Në orën 17:00 nisi seanca e sotme plenare e Parlamentit. Në nisje brenda ishte vetëm shumica e qetë, e vetme duke diskutuar për problemet e qytetarëve pas javës së gjelbër. Jashtë në prag të derës kishte shtyrje, përplasje dhe dhunë.
Garda nuk lejonte që të futeshin brenda jo vetëm 19 të përjashtuarit, por edhe të tjerët që nuk kishte asnjë masë ndaj tyre. Megjithatë pas 10 minutash, deputetët e opozitës me Gazment Bardhin në krye e çanë kordonin duke u futur brenda me dhunë.
U turrën drejt kryeministrit. Garda ndërhyri. Lindita Nikolla e mbylli seancën. E ndërsa shumica u largua, deputetët e PD-së dolën në protestë. Këtë herë deputetëve të grupit të Sali Berishës iu bashkuan edhe pjesa e Gazment Bardhit.
Bashkimi i parë në terren në tubimin e thirrur nga grupi i Berishës. Pas fjalimeve u drejtuan për tek rrugica poshtë ballkonit të Sali Berishës.