Shkruan Kreshnik Marku
Ishte vëllai i Bazilit, i lindur rreth vitit 335. U martua rreth vitit 365, por nuk pati fat të jetojë shumë në martesë. Ndoshta ky ishte edhe plani i Zotit që t`i vdesë gruaja, sepse tani tërhiqet në vetmi të vëllai dhe nëna e vet. Në lutje dhe meditim Gregori vendos të bëhet meshtar, por nuk dihet data as viti. Rreth vitit 376 Bazili e shuguron për ipeshkëv të Nises. Edhe ky përjeton të njejtat vuajtje nga arianet.
Ishte i larguar prej selisë së vet për dy vite por u kthye pas vdekjes se perandorit. Merr pjesë në Koncilin e Antiokisë në vitin 379 dhe zgjidhet metropolit i Sebastës dhe Pontit. Në vitin 381 merr pjesë edhe në Koncilin e parë të Konstantinopojës. Vdes rreth vitit 394.
Gregori ishte nderues i madh i Origenit, por edhe një ndër mëndimtarët më të mëdhenj të Kapadokisë. Teologët dhe shokët e quanin edhe mistik. Ishte shumë i thellë në mendime. Duke e nderuar tepër Origenin, edhe Gregori humbet pak në mjegullina të mësimit të gabuar. Gregori ishte platonist dhe neoplatonist. Stilin e shkrimit e kishte shumë të rëndë dhe artistik. Përmbajtja ishte subtile dhe abstrakte.
Për fund për këta tre burra të mëdhenj të asaj kohe mund të konkludojmë:
Në qoftë se Bazili ishte dora që punonte, Gregori i Nazijancit ishte goja e cila foli, ndërsa Gregori i Nisës ishte koka e cila kishte mendime të thella. Kjo është një lidhje e përbashkët e tyre, sepse secili prej tyre duke bashkëpunuar mes veti e dhanë një kontribut të përbashkët për të mirën dhe dobinë e Kishës në atë kohë, e cila ishte e rrezikuar prej arianizmit.
Veprimtaria
Chatechesis magna (Kateheza e madhe) është vepra më e mira e tij. Këtu Gregori shtjellon gjërat kryesore dogmatike: Trininë Shenjte, kristologjinë, soteriologjinë dhe në fund flet mbi pagëzimin dhe eukaristinë.
Antihereticus adversus Apollinarem – Kunder Apolinarit dhe herezive të tija. Këtë vepër e ka shkruar kah fundi i jetës së tij.
Adversus Eunomium – Kundër Eunomit. Është kjo një vepër polemizuese. Edhe vëllau tij Bazili shkruan një vepër me të njejtin titull. Pasi Eunomi ia kthen përgjigjen Bazilit, tani ndërhyn Gregori, i cili e mbron Bazilin dhe njëherit me argumente i mohon të gjitha mësimet e arianizmit. Në këtë vepër ndër të tjera Gregori argumenton besimin në hyjninë e Birit dhe Shpirtit Shenjt.
Gregori ka edhe vepra të tjera, si p. sh. De anima et resurectione (Mbi shpirtin dhe ringjalljen).Vepra përmban dialogun mes tij dhe motrës Makrinës, me të cilën flet mbi vdekjen dhe ringjalljen.
Vita sanctae Macrinae – Jeta e shën Makrines. Është një vepër e cila tregon jetën e familjes së tyre si familje të ndershme me besim të fortë.
Për fund vlen të përmendet një fjalim lamtumirës në Koncilin e Konstantinopojes, kur e akuzojnë se aty ka ardhur ilegalisht:
Lamtumirë bazilikë e lavdishme, lamtumirë apostuj të shenjtë, lamtumirë selia ipeshkvore, lamtumirë qytet i lavdishëm, i njohur për fenë tënde dhe për dashurinë në Jezu Krishtin. Them lamtumirë Lindje dhe Perëndim, për çka edhe aq shumë luftova. Isha i nënshtruar luftrave. Lamtumirë fëmijë të dashur. Ruane trashëgimin që morët. Kujtoni e mos i harroni mundimet e mia. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qëndroftë përgjithmonë me ju.
Gregori tërhiqet në tokën e vet, të familjes së vet dhe ashtu si vetmitar lutej, meditonte, punonte dhe studionte.
Gregori ishte teolog dhe mistik, nuk i mungonte as askeza. Kur ishte i shqetësuar, ai gjente fuqi dhe qetësohej në Zotin nëpërmes uratës dhe përshpirtërisë. Si karakter ishte shumë i ndieshëm, por i flaktë dhe i zjarrtë për të vërtetat e fesë. Ishte kategorik në mësime dhe qortime. Sikurse ylli që del e nuk di të përëndojë, i tillë ishte edhe Gregori.
Edhe pse ishte i martuar, besojmë se plani i Zotit ishte që herët t`i vdesë gruaja dhe që të mos martohej më. Këtë e kupton edhe vetë Gregori, se Zoti e thërret për diçka më të madhe dhe më të vlefshme. Shën Gregori me jetën dhe veprat e veta bëri të numërohët ndër të zgjedhurit dhe shenjtërit e Zotit.