Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka bërë me dije se grupi parlamentar i Partisë Demokratike ende nuk ka asnjë vendim për kriteret apo mënyrën e si duhet të zhvillohet procesi i negocitave.
Përmes një postimi në “Facebook” Salianji bën me dije se deputetët e pranishëm në takimin e kaluar kanë rrëzuar kriterin që Presidenti i Republikës nuk duhet të jetë politik.
Sipas Salianjit Partia Socialiste nuk ka legjitimin për të zgjedhur Presidentin e vetme, prandaj i takon PD të therrasë në mbledhje të gjithë deputetet opozitarë për të dakortësuar kriteret të cilat duhet ti ketë pasardhësi i presidentit Ilir Meta.
Ky reagim i Salianjit ka ardhur pas takimit të zhvilluar ditën e sotme mes Shpëtim Idrizit, Fatmir Mediut dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka një vendim të dakortësuar për kriteret apo mënyrën se si duhet të zhvillohet proçesi i negociatave!
Deputetë të pranishëm në takimin e kaluar më konfirmojnë që në atë takim shumica e të pranishmëve e ka rrëzuar kriterin që Presideni i Republikës nuk duhet të jetë politik!
Gjithë opozita ka një pikë përbashkuese : PSSh nuk ka legjitimitetin për ta zgjedhur Presidentin e vetme, për këtë arsye i takon Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar të thërrasë në mbledhje të përbashkët gjithë deputetet opozitarë për të dakortësuar qëndrimin për kriteret por dhe personalitetet që mund të gjejnë konsensus të gjerë!”, shkruan ai.