Gozhda mbi trupin Tënd…
Megjithëse Ti u ringjalle të tretën ditë. Tashmë, pas mijëra vitesh, me habi, mbi trupin Tënd të shenjtë, shoh gozhda përsëri, o Zot Jezus! Prandaj, me zemër të lutem: Ki mëshirë për mua dhe për të gjithë ata që akoma Ty të kryqëzojnë!
Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi Shkodër, më 06. 09. 2018
Sa mister i bukur!
“…të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji, për t’i turpëruar të fortët”. (1 Kor. 1, 27)
Sa mister i bukur, Ti, o Zot, se ëmbëlsisht në vogëlsira e në hollësira banon, më shumë se kudo, dhe bota, pikërisht këtë, nuk kupton!
Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi Shkodër, më 24. 07. 2018
Mbi shkopin tënd… (Kushtuar nënës Luke)
“Me gjithë shpirt duaje babën tënd dhe mos i harro ofshamet e nënës sate! Mos harro se s’do të kishe qenë pa ta, e çka do t’u japësh siç të dhanë ata?”. (Siracidi 7, 29˗30)
Shkopi ku ti mbështeteshe, tek e shoh plot mall. Në zemrën time prej biri, ç’ndjenja seç më ngjall!
Shkopi ku ti mbështeteshe, i shkurtër si ti vet’. I heshtur dhe i palëvizshëm, o Nënë, sa shumë më flet!
Shkopi ku ti mbështeteshe, është i shenjtë për mua shumë. Se aty, tashmë o Nënë, vazhdimisht mbështetem unë.
Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi Shkodër, më 07. 03. 2020
Si ëndërr…
“Lini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit!”. (Marku 10, 14)
Si ëndërr ishte jeta, kujtoj unë atëherë. Të mbyllur dhe në terr, nga një sistem i mjerë.
Fëmijë këmbëzbathur, thjesht nën një çati. Zemra seç kërkonte, veç pak dashuri.
Në jetën si ëndërr, kurrë nuk e harrova: «Një shoqe të klasës, për nuse e mendova».
O Zot, çfarë kujtimi, sa shumë fantazi! Një botë përrallore, ajo fëmijëri.
Tashmë në jetën time, gëzimi vërshon lumë: Një nuse ëndërrova, por m’u dha më shumë.
Nikolin Sh. Lëmezhi Shkodër, më 19. 05. 2014