Shkruan Kreshnik Marku
Mund të mrekullohemi me kohërat e ndryshme, të cilat ishin sprovë dhe ftesë për njeriun për të realizuar qëllimet e mira të shpirtit të vet. Kjo ndodh me Luanin, i cili arriti që prej një diakoni të bëhët papë.
Sipas disa të dhënave Luani me prejardhje ishte etrusk, i lindur në Romë, në vitin 390. Jetoi në kohën kur Kisha kishte nevojë për të dhe si diakon dha një kontribut shumë të madh. Aso kohe papë ishte Celestini. Sigurisht që Celestini papë nuk ka menduar se provania hyjnore do të bëjë që më 440 në krye të Kishës të jetë pikërisht Luani, i cili do ta zëvëndësonte Celestinin. Luani ishte reformator i madh dhe në këtë kuptim shpesh herë edhe predikonte nëpër kisha. Nga Luani sot janë të ruajtura 96 fjalime, të mbajtura në raste të ndryshme liturgjike. Këto fjalime janë të shkurtëra por me përmbajtje të thellë doktrinare. Një prej pyetjeve doktrinare është ajo kur i drejtohet patriarkut të Konstantinopolit, Flavijanit, me rastin e krizës monofizite. Luani definon dy natyrat integrale dhe të plota të bashkuara në Krishtin, por jo të përziera. Kjo ishte edhe baza e Koncilit në Kalcedon në vitin 451.
Për Luanin, Kisha e bashkuar me kryet e vet Krishtin është Comunio sanctorum – bashkësi e shenjtërve, e cila rritet dhe ushqehet me sakramente të cilat bëhen efikase me Meshtarin e vet Krishtit. Prania e Krishtit është arsye e ekzistencës së ipeshkvit të Romës si i Pari i Kishës. Si vikar dhe zëvendës i Pjetrit, është në mënyrë të veçantë i bashkuar me Krishtin, papa është garant i integritetit të Kishës, si në planin e bashkimit sakramantal ashtuedhe në bashkësinë e shenjtërve. Po , ai është gjithnjë në concordia sacerdotum (Fjalimi 14,11) në lidhje me collegium caritatis (Fjalimi 5, 2; 6, 1; 12, 2).
Luani ishte mësues i Kishës. Papa Benedikti XIV e shpall edhe zyrtarisht për mësues të Kishës. Luani e meritoi një titull të tillë, sepse me aktet zyrtare dhe me predikimet e fjalimet e ndryshme e tregon një intelegjencë të jashtzakonshme. Të gjitha së bashku ishin 143 sish.
Kur i kanosej rreziku Kishës dhe ishte në vështirësi, Luani diti aq mirë ta forcojë dhe ta ripërtrijë. Konstantinopoja u bë trashegimtare e Perandorisë Romake dhe kështu Lindja u forcua dhe priste që Roma, përkatësisht Perendimi të bjerë dhe të humbë lavdinë e vet. Luani vërtet nuk kishte mundësi të ndalë ramjen e Romës, por e shpetoi Kishën, të cilën e lidhi me Selinë e shenjtë. Sipas shumë teologëve Kisha Katolike nuk pati njeri më kompetent në Selinë e shenjtë se shën Luanin papë.
Ja një fragment nga një fjalim i shën Luanit Mbi lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit:
Vëllezër të dashur, sot është lindja e Zotit tonë Jezu Krishtit. Të gëzohemi! Nuk ka vënd pikëllimi kur lind jeta, e cila asgjëson frikën nga vdekja, e cila nxit gëzimin deri në amshim… Arsyeja për gëzim është për të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit janë mëkatarë. Klith nga gëzimi o i drejtë, u plotësua premtimi. Gëzohu o mëkatar, sepse t`u mundësua shpëtimi, falja. Gëzohu o pagan, sepse edhe ti je i ftuar në jetë. Biri i Zotit mori natyrën tonë njerëzore që të na pajtojë me Atin… Ashtu, pra, djalli, armiku i njeriut do të jetë i mundur. Zoti në natyrën njerëzore iu kundërshtua armikut të vjetër, ai pra do të përmirësojë atë që djalli e shkatërroi.
Këtu shihet se si Luani flet me zemër duke ju drejtuar njerzëve si bari , si prind, si vëlla, si ai i cili tregon dashurinë për të gjithë.
Jeta e shën Luanit na mëson se ajo është një thesar i cili duhet gjithnjë të zbulohet dhe të shkelqejë dhe kështu të arrijë kulminacionin e vet. Luani shkelqeu si diakon, për të vazhduar në shkallën më të lartën si zëvëndës i shën Pjetrit në Selinë e shenjtë.