Shkruan Naim Flamuri
Në mes të sheshit nuk rri më flamuri, por një gorillë me kollare. Rreh gjoksin, buzëqesh për kamera dhe flet për art, ndërsa me dorën tjetër numëron koncesione. Populli rri si turist në kopsht zoologjik, sheh, bën foto, paguan biletën dhe del me duar bosh.Shqipëria nuk është më vend, është brand. Logo pa përmbajtje. Shishe bosh me etiketë luksi.
Një fluskë gjigande mashtrimi që fryhet çdo fjalim e zbrazet çdo muaj. E në krye të saj, një Alibaba modern, që nuk hap shpellën me “Sesam”, por me “Tender”. Rreth e rrotull, 15 hajdutë me kostum, jo banditë me maska, por oligarkë me dosje. Nuk vjedhin natën, vjedhin në dritë. Nuk ikin me thes, ikin me ligj. E gorilla i përkëdhel: “Punë e madhe, investitorë strategjikë”, ndërsa popullit i thotë: “Durim, reformë, vizion”. Eko-parqe që s’janë as eko, as parqe. Shëtitore mbi plehra, asfalt mbi varre, beton mbi kujtesë. Qytete të lyer, por shpirtra të zhveshur. Porta hapen për pak, mbyllen për shumë. Hyrja me pagesë, dinjiteti falas. Gorilla flet për Europë, por ecën në xhungël. Flet për drejtësi, por rri me grabitqarë. Flet për art, por vizaton me thikë. Një regji e madhe, një teatër i vogël, një publik i lodhur. Shqipëria u bë pronë private. Një oborr ku luajnë të fortët dhe qajnë të vegjlit. Një tavolinë ku hanë pak, dhe shumë shikojnë. Një shtet që s’ka më shtyllë kurrizore, veç poster. E gorilla, krenare, na, na sundon me teatër kukullash dhe fije të padukshme, na shpjegon se kjo është zhvillim, na bind se kjo është sukses. Po ne e dimë: kur vendi kthehet në biznes, qytetari kthehet në klient, dhe klienti gjithmonë humb. Se në fund, nuk na sundon një njeri. Na sundon një sistem grabitjeje me buzëqeshje. Një perandori kartoni. Një fluskë që pret një gjilpërë. Dhe ajo gjilpërë… nuk vjen nga jashtë. Vjen nga ndërgjegjja. Kur populli pushon së duartrokituri, gorilla mbetet vetëm me pasqyrën. Dhe pasqyra nuk fal.







