Google i Alphabet Inc (GOOGL.O) ka miratuar aplikacionin e mediave sociale të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, “Truth Social” për shpërndarje në “Google Play Store”, tha një zëdhënës i kompanisë. “Trump Media & Technology Group” (TMTG), i cili operon me “Truth Social”, pritet ta bëjë aplikacionin të disponueshëm së shpejti në Play Store, njoftoi Google.
“Ka qenë kënaqësi të punoj me Google dhe jemi të lumtur që na ndihmuan që më në fund të sjellim ‘Truth Social’ për të gjithë amerikanët, pavarësisht se çfarë pajisje përdorin”, – tha në një deklaratë shefi ekzekutiv i TMTG, Devin Nunes.
‘Truth Social’, i cili u lançua në SHBA në ‘Apple App Store’ në shkurt, nuk kishte qenë më parë i disponueshëm në ‘Play Store’ për shkak të moderimit të pamjaftueshëm të përmbajtjes, sipas një zëdhënësi të Google në gusht. Google i kishte shprehur shqetësimet ‘Truth Social’ në lidhje me shkeljet e politikave të saj të ‘Play Store’, që ndalojnë përmbajtje si kërcënimet fizike dhe nxitjet për dhunë.
Pa ‘dyqanet’ e Google dhe Apple nuk ka asnjë mënyrë të lehtë për shumicën e përdoruesve të smartfonëve për ta shkarkuar ‘Truth Social’. ‘Play Store’ i Google është mënyra kryesore se si përdoruesit e telefonave Android në SHBA shkarkojnë aplikacione.
Përdoruesit e Android mund të marrin aplikacione përmes ‘dyqaneve’ konkurruese ose t’i shkarkojnë ato drejtpërdrejt nga një faqe interneti, megjithëse shpesh kërkon hapa shtesë dhe leje sigurie. ‘Truth Social’ ka qenë i disponueshëm përmes këtyre mjeteve edhe kur Google e bllokoi atë nga ‘Play Store’.
Telefonat Android përbëjnë rreth 40% të tregut të smartfonëve në SHBA. ‘Truth Social’ riktheu praninë e Trump në mediat sociale më shumë se një vit pasi u ndalua nga Twitter Inc (TWTR.N), Facebook (META.O) dhe Alphabet Inc (GOOGL.O) në YouTube pas 6 janarit 2021. Trazirat e Kapitolit, pasi ai u akuzua për postimin e mesazheve që nxisnin dhunën, i shtynë këto kompani rrjetesh sociale në “izolimin” e Trump.
TMTG është zotuar të japë një “përvojë tërheqëse dhe pa censurë” në ‘Truth Social’, duke apeluar për një bazë që ndjen se pikëpamjet e saj rreth temave të tilla të nxehta si rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 janë fshirë nga platformat kryesore të teknologjisë.