Shkruan Sokol Pepushaj
Edhe pse u ka shterruar uji e kanë dalë në zall, “Peshqit” s’po “ngordhin” lehtë. Rezistenca për jetën ua justifikon agresivitetin, prandaj edhe pse është klimë e keqe, koha premton ndryshim të shpejtë.

Kur Edi Rama “kafshon” deputetin Alqi Bllako se ka ngrënë mbeturina tek koshat e plehrave të inceneratorëve të Lefter Kokës, nuk e bën nga qejfi. Aty pari, tek kazani i plehrave të Erion Veliajt, me ‘non grata’ në dorë, ngjan se ka zënë pritë Yuri Kim.
Edi Rama, pse ta fshehim, nuk është ky që shihni në ekrane kur lexon hartimet. E tremb ndryshimi i “kohës”.

Rama është “Peshk” që dridhet në zall.
Po të dridhej në Zall të Kirit, si Sali Berisha për shembull, nganjëherë edhe mund të fshihej nëpër “myshk” e “lëmashk” të ujërave të Hanit të Hasan P*rdhës, por jo, është edhe më gjynah se Saliu.
Nuk shkon pa antiplumb as në dhomë të gjumit. Fle e zgjohet, siç thotë populli i tij, me “lepur” në bark. Frika e transparencës së pasurive e tmerron Bablokun, jo më pak se Sali Berishën, Ilir Metën, Fatos Nanon, Erion Veliajn, Arben Ahmetajn, Fatmir Mediun, ndaj gjithmonë sajojnë tensione politike fallco e me fanatizëm ruajnë shtyllën e përbashkët kurrizore, antiamerikanizmin.
Janë specialistë.
Për shembull, Fatmir Mediu, i akuzuar për 26 vrasje në bashkëpunim me Shkëlzen Berishën, në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec më 15 mars 2008, si dhe për miliona dollarë vjedhje nga fondet publike, sa herë nuhat aromë burgu, nuk bën trimin si Berisha e Meta, por dhelprën. Këto ditë, ka kapërcyer “kangjellat” e Parlamentit plot e përplot ‘non grata’ e shëtit lirshëm studiove të televisioneve me para krimi. Tregon përralla me senatorë e kongresmenë amerikanë. Pra, investon para të vjedhura, shet gënjeshtra të shpifura, prodhon ligje e premton se Shqipërinë do ta integrojë drejt strukturave Euro-Atlantike ky hajduti i madh, ndër më të akuzuarit e ndër më të urryerit.

Si Fatmiri e më keq janë të tërë.
Sali Berisha me “mercenarë” ka “pushtuar” Hanin e Hasan P*rdhës në Veri të Vendit, ka ngul flamurin antiamerikan në selinë e Partisë Demokratike në qendër të Tiranës dhe është “armatosur” për një sulm andej nga Kështjella e Krimit ekonomik, e njohur si Kryeministria.
Ç’po ndodh, apo jemi në një skeç fshati?
Shfaqja nuk ka estetikë fare. 4 Klanet Mafioze janë bashkë. Synohet karikim me spekulime, sikur Ambasadoren Yuri Kim nuk e pret Sali Berisha, se doktorin nuk e qas Edi Rama, se Bablokun s’e sheh me sy Ilir Meta, se Liken e pret me derë hapur “Shtëpia e Lirisë” për opozitë serioze, se “Kimetja” largohet pa ua varur në vesh matrikullen ‘non grata’ Presidentit dhe kryeministrit, pra, mpirje shpresash.
Ky artikulim, edhe në ngjan kontradiktor, s’jemi ne gabim. Kështu e më për dreq, kuvendohet në çdo familje a grup shoqëror. Madje, shqiptarët e vjedhur 30 vjet publikisht, në sy të aleatëve tanë strategjikë, flasin edhe me vete.

Kur llafosin me vete turmat nuk i japin audiencë askujt.
Motivi, nuk ju duam asnjërin, se jeni hajdutë, ka ngjitur fort. Nuk i ndryshon pritshmeritë as Arben Kraja që “mat” thellësitë dhe temperaturat ku pllaquriten “Peshqit” e Mëdhenj e reciton “poezinë” e Adriatik Llallës, se do ketë arrestime VIP.
Kjo melodi plot emocione e “gurët në trastë”, i ka mërzitur shumë. Sot e gjithë ditën, shqiptarët po flasin me vete.

Doni të dini ç’mendojnë turmat e zemëruara?
Duan të bashkojnë ç’është ndarë e të ndajnë ç’është bashkuar. Pra do mblidhen energjitë pozitive e do bëhen fije fije ato negative. Si në një skuadër futbolli që ka lojtarë të mirë por trajner dhe kapiten matrapazë.
Matrapazët kanë përcaktuar rezultatet. Shqiptarët renditen ekonomikisht me popujt aziatikë, kurse ata vetë, me sheikët e Dubait.
Aq sa janë të pasur janë edhe të frikësuar. Më të madhit, si me thënë timonierit, i ka humbur paswordi i fshehjes së gjësë së vjedhur. Flitet se ja kanë “hakuar” shërbimet amerikane. Prandaj nuk mund t’i thotë asnjë krimineli, largohu më tej zotrote, as djalit të Qifos, me ‘non-grata’ në “vesh”, nuk i thotë dot, nuk je deputet i Partisë Socialiste.
Ka një logjikë ky veprim i çuditshëm i një kryeministri aksidental në zemër të Europës. Gjithçka pritet, do të ndodh. Edhe Edi Rama ka frikë se merr non-grata./Pamfleti






