Gjendja e rënduar mendore: A mund të shkarkohet Biden sipas Amendamentit të 25-të?

0

Shkruan Jonathan Turley

Mbrëmjen e së enjtes, Biden këmbënguli para mediave se ai është ende i aftë mendërisht për të ushtuar detyrën … përpara se të ngatërronte emrat e presidentëve të Meksikës dhe Egjiptit.

Raporti mbi mbajtjen dhe keqpërdorimin e materialeve të klasifikuara nga presidenti Joe Biden e tronditi Uashingtonin javën e kaluar. Por konstatimi i Prokurorit Special Robert Hur se Biden “mbajti me dashje” një material të tillë, nuk ishte aq tronditës sa shpjegimi i Hur se përse ai nuk do ta ndjekë penalisht presidentin aktual të SHBA-së.

Hur vuri në dukje se edhe nëse do të ndodhte kjo e fundit, një juri popullore do ta cilësonte atë një “burrë simpatik, me synime të mira, dhe një të moshuar me një kujtesë të dobët”. Kjo u pasua nga një konferencë shtypi e sikletshme në Shtëpinë e Bardhë, ku një president me sjellë të çuditshme sulmoi gazetarët që e pyesnin mbi këtë çështje, në një kohë që shfaqte shenja të tjera konfuzioni.

Tani, disa po bëjnë thirrje për shkarkimin  e Biden nga detyra bazuar në Amendamentit e 25-të të Kushtetutës së SHBA-së. Megjithatë, zbatimi i këtij amendamenti në rastin konkret do të kërkonte më shumë sesa thjesht disa gabime në kujtesë apo konferenca shtypi ku presidenti dëbon gazetarët duke u thënë “këput qafën nga lëndina ime!”.

Raporti i Hur përshkruan në detaje problemet alarmuese me kujtesën e Biden, dhe ato që Hur i konsideron si “afatësi të dobësuara” të presidentit aktual. Duke pasur parasysh të dhënat që jepen atë këtë raport, atëherë konferenca e fundit për shtyp e Biden ishte thuajse një vetëvrasje politike.

Mbrëmjen e së enjtes, Biden këmbënguli para mediave se ai është ende i aftë mendërisht për të ushtuar detyrën … përpara se të ngatërronte emrat e presidentëve të Meksikës dhe Egjiptit. Dhe këto deklarata erdhën pas disa gafave të tjera të Biden, kur përmendi vazhdimisht bisedat me udhëheqës botërorë që kanë vdekur prej kohësh.

Thirrjet e mëvonshme që Biden të shkarkohet bazuar në Amendamentin e 25-të, janë të ngjashme me kërkesat e bëra nga demokratët dhe profesorë të ndryshëm të jurisprudencës gjatë administratës Trump. Në atë kohë, figura si Eric Posner i Universitetit të Çikagos  argumentuan  se “kuptimi konvencional” i amendamentit duhet të “zgjerohet” për të përfshirë rastet kur të dyja palët “e humbin besimin në aftësinë e presidentit për të qeverisur”.

Ekspertët të ndryshëm që kërkuan shkarkimin e Trump sipas Amendamentit të 25-të po qëndrojnë të heshtur, edhe pasi Departamenti i tij i Drejtësisë përmendi provat e pakta si një justifikim për të mos nisur procedurat e shkarkimit.

Megjithatë, siç shkrova  në atë kohë në lidhje me kërkesën për shkarkimin e Trump, thirrjet për largimin nga detyra të Biden shpërfillin qëllimin dhe standardin e vërtetë mbi largimin e një presidenti. Çështja e “paaftësisë” së një presidenti u ngrit shkurtimisht në Konventën Kushtetuese të vitit 1787.

Si për ironi ishte një delegat nga shteti i Biden, Delaware, ai që u ngrit dhe pyeti se si do të reagonte konventa në rastin e paaftësisë së presidentit për të ushtruar detyrën dhe “kush do të ishte gjyqtari i kësaj çështje?”. Por pyetja e John Dickinson mbeti pa përgjigje në versionin përfundimtar të Kushtetutës.

Ajo që pasoi ishin polemikat të vazhdueshme mbi zëvendësimin e tij. Kjo çështje u bë sërish shumë aktuale kur presidenti Dwight D. Eisenhower pësoi një goditje në tru. Pas vrasjes së Presidentit John F. Kennedy, Kongresi e trajtoi më në fund çështjen përmes Amendamentit të 25-të.

Ai merret me vazhdimësinë e rregullt të pushtetit si dhe paaftësinë e përkohshme, kur presidentët duhet t’i nënshtrohen trajtimit mjekësor ose operacioneve. Është seksioni 4 i tij, ai që lejon shkarkimin e një presidenti. Një opsion është ai që unë e kam quajtur “opsioni i rebelimit”.

Ai kërkon që zëvendëspresidenti dhe një shumicë e kabinetit të deklarojnë se presidenti “nuk është në gjendje të kryejë kompetencat dhe detyrat e zyrës së tij” dhe të njoftojë Kongresin se detyra e tij do të merret nga zëvendëspresidenti.

Në rast se zëvendëspresidentja Kamala Harris do të mund të bindte 8 zyrtarë të kabinetit për t’i dërguar një letër Kongresit, statusi i saj si “ushtruese e detyrës së Presidentit” ka të ngjarë të jetë jetëshkurtër. Joe Biden (që së fundmi deklaroi: “Unë jam vërtet i moshuar por e di se çfarë jam duke bërë”) do të duhet vetëm t’i deklarojë Kongresit se “nuk ekziston asnjë paaftësi”.

Në këtë mënyrë Biden do të mund të rifitonte pushtetin e tij. Brenda 4 ditëve, Harris së bashku me anëtarët e kabinetit do t’i duhej të dërgonte një tjetër deklaratë presidentit të përkohshëm të Senatit dhe Kryetarit të Dhomës, duke hedhur poshtë pretendimet e Biden. Me këtë deklaratë të dytë, Kongresi do të kishte 48 orë për t’u mbledhur dhe debatuar mbi këtë çështje.

Në këtë mënyrë do të kishte 21 ditë kohë për të votuar për shkarkimin e tij. Gjithsesi, kjo do të kërkonte 2/3 e votave në të dyja dhomat. Nëse Kongresi nuk do të votonte brenda 21 ditëve, presidenti do të rifillonte detyrën dhe do të mbante pushtetin. Pra ka të ngjarë që François Mitterrand të dalë përpara për të thënë se ai e falsifikoi vdekjen e tij dhe “biseda” me Biden kohët e fundit ka qenë e vërtetë.

Në thelb, çështja është nëse “aftësitë mendore të dobësuara” përbëjnë apo jo një paaftësi. Ndërsa Amendamenti i 25-të u shkrua duke pasur parasysh aftësitë e kufizuara fizike, ai mund të zbatohet qartazi edhe për aftësitë e kufizuara mendore ose të aftësive njohëse.

Megjithatë, nëse degradimi mendor i Biden shihet si një pengesë për ndjekjen penale, a do të ishte kjo domosdoshmërisht një pengesë për presidencën? Përgjigja për këtë është e ndërlikuar. Një studim i botuar në “Psychology Today” mbi 37 presidentët e SHBA-së, sugjeron se gjysma e tyre kanë përjetuar së paku një formë të sëmundjeve mendore.

Megjithatë ata ishin ende në gjendje të kryenin detyrat e tyre. Problemet me kujtesën nuk janë një bazë bindëse për shkarkimin e Biden. Por gjithçka ka të bëjë me shkallën e problemit. Problemet e aftësive njohëse të Biden po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Por pyetja kryesore është nëse ai mund të vazhdojë të kryejë detyrat që kërkon posti që mban.

Standardi nuk është nëse ai mund t’i kryejë mirë ato detyra. Ekziston një dallim midis emrave që ngatërron Biden në lidhje me liderët aktualë të vendeve të ndryshme dhe bisedave me të vdekurit. Kjo e fundit do të ishte qartazi një arsye e fortë për ta larguar nga detyra.

Sigurisht, publiku a ka të vështirë të dijë shkallën e vërtetë të rënies së aftësive njohëse të Biden. Stafi i Shtëpisë së Bardhë e ka mbrojtur Biden për vite me radhë nga publiku dhe media. Edhe gjatë fushatës 2020, shumë njerëz dyshuan se stafi po fshihte problemet  mendore të Joe Biden.

Në këtë kuptim, është i legjitimuar shqetësimi mbi përshtatshmërinë e Biden sa i përket postit që mban aktualisht. Por do të duhet shumë më tepër se sa një gafë këtu apo atje, për të krijuar një kauzë për largimin e tij bazuar në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës Amerikane. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Hill”

Shënim: Jonathan Turley është profesor i së Drejtës së Interesit Publik në Shkollën Juridike të Universitetit George Washington.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu