Gati ligji që do përjashon Sali Berishën dhe çdo non grata nga politika e funksionet publike

0

Ligji i dekriminalizimit në Republikën e Shqipërisë pritet të pësojë ndryshime thelbësore lidhur me ndalimin e politikanëve të shpallur “non grata” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një nga vendet e Bashkimit Europian për të mos marrë funksione publike.

Që prej fundit të vitit të kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar Parlamentit që të amendojë ligjin nr.138/2015 për të shtuar paragrafin që personat e ndaluar për të hyrë në territoret e shtetit amerikan apo të ndonjë prej vendeve të Bashkimit Europian të mos garojnë në zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale.

Ndryshimet pritet t’i japin fuqi madhore kushtetuese vendimeve të SHBA dhe BE që shpallin politikanë dhe qytetarë “non grata” për korrupsion dhe minim të demokracisë. Në këtë situatë, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ish-deputeti Tom Doshi dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla rrezikohen të goditen ashpër nga ligji i dekriminalizimit.

Por, më i kanosuri nga ndryshimet e mundshme të këtij ligji është ish-lideri i PD, Sali Berisha. Duke patur parasysh lëvizjen e tij politike për kontrollin e plotë të PD dhe ambicies për kryeministër të vendit, ai mund të pësojë një goditje edhe më të rëndë politike nëse Parlamenti i jep fuqi ligjore shpalljeve “non grata” të SHBA dhe BE.

Aktualisht, në Komisionin e Ligjeve nuk është shqyrtuar një projektligj i tillë dhe nuk dihet se në çfarë periudhe do të diskutohen dhe miratohen këto amendime. Në 27 dhjetor 2021, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi shprehej pro-ndryshimit të Kodit Zgjedhor lidhur me ndalimin e politikanëve apo funksionarëve të ndryshëm publikë që të mos garojnë për detyra të qeverisjes qendrore dhe lokale.

Më tej, ai theksonte se duhej që ndryshimet e reja duhet të përcaktojnë qartë se kur një zyrtar s’duhet të lejohet të marrë funksione publike. “Ndoshta disa përkufizime në lidhje me kushtet e ndalimit. Duhet të ketë qartësi më të madhe në Kodin Zgjedhor në mënyrë që të mos jenë pjesë e diskutimeve apo interpretimeve, sipas interesit politik apo interesave të tjera.

Ligji për dekriminalizimin ka nevojë për një ridiskutim dhe duhet të jetë i qartë rasti kur një zyrtar nuk merr dot një zyrë publike. Do të duhet të mos lihet hapësirë për interpretim subjektiv”, deklaronte Celibashi.

Yuri Kim kërkoi ndryshim të ligjit para se Berisha të shpallej “non grata”

Në 23 mars 2021, në një intervistë për një media, ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim kërkoi që të ndryshonte ligji i dekriminalizimit në Shqipëri ku të frenoheshin politikanët dhe zyrtarët e korruptuar që të marrin detyra me funksion politik dhe shtetëror. Kim theksonte se korrupsioni është kërcënimi më i madh për qytetarët shqiptarë dhe ata duhet ta luftojnë fuqishëm atë. “Mendoj që mund të përmirësohet.

Dhe kuptoj që ka disa konsiderata që duhen përmirësuar. Por, mendoj që ka ardhur koha për vendim për votuesit shqiptarë. Kërcënimi i ri është korrupsioni. Dhe ka ardhur koha që ju të ngriheni dhe të luftoni kundër kësaj, në mënyrë që ju shqiptarët të thoni: ‘Mjaft është mjaft!’ Nuk mund të pranohet më kjo si normale”, shprehej afro 1 vit më parë Yuri Kim.

Kjo deklaratë e saj u dha përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 dhe para se Departamenti Amerikan i Shtetit të shpallte “non grata” Sali Berishën për korrupsion dhe minim të demokracisë në 19 maj 2021. Nëse do të miratohen ndryshimet e sipërpërmendura në Ligjin e Dekriminalizimit para përfundimit të legjislaturës së dhjetë parlamentare, ish-kryeministrit Sali Berisha do t’i ndërpritet mandati i deputetit.

Çfarë thotë ligji i dekriminalizimit për ndalimin për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik?

“Ndalimi i parashikuar nga pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe ndaj personave:

që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një prej këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale, të parashikuara në pikën 1, shkronja “a”, të këtij neni.

Për personat që plotësojnë kushtet e këtij paragrafi, ndalimet zbatohen në përputhje me pikën 5, të nenit 10, dhe pikën 1, të nenit 16, të këtij ligji; b) që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të shtetit përkatës”.

Duke lexuar nenin 2, pika të Ligjit nr.138/2015, ndërprerja e mandatit të deputetit të Sali Berishës është e pamundur në bazë këtij ligji aktual pasi ai nuk është dënuar me vendim gjykate në SHBA dhe nuk është dëbuar nga ky shtet. Vendimi “non grata” i DASH-it është vendim administrativ dhe jo gjyqësor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu