Askush nuk merr guximin ta vrasë gjarprin e shtëpisë. Po të ndodhë, vjen një hata, si me thënë një vdekje. Prandaj edhe ka ecur nëpër mijëravjeçarë mallkimi si, të vdektë Ora, që don të thotë, të ngordhtë gjarpëri!
Shkruan Sokol Pepushaj
Hashim Thaçi, i njohur me nofkën “Gjarpri”, doli nga spitali. U operua në veshkë. Doli mirë. Shpëtoi Gjarpri! Rroftë Gjarpri!
Gjarpri është kafshë mitike, është magjia kundër magjive.
Gjarpri i shtëpisë, është roja më besnike, është ora e shtëpisë. Çdo banesë, diku nëpër konturet e saj, mendohet të ketë gjarprin e vet, rojen e vet, Orën e vet. Edhe njeriu po ashtu.
Gjarpri i shtëpisë shëtit avash-avash, nëpër dollap të rrobave, pi ujë tek çarraniku, bëhet kulaç nën jastek, zë një qoshe nën jorgan tek këmbët, mbështillet diku nëpër çarçafë, ose, edhe shkon e fle gjumë në djep të foshnjes. Nuk kafshon, prandaj i thonë gjarpër shtëpie!
Askush nuk merr guximin ta vrasë gjarprin e shtëpisë. Po të ndodhë, vjen një hata, si me thënë një vdekje.
Prandaj edhe ka ecur nëpër mijëravjeçarë mallkimi si, të vdektë Ora, që don të thotë, të ngordhtë gjarpëri!
Kosova sot, ka destabilitet politik. Edhe ekonomik. Parlamenti e ka rrëzuar qeverinë me mosbesim. Kushtetuta është futur në morsën e interpretimit. Të gjithë bëjnë përkthimin e saj nga shqip në shqip, dhe nuk bien dakord as ç’kuptim kanë fjalët votim, vendim, kuvendim, afat, surrat, nisje, bitisje, sabah, aksham, derzhavë, shkjau, opet, davret, bërtet, kërcet, hasë, plasë, rrasë…
Nuk bien dakord, pikërisht se janë të gjithë dakord.
Për shëmbull, edhe Albin Kurti, që veçon për mosdakordësi fjalët molotov, tym, hajni, burg, çarshi, robni, fshat e bidat, bie dakord se Presidenti Hashim Thaçi është gjarpër.
Pikërish kjo është çështja sot.
Të thuash pra, të ngordhtë gjarpëri, ngjan se ke thënë, të vdektë Ora, të vdektë Hashimi Thaçi!
Larg qoftë!
Hashimi është “medalje” lufte.
Disa thonë se në “burgjet” Jugosllave qëndroi si “gjarpër”, në mbrojtje të interesave kombëtare. Mbijetoi për t’i prirë UÇK-së si gjarpër. Mëpastaj, jetoi e jeton, për ta drejtuar Kosovën drejt strukturave euro-atlantike, si kryeministër, si president, si “gjarpër” i shtëpisë.
Gjarpri çdo pranverë e ndërron lëkurën.
A keni dëgjuar të flitet se si filani gjeti një këmishë gjarpri?
Këmisha e gjarpërit mbahet në trup, si hajmali, kundër syrit të keq, kundër gojëve të këqija, kundër çdo sulmi a ligësie.
Këmishë gjarpëri mban edhe Isa Mustafa, edhe Ramush Haradinaj. Një copë këmishë ka sot në portofol edhe Avdulla Hoti, ndaj synon për kryeministër. Avdullai, në zgjedhjet e fundit politike, ka marrë shumë pak vota. Kjo ndoshta, sepse nuk kishte një copë këmishë gjarpëri asokohe.
Me gjarpër, janë të lidhur të gjithë politikanët dhe pushtetarët. Edhe në Shqipëri. Po një komb jemi, të njëjtat doke kemi. Nuk do ishte normale të ishte ndryshe.
Çizmja që Monika Kryemadhi ja rrasi Edi Ramës kokës, nuk është lajm i madh. Sa herë mund të jetë rrahur a burgosur Edi e nuk ka bërë lajm. Por, e dini pse u bë lajm i madh?
Sepse çizmja e Monikës ishte prej lëkurë gjarpri. Çizmja e Monikës kishte kushtuar më shtrenjtë se një pistoletë, nga ato të mirat, që gjuan në shenjtë e nuk kërcet fare.
Edhe portofoli i Arben Ahmetajt, lëkurë gjarpri është, po nuk bën lajm. Vetëm kur bëhet fjalë për miliona euro bëhet ndonjë gjysëm lajmi si punë fletë-lavdërimi, por portofoli i Benit nuk preket.
Lëkurë gjarpri janë të gjitha çantat e dorës, këpucët, rripat e orave që kushtojnë më shtrenjtë se një makinë e Ambasadës amerikane, e prapë për to, nuk bëhet asnjë lajm.
Lajm bëhet vetëm orari kur do të dalin Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Edi Rama, Pëllumb Pipero, Erion Velija, Ramush Haranaj, për hajgare me gazetarët.
Lajm i madh është parapamja, se kur do të rrëzohen me “patkonj” përpjetë Albin Kurti e Vjosa Osmani.
Por, nëpër këtë mjegull lindore, mund të përzihet pak mjergull perëndimore
Carla Del Ponte dhe Dick Marty se ç’dreqin kanë me “gjarprin” e Kosovës.
Kanë thënë se është “gjarpri” më i rrezikshëm në Planet.
Pastaj, kanë ngritur kushtrimin në kupë të qiellit, se është kryemafioz, trafikant oraganesh njerëzore, armësh e droge.
Raporti i 14 dhjetorit të vitit 2010, është vërtetë i lig. Nuk nderon asnjë “gjarpër” në planet.
Dick Marty, atëherë anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës,
ka publikuar një hetim zyrtar me trajtime çnjerëzore, me vrasje të burgosurish për heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, ku “gjarpëri” vriste njerëz pa faj, robër lufte, dhe u merrte e u shiste organet.
“Gjarpër” kaq i keq Hashimi?
Vajzat e bukura të Kosovës nuk e besojnë ende. Ato, e mbajnë si hajmali një copë lëkure gjarpri. I ndihmon në dashuri, i ruan nga syri i keq dhe nga fati i keq.
Po ç’don Carla Del Ponte atëherë?
Edhe pse nuk është bijë Kosove, ajo e din mirë se gjarpri që jeton diku në themelet e shtëpisë, konsiderohet si Ora e Shtëpisë.
Pra, Carla, jo vetëm e beson mitologjinë, por e njeh deri ndër deje. Ajo nuk do lëkurë gjarpi, do kokë gjarpri.
Ajo është Magjia e Madhe. Mbahet kudo.
Flitet se në Hagë, ka shumë “koka gjarpri”!/Pamfleti






