Floresha Rasha dhe tre fëmijët e saj, Amar, Emel dhe Hatixhe Rasha bashkë me të voglin Endri Dumani janë nxjerrë nga kampi i tmerrshëm Al-Hol i Sirisë përmes një operacioni, për të cilin drejtuesit e anti-terrorit dhe bashkëpuntorët e tyre meritojnë mirënjohje. Fëmijët dhe gruaja kanë jetuar si pengje në një kamp robërish, me jetën që i varej në fije të perit çdo ditë.
Kanë dalë nga “kampi i ferrit” në gjendje të rënduar, pas një bashkëjetese të rrezikshme me mijëra gra dhe jetimë të tjerë të ish luftëtarëve të ISIS. Në vëndet që publikoi Gjysmë Hëna e Kuqe siriane fëmijët shoqërohen nga konsulli shqiptar në Liban. Gruaja është e sëmurë nga një plagë dhe transportohet nga një karrocë me rrota. Më të vegjëlit duken të kequshqyer dhe të veshur keq.
Vështrimi i Endri Dumanit, (djali me flokë të verdha në krah të majtë të fotos) me sytë e nxirë dhe fytyrën e hequr flasin më së miri për lodhjen dhe rraskapitjen e shkaktuar nga jeta në Al Hol.
Por gjendja e rënduar e jetimëve nuk qe pengesë, që themeluesi dhe sponsori i ERTV të vërë në skenë një raportim live nga Bejruti, ku ai u shfaq i ulur në kolltuk dhe i rrethuar nga jetimët, në rolin e shpëtimtarit. Në të njëjtën gjendje siç ishin kur u nxorrën nga kampi dhe ndërsa më të vegjëlit luajnë në kolltukun ku është ulur kryeministri, të miturit u vendosën në funksion të një shfaqjeje, me në qendër Edi Ramën. Një inskenim për 20 minutat e lavdisë në ERTV, që sfidoi gjendjen e vogëlushëve.
Dhe ndërsa kamerat transmetonin live nga Bejruti dhe blicet e aparateve fotografikë shprepeshin në breshëri për të kapur pozën më të mirë, vetë Rama pranoi se Amar, Emel dhe Hatixhe Rasha dhe Endri Dumani kishin nevojë për një trajtim nga psikologët, që nuk e kishin marrë. Pranoi se fëmijët kishin nevojë për analiza mjekësore që ende nuk i kishin kryer dhe se kishin nevojë edhe për një trajtim të kujdesshëm, që ende nuk kishte nisur.
Lexo edhe: Alesio që takoi Ronaldon, si viktima e dyfishtë e politikës spektakël
E gjitha i ngjajti një haraçi për t’u paguar para se fëmijët të kthehen në shtëpi. Një pengmarrje e dytë, kësaj radhe nga bamirësi, që bamirësinë e tij nuk e kalon dot në heshtje. Skena e sotme në Bejrut të kujton historinë e Alesios, djalit që pas tërmetit të 26 nëntorit në Thumanë ra në duart e kryeministrit Rama. Për sa kohë kamerat ishin ndezur, Alesio takoi Ronaldon në Itali dhe shkoi në shkollë në makinën kryeministrore.
Kur kamerat u fikën, njohu realitetin e vështirë të fëmijës së mbetur jetim. Të paktën për fëmijët jetimë të Al-Holit, Rama nuk premtoi as vëmëndje, as ndihma dhe as se do t’i merrte në shtëpinë e tij në Surrel. Ato thjesht i përdori pa e tepruar.©Lapsi.al