Etërit e Kishës Shën Ambrozi (~340 – 397)

0

Shkruan Kreshnik Marku

Jeta e Ambrozit është interesante. Ai arriti që nga ministri i punëve të brendshme të bëhët kryeipeshkëv i Kryeipeshkvisë më të madhe në botë, Milanos.

Ambrozi u lind në Gali, në Trier , rreth vitit 340. Ati i tij ishte prefekt. Rrjedh prej një familjeje të krishterë. Si fëmijë vjen në Romë dhe atje studion të drejtën dhe klasikët. Pikërisht kjo ia mundëson të ketë një karierë të lavdishme. Më së pari shërbeu në Mitrovicë (Srijem). Rreth vitit 373 emërohet udhëheqës i krahinës së Emilisë dhe Ligurisë me seli në Milano. Në këtë funksion arriti tepër i ri, në moshën tridhjetë vjeçare.

Në vitin 374 vdes ipeshkvi i Milanos, i cili ishte mik i mirë dhe dashamir i oborrit mbretëror, por edhe simpatizues i arianizmit. Tani duhej të zgjidhej ipeshkvi i ri, por konfliktet ndërfetare ishin të mëdha dhe kishin shkaktuar trazira të shumta. Çdo gjë ishte turbulluar në pikëpamje fetare në mes të krishterëve, për shkak të arianizmit.

Ndodhi që me një rast të mbahej një mbledhje ndër fetare në të cilën merr pjesë edhe Ambrozi për ta qetësuar gjendjen, nëse kërkon nevoja. Aty në atë mbledhje u dëgjua një zë nga jashtë: E duam Ambrozin për ipeshkëv. Por ai nuk ishte ende i pagëzuar, ishte katekumen që përgatitej për pagëzim. Nuk dihej se kush e lëshoi këtë zë, por thonë se ishte zë fëmije. Njerëzit e tubuar me vëmendje e dëgjojnë këtë zë dhe njëzëri kërkojnë nga Ambrozi për të pranuar ftesën. Ndërkaq Ambrozi arsyetohej se ende nuk është pagëzuar. Pas shumë lutjeve e pranon dhe së shpejti pagëzohet, shugurohet për meshtar dhe pastaj për ipeshkëv. Nuk është e tepërt të thuhet se shën Ambrozi është ipeshkvi më i madh dhe më i njohur në historinë e Kryeipeshkvisë së Milanos.

Vepra e parë e Ambrozit, që u pelqeu njerzëve dhe Zotit, ishte: shiti krejt çka pati dhe të gjitha mjetet ua ndau skamnorëve. Kjo tregon se Ambrozi do të jetojë për ta dhe prej tyre. Pastaj prapë fillon shkollimin për të pasur njohuri sa më të madhe fetare. Në veçanti studioi Origenin, Atanasin, Çirilin e Jeruzalemit, Bazilin etj. Por para se gjithash studioi Shkrimin shenjt, pa të cilin nuk ka jetë, ushtrohej edhe në jetën asketike. Kështu në këtë mënyrë ai përgatitej t`u nënshtrohet plotësisht ligjeve dhe urdhërimeve të Zotit, që si bari të mund sa më mirë t`i shërbejë grigjës që Zoti ia besoi.

Ambrozi e kishte vështirë për ta udhëhequr Kishën. Fillimisht problem i paraqiste zgjedhja e tij për ipeshkëv, në kohën kur ai nuk kishte njohuri të madhe fetare, ishte katekumen. Por me përpjekje maksimale arriti t`i përballojë të gjitha vështërsitë dhe Kisha nën udhëheqjën e tij vërrtet lulëzoi. Ambrozi kishte një këshilltar të thjeshtë, por shumë të mirë, i cili quhej Simplici, meshtar. Ky bëri që Ambrozi të arrijë shumë në jetë. Ambrozi shpejt e kuptoi se Ungjilli nuk mësohet, por jetohet.

Ishte gjithmonë i rrethuar me njerëz. Ai jetonte për ta. Një herë shën Augustini kishte dëshirë të takohej me të, por nuk arriti nga turma e madhe e njerëzve që, ndërsa shën Ambrozi predikonte, ata e kishin rrethuar. Ambrozi duke e jetuar dhe përjetuar Ungjillin, u bë predikatar i famshëm i asaj kohe. Sa herë që predikonte, katedralja mbushej plot e përplot me njerëz të të gjitha moshave.

Ishte trim dhe nuk frikësohej. Me predikimet e veta mundohej t`i bindë edhe zemrat e pushtetarëve. Në këtë kohë mbretë ishte Graciani, të cilit predikimet e shën Ambrozit i pëlqenin pamasë, saqë një ditë e thirri që t`i mbajë mësim feje. Ambrozi për dallim nga paraardhësit dhe pasardhësit e vet, bëri shumë në kthimin e njerzëve nga herezitë e ndryshme, duke u ndihmuar që ta njohin fenë e vëretetë të Jezu Krishtit.

Për shkak të arianizmit, shën Ambrozi erdhi në konflikt me Teodozin perandor. Për këtë arsye shën Ambrozi disa herë e sulmon Teodozin në predikimet e veta.

Fatëmirësisht Ambrozi pati ndikim edhe mbi të. Me një rast Teodozi kishte dhënë urdhër të rrëxohet një tempull në Eufrat dhe bëri që prapë atë ta ndërtojë. Deri atëherë nuk kishte ndodhur që një perandor të përkulej para ipeshkvit, siç bëri Teodozi para shën Ambrozit. Teodozi perandor për një gjeneral të vetin, kishte vrarë 7000 vetë. Shën Ambrozi jo vetëm që denon një masakër të tillë, por Teodozin e largon prej Kishës, duke thënë: Në qoftë se Teodozi është mbret dhe ka ndikim në kishë, kjo nuk do të thotë se është mbi të gjithë dhe se ka të drejtë të bëjë çka të dojë. Dihet kush është përgjegjës për Kishë. Teodozi proteston rreptë për ofendimet që ia bëri shën Ambrozi, por ky nuk e terhoqi vendimin. Teodozi perandor u detyrua Natën e Krishtlindjes në vitin 390 të vishet me rroba pendestare dhe haptazi, para të gjithë atyre besimtarëve të shumtë që ishin në kishë, të kërkoj falje për krimin e bërë. Kjo vërtet ishte mrekulli, që ndikoi pozitivisht në vetë Teodozin, i cili tani e tutje jetoi si besimtar i mirë, pa tentuar që të ngritet mbi të gjithë dhe të bëjë siç bënin përandorët e tjerë.

Veprat:
Të shumta janë veprat e shën Ambrozit dhe mjaft tërheqëse.

Veprat mbi Shkrimin shenjt

Veprat egzegetike:
a) Shpjegimi i Ungjillit sipas Lukës. Kjo vepër ka vlerë shpirtërore dhe dogmatike. Në këtë vepër ruhen edhe disa fletë të kushtuara Zonjës së Bekuar, duke e pasur parasysh se vetëm në Ungjillin sipas Lukës shkruhet mbi Zonjën.

b) Hexaemeron – Mbi gjashtë ditët e krijimit. Kjo është një vepër e ndarë në gjashtë vëllime dhe përfshin nëntë fjalime të mbajtura në Javën e Madhe. Në këto fjalime vërejmë se Ambrozi i çmon shumë Origenin dhe Bazilin, por shën Ambrozi thellohet shumë me tepër në mendimet e tyre.

c) De paradiso – Mbi parajsën. Kjo vepër është një komentim mbi parajsën e tokës dhe ramjen e njeriut të parë. Këtu ka edhe raste kur polemizon me gnostikët, maniheistët dhe arianët, sekte të ndryshme të asaj kohe.

Ambrozi ka edhe vepra tjera që i përkasin kësaj lëmie, por që janë ndoshta më pak të rëndësishme.

Veprat morale asketike:
a) De officiis ministrorum – Mbi detyrat e njerëzve të Kishës. Vepra është shkruar sipas modelit të Ciceronit. Kjo vepër ndahet në tri pjesë: në pjesën e parë Ambrozi flet për ndershmërinë si virtyt nga i cili rrjedhi urtia, drejtësia, forca. Pjesa e dytë flet mbi interesat, vlerat njerëzore, për ta përmbyllur me mendimin se e vlefshme është çdo gjë që e përcjell dashuria, butësia, mirësia dhe lëmosha. Në pjesën e tretë Ambrozi mundohet të argumentojë lidhjen e ngushtë në mes nderit dhe vlerave tjera jetësore. Shën Ambrozi mendon se i krishtëri duhet t`i japë rëndësi të veçantë nderit. Nëse është nevoja, i krishteri edhe me jetë duhet të paguajë për mos ta çnderuar besimin në Zotin. A thua nuk vepruan kështu edhe martirët para nesh?

Ambrozi shkruan edhe disa vepra mbi virgjërinë.

Veprat dogmatike:
a) De fide, ad Gratianum – Mbi fenë, drejtuar Gracianit. Graciani ishte perandor dhe kërkon nga Ambrozi që të shkruajë mbi fenë, për ta mbrojtur atë prej heretikëve, gjegjësisht të shkruajë për hyjninë e Fjalës së mishëruar. Vepra ka pasur pesë vëllime. Ambrozi argumenton se Biri është i njëgjëjtë me Atin, dhe se Ai nuk ka pasur fillim dhe nuk ka mbarim. Biri nuk është i krijuar. Ai është i mirë sikurse Ati dhe është Zot i vërtetë. Biri nuk ka hyjni tjetër veçse të njejtë sikurse ka edhe Ati.

b) De Spiritu Sancto – Mbi Shpirtin Shenjt. Qëllimi këtij shkrimi ishte, sikurse vepra e parë, argumentimi i hyjnisë së Shpirtit Shenjt, i cili është i ngjashëm me Atin dhe Birin.

c) De sacramentis dhe De mysteriis – Sakramentet dhe Misteret. Është kjo një katehezë për të pagëzuarit e rinjë. Këtu Ambrozi bukur shpjegon pagëzimin, krezmimin dhe kungimin.

Mendoj se është me rëndësi që t`i cekim edhe disa fjalime. Këtu po e citojmë fjalimin që mbajti me rastin e vdekjes së Valentinianit perandor. Perandori vdiq si katekumen. Vdiq në moshën 22 vjeçare. Ambrozi ndër të tjera tha: Në qoftë se martirët janë të larë me gjak, ky Valentiniani është i larë me përshpirtëri dhe vendosmëri që ta ndjekë Jezu Krishtin.

Edhe pak fjalë si përfundim për shën Ambrozin. Ky shenjt jetoi dhe punoi në kushte dhe rrethana të vështira dhe të rrezikshme, kur dominonte kriza e madhe në mes shtetit dhe Kishës. Lirisht mund të themi se shën Ambrozi ishte njeriu i duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, i cili nuk lejoi që perandori me autoritetin dhe fuqinë e vet të udhëhiqte Kishën siç kishin bërë më parë. Për më tepër ai nuk lejoi as shkeljen e ligjit dhe moralit nga askush, qoftë ai edhe mbret. Ambrozi arrinë që t`i çrrënjosë këto dukuri negative. Ambrozi me askend nuk ishte në armiqësi, pra as me shtetin. Ai në këtë mënyrë e mbronte edhe autonominë e Kishës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu