EULEX arreston Kreun e Veteranëve të Luftës së UCK-së, Hysni Gucati/ Akuzohet për krime kundër njerzimit

0
Kreu i Veteranëve të Luftës së UCK-së, Hysni Gucati është arrestuar nga forcat e EULEX-it në Kosovë, të cilët nisën një aksion prej mëngjesit të sotëm.

Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i veteranëve, Nasim Haradinaj. Policia e EULEX-it mëngjesin e sotëm ka bastisur zyrat organizatës së veteranëve të UÇK-së. Tribunali Special nga dje ka nisur arrestimet e para të pjesëtarëve të UÇK-së, që akuzohen për krime lufte.

Pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX) gjenden në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë konfirmuar nga kjo organizatë. Faton Klinaku, sekretar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, tha se ata janë duke bërë basitsje. Në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Kjo vjen një ditë pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator 2020, të Salih Mustafës, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga.

Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Shoqatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente.

Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.

Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Të martën, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“. Kjo zyrë po ashtu ka thënë se “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht, me forcë, individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre“.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu