Pas vendimit mbi vendosjen e reciprocitetit nga qeveria e Kosovës mbi automjetet me targa serbe, njësitë e specializuara të policisë janë vendosur në Jarinjë, pikën kufitare me Serbinë.
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës “ROSU” është parë duke shkuar drejt pikave kufitare në Veri, kjo në bazë të vendimit të sotëm për vendosjen e targave të përkohshme në pikat kufitare për çdo automjet me targa serbe që do të hyjë në territorin kosovar.
Në disa pamje të publikuara nga indeksi online shihen disa mjete të blinduar me forca policore të cilat i drejtohen pikës kufitare me Serbinë.
Marrëveshja e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përcaktonte që të gjithë drejtuesit e mjeteve të cilët që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Sipas marrëveshjes, në Serbi mund të futen nga Kosova të gjitha veturat me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i ndërrojnë ato në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe. Në anën tjetër, veturat me targa të Serbisë futeshin lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë.
Këtë vit, Ministria e Brendshme e Kosovës ka njoftuar se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targat KS dhe veturat e Republikës së Kosovës do të bartin vetëm targat RKS.