29.5 C
Tirana
E mërkurë, 6 Gusht 2025
Ballina Pakategori Etërit e Kishës: Jeta dhe vepra e Shën Ignacit të Antiokisë (+...

Etërit e Kishës: Jeta dhe vepra e Shën Ignacit të Antiokisë (+ 107)

0
Shkruan Kreshnik Marku
Shën Ignaci i Antiokisë ka jetuar në fund të shekullit të parë dhe në fillimin e shekullit të dytë – mu në kohën kur jetoi edhe shën Klementi. Ishte kjo kohë kur të gjithë apostujt kishin vdekur. Kishën tani e udhëheqin ata të cilët personalisht as nuk e kanë dëgjuar dhe nuk e kanë njohur Zotërinë. Detyra primare për këta udhëheqës ishte lidhja e fortë e bashkësive kishtare.

Antiokia pas Jeruzalemit ishte vendi i dytë i krishterë, ndersa për kah madhësia ishte vendi i tretë në perandori. Sot Antiokia është nën gërmadha. Tani aty kalojnë vetëm mjegullat e dendura nëpër kufirin turko-sirian. Një qytet i cili quhej qyteti i dritës dhe ishte krenaria e asaj kohe, tanimë është plotësisht i shkatërruar.

Nga ky vend edhe shën Pali niset për rrugët e veta misionare. Po ashtu libri i Zbulesës së Gjonit apostull, i shkruar në fund të shekullit të parë, përmend se në këtë rrethinë ishin shtatë kisha, shtatë ipeshkvi, të vendosura në anën perëndimore të Antiokisë.

Antiokia pas rrënimit të Jeruzalemit ishte kështjellë e fesë. Këtu nxënësit e Jezu Krishtit për të parën herë u quajtën të krishterë. Ky vend ishte i pari vend i Selisë së shenjtë, në krye me shën Pjetrin. Ignaci ishte ipeshkëv në fillim të shekullit të dytë në Antioki.

Ignaci doli nga kjo kohë ashtu sikurse delfini nga uji. Kjo do të thotë papritmas. Jeta e tij filloi me burgim. Për rininë e tij nuk dihet asgjë. Ishte nga një familje pagane me kulturë greke. Kjo është e gjithë ajo që dihet për të kaluarën e tij.
Ignaci u burgos gjatë kohës kur perandor ishte Trajani. Njerëzit në këtë kohë përjetonin mundime vërtet të mëdha, ishin në kushte shumë të vështira. Bashkësisë së krishtërë në këtë kohë të vështirë i nevojiteshin njerëz të fuqishëm shpirtërisht, të cilët me dinjitet dhe shembull do ta udhëheqnin këtë popull. Njerëz të cilët as burgu, as shpata, as mundimet e shumta nuk do t`i ndanin nga dashuria ndaj Zotit dhe vëllait njeri.

Shtrohej pyetja: Kush, o Zot do të pranojë këto detyra kaq të rëndësishme dhe të rënda? Pyesim kështu sepse ata që Të njohën dhe ishin me Ty, ata të cilët e shpallën lajmin e gëzueshëm sikurse Ti iu urdhërove dhe i porosite, ata të cilët për dashuri ndaj Teje dëshmuan se je Biri i Zotit, i ardhur prej Qiellit për shëlbimin e njerzëve, kaluan nga kjo jetë. Pyesim kështu kur shohim të gjitha përsekutimet dhe vuajtjet ndaj të krishterëve që i bënin perandorët romakë nepër perandorinë e vet. Çdo ditë të krishterët i dërgonin sikur qengja para egërsirave në koloseumet e tyre.

Ja, pra, Ignaci ishte një fatos ndër të parët që nuk i trembej syri. Ky njeri kishte një dëshirë të madhe, kishte një dashuri të vërtetë, të martirizohet që të bashkohet sa më shpejt me Krishtin. Ndoshta na duket e pabesueshme, por e vërtetë. Ignaci dëshiron të vdesë për Krishtin! Dhe ja, dëshmohet se ka shpirtra, ka njerëz të cilët e kthejnë dashurinë me dashuri, të flijojnë jetën për Jetë. Një ndër ta ishte edhe Ignaci.

Rojtarët në burg e kishin lidhur me pranga që mezi i bartte. Roja e tij ishte e përberë prej dhjetra ushtarëve. Ignaci nuk dëshiron t`i ikë këtij kelku, por do ta pijë, sepse beson në jetën e pavdekshme, jetën me Zotin. Këta ushtarë kënaqeshin kur i mundonin të krishterët. E tani ushqim i egërsirave do të bëhej edhe Ignaci. Ai dërgohej në Romë për një lojë satanike me egërsira që dinin t`i bënin vetëm të patenzonët për zbavitjet e tyre. Rrugës për Romë ata u ndalën në Smirnë. Këtu rojtarët e egër patën rast të shohin kush është Ignaci. Polikarpi nxënës i dashur i shën Gjonit ungjilltar i doli në takim bashkë me besimtarët për ta pritur. Këta i shprehën ndjenjë nderimi dhe solidariteti. Takimi me këtë njeri të shenjtë i trimëronte të tjerët, që shihnin sesi ai e bart kryqin me duresë dhe dashuri. Ndërsa për Ignacin ishte kjo një fuqi shpirtërore se vëllëzërit e tij nuk e kishin harruar Ignacin as në vuajtje.

Më vonë Ignaci, edhe pse i burgosur, do t`ju shkruajë letra falënderimi të gjithëve. Nga burgu dërgon edhe letrën e njohur drejtuar romakëve. Kjo letër është e njohur sepse Ignaci i lut vëllezërit që mos të ndërmarrin asgjë për ta liruar. Ignaci dëshiron të vdesë për Krishtin, i cili më parë vdiq për të. Nga Smirna Ignaci shkon në Troadë, asaj rruge kah kishte shkuar dikur edhe shën Pali. Yjët e krishterë shkojnë njëri pas tjetrit për Romë, qendrën e atëhershme botërore dhe pagane, ku për fat të keq shumë prej tyre shuhen për momentin, por që megjithatë shndrisin duke e bërë Romën qendër krishterimi.

Kush ishte shën Ignaci?
Ignacin e zbulojnë letrat e tija. Të gjitha së bashku janë shtatë. Në këto letra shihet se ishte origjinal. Këto letra pasqyrojnë shpirtin e tij të mirë. Emri i tij Ignac do të thotë i zjarrtë. Ignaci pra digjej për Krishtin. Ai në letra shihet se është dinamik, i bindshëm dhe i thjeshtë. Nga këto letra del fuqia e mrekullueshme, dashuria e pa masë, mirësia e pakrahasueshme, bukuria që përfshin tërë qenien e tij për Zotin dhe për amshimin.

Ja një shëmbull konkret i një pjese të njërës prej letrave të tija, kur e porosit Polikarpin: Nuk është vështirësia në atë që të gjithë njerëzit t`i duam, por të duam çdo njeri, posaçerisht të vegjëlit, të sëmurët, robërit… dhe ata që na fyejnë dhe mundojnë. Njerëzit duhet t`i përmirësosh në atë mënyrë që mos t`ua kthesh me fyerje me atë masë që të bëjnë. Këtu shohim fjalët e buta dhe të ngrohta të një bariu të mirë.

Ignaci pastaj pyet: Si mund të arrihet kjo? Me duresë dhe qëndrueshmëri. Nuk nevojitet shumë për t`u zgjidhur problemi. Ignaci flet nga përvoja, flet nga jeta e sprovuar në kryqe dhe vuajtje. Për nga natyra ishte njeri i fortë, por duresa e bëri të butë, përvujtëria e lartësoi. Në sharje dhe fyerje ai i bekonte, në dhunë përgjigjej me thjeshtësi, ndërsa në herezi me fe të fortë. Kjo ishte dhe mbeti recetë për të gjitha kohërat. Ignaci ishte ipeshkëv, ishte përgjegjës për shumëçka. Në raste të shumta thonte se jam në rrezik, sepse pushteti dhe lavdia njeriun e dehin sikurse vera. Disa mjerisht mbyten edhe në një pikë të saj, por të mëdhenjtë nuk trazohen, edhe sikur të shkonte sikurse lumi. Pse? – pyet Ignaci. Sepse këtë e kuptojnë si rrezik dhe jo si gazmend të jetës.

Motivimi dhe forca që e ngriti Ignacin në këtë nivel është jeta e amshuar, e cila nuk bazohet në gjëra që një ditë kalojnë dhe shuhen, por në ato që kurrë nuk kalojnë dhe janë të përjetshme. Garancion për motivimin e fortë të Ignacit ishte Jezu Krishti. Ai me këtë rast thoshte: Nuk ka tjetër mjek në këtë botë, përveç Zotit, i cili u mishërua nëpërmes Marisë Virgjër, Jezu Krishti Zoti ynë… E dua Jezusin, i cili vdiq për ne, Jezusin, i cili u ngjall për ne dhe në atë moment kur unë do ta përjetoj këtë do të filloj të jetoj. Ignaci mendonte se vetëm në Zotin është gëzimi, lumturia dhe harmonia shpirtërore.

Ignaci nuk dëshironte të filozofonte, sepse në mësimet e tija shohim thjeshtësinë e tij, e cila është mjaft bindëse për ata që i lexojnë. Ai si bari i mirë mësonte atë që edhe vetë e jetonte që njerëzit të mos lëkunden në fe, paganizmi të mos i dëmtojë dhe të jenë të qëndrueshëm.

Mbarimi i jetës së Ignacit
Koloseumi i Romës për romakët ishte vend i zbavitjes, i argëtimit. Në të gladiatorët në dyluftim mes veti, shpesh edhe me egërsira, luftonin për lirinë e vet. Pra derisa derdhej gjaku i njerëzve të pafajshëm, romakët dëfreheshin dhe gëzoheshin. Me kohë në Koloseum filluan t`i sjellin edhe të krishterët, duke i hedhur para egërsirave të uritura dhe të tërbuara! Kështu një ditë në këtë Koloseum u ndeshën edhe bariu i mirë dhe i urtë Ignaci dhe egërsirat e uritura që i kishin përgatitur për këtë rast. Për romakët ishte kjo një fitore, po zhduknin edhe një njeri të madh, ndërsa për të krishterët ishte një humbje e madhe – vdekja martire e Ignacit. Por dëshira e Ignacit ishte që ta lejonin të bëhëj ushqim i egërsirave, për t`u bashkuar me Zotërinë.

Sot kur shikojmë Koloseumin, mund të pohojmë se ai është turpi pagan, në të cilin mbi 200 vjet egërsirat i copëtonin njerëzit që predikonin dashurinë, paqen, mirësinë dhe Zotin, i cili u mishërua dhe jetoi në mesin tonë për të na bërë pjesëtarë të amshimit të vet.

Ne për Ignacin nuk dijmë shumë, por besoj se edhe kjo është e mjaftueshme për ta treguar burrërinë, trimërinë dhe fenë e tij të fortë dhe të palëkundshme në Zotin, të cilit ia flijoi jetën për t`u bërë dritë të tjerëve.

Përkujtimin e martirizimit të tij Kisha e feston më 17 tetor.

Veprat
Ignaci shkroi shtatë letra të dërguara kishave në Azinë e Vogël, Efez dhe Magnezi. Letrat duken të thjeshta, por porosia e tyre është e madhe. Ai kërkon nga besimtarët të ruhen nga herezitë dhe ndarjet e ndryshme.

Stili i letrave është shumë i gjallë. Këto letra janë lexuar dhe respektuar shumë në Kishën e parë. Më e bukura ndër to është ajo e drejtuar romakëve, në të cilën shën Ignaci shkruan: Frumentum sum Dei et per ferarum dentes malor, et purus panis Christi inveniar (Unë jam gruri i Krishtit dhe duhet të jem i bluar prej dhëmbëve të egërsirave, që të bëhëm bukë e pastër e Krishtit) (IV, 1). Mund të hetohen se letrat janë të shkruara shpejt, ashtu sikurse mund të shkruaj një i burgosur para rojtarëve të cilët e mundojnë në çdo mënyrë: „i lidhur në mes dhjetë rojtarëve të cilët më ruajnë sikurse leoparda përrreth (V, 1).

Kjo është përmbajtja e letrës:
Ignaci i quajtur edhe Teofor [= Hyjmbartës], Kishës… me nder dhe lavdi dhe sukses… gjithmonë plot hir të Zotit, larg nga çdo njollë, dëshiron gëzimin më të pastërtin në Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Pas lutjeve të shumta kam kërkuar hir që të mund t`i shikoj fytyrat tuaja. Hiri m`u dha edhe më shumë sesa u luta, që kam mundësi edhe personalisht t`ju përshëndes, unë i burgosuri për Jezu Krishtin, në qoftë se mirësia e Zotit më bën të denjë të më plotësohet dëshira. Fillimi është i mirë… por frikësohem që dashuria juaj ndaj meje do të më bëjë dëm. Ju mund të bëni atë që doni që të më lirojnë, por edhe nëse e arrini qëllimin, mua m`i ndërroni planet për të arritur tek Zoti. Pra, ju lutem, mos më dëmtoni. Dua të shkoj tek Zoti! Nuk dua të kërkoj atë çka i pëlqen njeriut, të cilit ju i jeni besnikë. Unë nuk kam më rast të tillë sikurse tani të arrij tek Zoti. Prandaj nëse ju nuk ndërmerrni asgjë për mua që të më lirojnë, do të bëni një vepër të madhe. Në qoftë se ankoheni, (shën Ignaci mendonte në vuajtjet të cilat përjetonte do të ankohen besimtarët dhe do të lirohej, ndërsa, ai dëshironte të përjetonte vuajtjet, mundimet, të vdesë për Krishtin, sikurse bënë edhe shumë martir të Kishës së parë) unë nuk do të jem asgjë, vetëm se zbrazëti. Më lejoni pra vetëm këtë të jëm i flijuar për Zotin, pasi që është përgatitur altari, sepse është mirë që të vdesësh për botën e të jetosh për Zotin.

Ju përbej të mos ankoheni për mua. Dëshiroj të jem ushqim i egërsirave, sepse vetëm kështu do të arrij tek Zoti. Unë jam gruri i Krishtit dhe duhet të jem i bluar prej dhëmbëve të egërsirave, që të bëhëm bukë e pastër e Krishtit. Ledhatoni ato egërsira që do të më bluajnë, sepse ato janë varri im. Kisha dashur që të mos mbetet asgjë nga unë, që të mos jem barrë e askujt. Lutuni për mua që të jem fli e pelqyeshme e Hyjit.

Më vonë shkruan se ka probleme të mëdha me rojtarët sepse sa më i butë që është, aq më egër sillen me të, por Ignaci thotë se këto janë ushtrime.

Pres, pra që ato egërsira të mos frikësohen nga unë, por të më zhbijnë sa më shpejtë. Ashtu do të jem nxënës i vërtetë i Krishtit. E kërkoj atë që vdiq për mua, e dua atë, i cili u ngjall për mua… Dhe në qoftë se martirizohem, do të jetë shenjë se me keni dashur, e në të kundërtën këtë do ta shoh si urrejtje ndaj meje… Në lutjet tuaja kujtojeni Kishën në Siri… Këtë letër ju shkruaj nga Smirna dhe iua dërgoj nëpërmes efezianëve të dashur… Dita është 9 gusht, lamtumirë.
Jini të fortë deri në fund në mundime për Jezu Krishtin.

Nga kjo letër kuptohet se Ignaci i lut të krishterët që mos të ndërmarrin asgjë për lirimin e tij, sepse ai dëshiron të jetë dëshmitar i gjallë, të vdesë dhe kështu të flijohet për Krishtin. Vdes pra për botën dhe në botë për të jetuar në Zotin dhe për Zotin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu