Grupi ”Karajfilat që ka Shkodra”, tradita 40 vjecare vazhdon!

0

Shkruan Qamil Gjyrezi

Kënga qytetare shkodrane ka një vend shumë të rëndësishëm në qytetin e Rozafës 2400 vjecare. Kjo këngë është pjesë e mendjes dhe e shpirtit shkodranë dhe është kënduar dhe luajtur brez pas brezi. Artistët shkodranë amatorë dhe profesionistë e kanë lartësuar këtë art tradicional, që duhet të transmetohet luhet dhe këndohet edhe sot në botën moderne. Arti urban pa vlera, e ka të lehtë sot të ndikojë negativisht tek muzika dhe individi, për një seri faktorësh kulturorë dhe socialë, nësenuk ruhen vlerat muzikore. Shumë artistë dhe grupe vokale e kanë kënduar në vite këngën shkodrane. Një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe interpretimin e kësaj kënge në 40 vite, ka edhe grupi “Krajfilat që ka Shkodra”. Idenë për këtë artikull muzikologjik përshkrues e mora nga një koncert të zhvilluar para pak ditësh në Shkodër, në të cilin grupi “Krajfilat që ka Shkodra” i përbërë nga profesorë dhe instrumentistë të Shkollës artistike “Prenkë Jakova”, këndonin bukur dhe profesionalisht me nxënësit e tyre këngëtarë dhe instrumentistë këngën shkodrane.

Eksperienca artistike e tyre dhe formimi akademik ndikon pozitivisht tek vokali dhe interpretimi i kësaj kënge. Ky grup është shumë interesant mbasi është një grup me zëra burrash tenorë, baritonë dhe bas me një tingull shumë të mirë. Grupi “Krajfilat që ka Shkodra” është krijuar, ka filluar aktivitetin artistik 40 vite më parë në vitin 1983. Më datën 17 korrik 1983 u organizua cfaqja e parë e Grupit tradicional shkodranë “Karajfilat që ka Shkodra”. Grupi “Karajfilat që ka Shkodra” u krijua me idenë e dy artistëve dhe qyetarëve shkodranë Tahir Kastrati dhe Nesret Kastrati. Të dy këta artistë këngëtarë i kam njohur nga afër mbasi kanë kënduar edhe në korin e Filarmonisë së Shkodrës, që sot nuk ekziston dhe duhet të ringrihet. Qëllimi i krijimit të këtij grupi vokal burrash ka qenë ruajtja e këngës shkodrane e kënduar bukur në dhomat e shtëpive shkodrane, pa ndikime urbane të muzikës së huaj dhe asaj pa vlera para viteve 90-të. Qëllimi i krijuesve të këtij grupi ishte të kënduarit dhe interpreturit e këngëve me profesionalizëm në skenën e “Teatrit Migjeni” dhe në skena të tjera. Në vitin 1976 kjo ide me shumë vlera artistike u mbështet nga ish- drejtori i shtëpisë së kulturës së Shkodrës Agim Kodraliu. Për arësye të caktuara aktiviteti ose prezantimi i grupi “Karajfilat që ka Shkodra” u promovua në një aktivitet të Shtëpisë së kulturës në vitin 1983.

Personalisht më kujtohet se sa me pasion dhe profesionalizëm e këndonin këngën shkodrane këngëtarët e këtij grupi dhe plot humor dhe hare. Pavarësisht se një pjesë e tyre nuk kishte studiuar muzikë, ata këndonin me ritëm, harmoni dhe melodi të mirë dhe zërat e tyre burrërorë ishin me nuanca të bukura artistike. Pjesmarrësit e parë të këtij grupi ishin Nesret Kastrati, Tahir Kastrati, Leon Leka, Luigj Alija, Riza Xhakovic, Bërhan Nehani, Paulin Gruda, Bep Pavaci, Ferdinand Deda dhe Ruzhdi Cekaj. Zërat e kumbueshëm varionin nga tenori deri tek bas-baritoni, biles Leon Leka që kishte studiuar kanto në Tiranë. Ata këndonin me shumë pasion dhe transmetonin vlera qytetare dhe kulturore të Shkodrës. Grupi “Karajfliat që ka Shkodra” në aktivitetet e tyre kanë bashkëpunuar në vite me kompozitorët shkodranë, si Zef Coba dhe Oleg Gjerga, të cilët kanë kompozuar këngë për këtë grup karakteristik. Në vitin 1988 grupi “Karajfilat që ka Shkodra” janë vlerësuar me cmimin e parë në Festivalin e këngës qytetare në Shkodër me këngën e kompozitorit Oleg Gjerga, A don djalë një vajzë? “Karajfliat që ka Shkodra” janë vlerësuar gjithashtu edhe me cmimin “Palokë Kurti” në vitin 2002-2003 në Festivalin e Këngës në Ebasan. Në vitin 2016 grupi “Karajfilat që ka Shkodra” është vlerësuar me cmimin e III-të me këngën e kompozuar nga Oleg Gjerga me titull “Dashuria troket”, kënduar nga këngëtarja Blerta Sinaj. Grupi “Karajfliat që ka Shkodra” ka qenë i ftuar në TV Klan në vitin 2006 në spektaklin “Këngët e shekullit”, i ftuar nga kompozitorët Adrian Hila dhe Shpëtim Saraci dhe ka kënduar këngë nga repertori i tij. Grupi ka organizuar gjithashtu regjistrime në koncertet e organizuara në “Teatrin Migjeni” në Shkodër. Rikrijimi i grupit “Karajfilat që ka Shkodra” është realizuar në vitin 2013 me inisiativën e këngëtarit Arben Jubani dhe ish-këngëtarit të këtij grupi Bërhan Nehani dhe me mbështetjen e drejtuesit të muzikës kompozitorit Bardhyl Hysa Grupi “Karajfilat që ka Shkodra” sot përbëhet nga Ruzhdi Ceka, Arben Jubani, Agron Grami, Fation Tanazi, Ademir Freksu, Glerdit Turmetaj, Eriger Cela, Ermis Piranaj, Ajdis Hasani dhe Arseldi Muca.

Të gjithë këta instrumentistë dhe këngëtarë kanë qenë nxënës në shkollën artistike “Prenkë Jakova” dhe kanë përfunduar studimet në Akademinë e arteve në Tiranë. Një pjesë e tyre janë profesorë dhe instrumentistë, por pasioni për muzikën i ka bërë sëbashku në këtë grup karakteristik që duhet të mbështetet në aktivitetet e tyre. Në 40 vjetorin e krijimit të grupit “Karajfilat që ka Shkodra” këngëtari më i vjetër i këtij grupi Ruzhdi Ceka shprehet me shumë emocion: “Grupi Karajfilat që ka Shkodra duhet të ruhet përjetësisht deri sa të jetë Shkodra 2400 vjecare dhe kultura e saj e mrekullueshme.

Në këtë 40 vjetorë grupi “Krajfilat që ka Shkodra” duhet të mbështetet edhe financiarisht nga Bashkia e Shkodrës dhe të vlerësohet me titull nga Këshilli Bashkiak, për të ruajtur traditën e muzikës qytetare Shkodrane dhe vlerësuar kontributin e këtyre artistëve që është një pasuri lokale dhe kombëtare. Mbas disa ditësh do të zhvilloj një aktivitet artistik në shkollën “Prenkë Jakova” me grupin “Krajfilat që ka Shkodra”, që është simboli i artit dhe kulturës shkodrane, ku në 60 vite kanë përfunduar studimet për muzikë shumica e këtij grupi me vlera artistike dhe vokale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu