndiqet sot në politikën kundër intelektualëve të vërtetë. Pastaj Saliu, Meta e Rama shpikin fajtorët, shpesh edhe duke kaluar topin sa te njeri te tjetri, duke bërë akuzua drithëruese për njëri-tjetrin dhe në fund, i sheh që bëjnë dhe paqe interesash! Fishta i ndritur thoshte: “Ka pas thanë një krye repet Verë e dimën kuajt e sqept Gjejnë kullosë në vënd të verbër !” Sa të ketë të verbër në Shqipëri, Berisha-Rama-Meta do të ushqejnë kuajt e tyre ! Ndaj mendoj, se detyra parësore e PD-së, e PS-së, krahas forcave të tjera, është të luftoje verbërinë e shqiptarve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu