Edvard Munsch, ai erdhi nga “ferri” për të mbajtur të ndezur pishtarët e gulçeve dhe gufeve të shpirtit

0

Shkruan Albert Vataj

Edvard Munch, fillimtari i ekspresionizmit dhe simbolistit norvegjez, tragjikut dhe gjëmuesit të potershëm të ndërkohjes dhe brendisë ndëshkuese. “Sëmundja, çmenduria dhe vdekja ishin engjëjt e zinj që më përkundën qysh në djep”, kumton kësisoj Munch, ndërsa kqyr vetveten përmes të çarave të mureve ku shpirti i tij i trazuar e kishte burgosur. Ai erdhi nga “ferri” për të mbajtur të ndezur pishtarët e gulçeve dhe gufeve. Brofi si shtatore kërcënuese nën një taban që lëvizte dhe hidhte shikimin dhe britmën tej më gjithë forcën e brendisë duke prishaqefur trajtat e sheshta të kohës.

Conversations With Artists From the Past. Edvard MunchEdvard Munch erdhi në jetë më 12 dhjetor të vitit 1863 në Løten të Norvegjisë dhe ishte i biri i Christian Munch, një doktori ushtarak. Copëza të shumta të mozaikut të voglisë dhe adoleshencës së tij i hoqi zvarrë, përmes ditësh të ngrysura, lotësh dhe hutimi, në Kristiania, që tash njihet si Oslo, kryeqyteti norvegjez. Nëna e Edvard Munch, vëllai, dhe një nga motrat u ndanë nga jeta radhaz, duke e kredhur gjeniun e ardhshëm të penelatës në një dëshpërim, i cili i’u vu nga pas këmba këmbës për 81 vjet, deri natën e 23 janar 1944 kur dha shpirt, ndërsa flinte.

Galëria mëtuese e kreshpërimit estetik të Edvard Munch, e një vullnese që hepohej nëpër terrene të mrazta është plazmuar në memorin e historisë së pikturës si një gjurmë e thellë drite në kurmin e lënduar të kohës.

Kur ai “Klithi”

Ishte viti 1893, kur Edvard Munch filloi të punonte për “Britmën”, emblema e korpusit të tij krijues. Kësodore ajo do të mëtohej si një autoportret përshkrimor i një përjetimi që zë fill atëherën që ai kjartëson: “Unë po ecja rrugës me dy miq, ndërkohë që dielli po perëndonte e qielli papritmas u bë i kuq, si të kish marrë ngjyrën e gjakut. Për një çast ndala dhe i kapitur, u mbështeta në parvazin e urës ku po kalonim. Pastaj, hodha sytë drejt fjordit i cili ish mbuluar me një ngjyrë të zezë në blu e më tutje, pashë qytetin e flakëruar si të përmbytur në gjak, përpirë nga gjuhë të shumta zjarresh. Miqtë e mi vazhduan rrugën, ndërkohë që unë vazhdoja të dridhesha prej ankthit që më kish pushtuar dhe, ishte pikërisht në atë çast që bota rreth meje, u shpua tejpërtej nga një klithmë pambarim”. Kësisoj hodhi rrënjë për tu shndërruar në një bimë e përbindshme “Klithma”, shtati dhe hija e së cilës fillëron mëdyshjen e njeriut modern, të vetvetishmen e asaj trajte të trazuar dhe atij shpirti që liria e kredh pamëshirshëm në bashkëjetim me fatin e keq dhe kacafytjen dhëmb për dhëmb më të tashmën e tij.

Golgotha, 1900 Edvard Munch (Norwegian, 1863-1944)Edvard Munch e lëshoj atë “Klithmë” duke nxjerr s’brendshmi vetes terrin dhe helmin, ankthin dhë tragjizmin, frikën dhe kushtrimin. U skalit në shkëmb dhe hyri në përmendore, për të mbetur ndërkohja e tij në të gjithmonshmen e unit tonë të trazuar.

Jetëshkrim i piktorit

Edvard Munch lindur më 12 dhjetor 1863, në Loeten, Norvegji dhe u fik natën e 23 janar 1944, ndërsa flinte në moshën 81-vjeçare. Ai ishte i dyti prej pesë fëmijëve të një mjeku ushtarak e gruas, e cila vdiq nga tuberkulozi kur piktori ishte vetëm 5 vjeç. Pas kësaj, një jete e zymtë pllakosi gjithë familjen, një kandërr terratisëse do të kridhej përplot ndjellakeqje dhe fatkeqësi përmbi ta. Por ai që ra më thellë në këtë shtjellë ferri ishte Edvard, i cili do të përndiqej nga djajt e zinj dhe vdekja. I ati u tërhoq, pak nga pak drejt përkushtimit fetar, ndërkohë që Sofia, motra e dashur, një vjeç më e madhe se ai, bie ashtu si nëna, viktimë e po asaj sëmundje të mallkuar. Edvard i qëndron pranë dhe përjeton gjer në fund agoninë e saj të llahtarshme. Më 1880, ndërkohë që sapo kish mbushur shtatëmbëdhjetë vjeç, ai ndërpret studimet për inxhinieri dhe vendos të bëhet piktor. Më 1889, ndërkohë që i vdes i ati, Munch hap ekspozitën e tij të parë në Oslo dhe fiton një bursë shteti, për të kryer studime në Francë, ku do të qëndrojë gjer më 1892. Por, ishte në Gjermani, në Berlin që legjenda e këtij piktori nis të hedhë rrënjë, e ku do të lindë talenti i tij i madh, në rrethana pak a shumë, të rastësishme.

Duke mos ditur pothuajse asgjë rreth krijimtarisë së tij, por e influencuar prej rekomandimit të akademikut norvegjez Adelsteen Normann, Shoqata e Artistëve Berlineze e fton atë të organizojë një ekspozitë vetjake në ‘Shtëpinë e Arkitektëve’. Por, reagimi i kritikës dhe pakënaqësia e publikut ishte aq e fortë sa që ajo u mbyll shtatë ditë, pas përurimit. Mes të rrallëve të cilët mbrojtën artistin e ri, ishte shkrimtari polonez Stanislaë Przybyszeëski (1868-1927) i cili në krijimtarinë e Edvard Munch, zbulon për herë të parë frymën e saj fantastike dhe njëkohësisht, satanike.

Edvard Munch dhe gratë

Edvard Munch mëtonte afrinë e një burri tërheqës. Bukuria e tij, disi e ashpër, prania shkëmbore e vështrimit dhe personalitetit shkaktonte një kandë të tjetërllojtë. Tipi i tij i çapraztë s’kishte si të shpëtonte anatemës së kungimit ndjesor, pasion i cili gëloi në trajta të prishqejfura. Aniqysh ndodhitë duket sikur i’a vizatojnë më qartë se vetë penelata atë që piktorin e lidhte me gratë. Kësisoj, një ditë, në shtëpi i bujtën papritur ca miq dhe i dhanë lajmin tragjik, se Tulla, e dashura e tij, kish vdekur. Ata e shoqëruan në shtëpinë e saj, ku kishin sendërtuar me kujdesin e fanatikëve të ferrit një shaka vërtetë makabre. Trupi i pajetë i gruas qe vendosur mbi një shtrat. Në çastin kur Munch po shihte me pikëllim të thellë, atë që ai kish dashur aq shumë, trupi i saj lëvizi. Ishte nje skenë ngjethëse! Tulla Larsen, ishte e bindur se Munch, duke parë se ajo po “ringjallej” para syve të tij, do të vendoste më së fundi të martohej me të. Por, Edvard Munch e kaploi një zemëratë e tërbuar. Saora, mes tyre merr zjarr një sherr, i cili merr fund me një krismë revolveri. Një plumb e goditi atë në dorë e një prej gishtave, i ra i këputur për tokë. Tashmë, ideja e tij se gruaja ishte mishërim i së keqes qe bërë realitet. Ai s’u martua kurrë edhe pse pas asaj ngjarje, u njoh me shumë gra të tjera. Pas asaj ngjarje, ai ra në depresion të thellë dhe u shtrua në spital duke e cilësuar periudhën që ndenji në të, si “fundin e nje epoke” të jetës së tij. Me një qartësi gjykimi të pashoq, lidhur me këtë, ai pat shkruar: “Dobësitë që kam, janë pjesë e vetvetes sime. Unë s’kam dashur të shpëtoj nga sëmundja që kam, sepse arti im është fryt i saj”.

Pas daljes nga klinika, duket se ai është shëruar dhe vazhdon të bëjë një jetë pak a shumë të qetë, por ai nuk do të pikturojë kurrë më, si më parë. Në disa shënime të mëvonshme, mes të tjerash, ai ka shkruar: “Pa frikën dhe sëmundjen, jeta ime do të kish qënë si një varke pa rrema”.

Nëpër gjurmët e këtij gjenialiteti

Në moshën 17 vjeçare u mor në patronazh në art prej Christian Krohg, një piktori natyralist, shumë i famshëm për kohën në Norvegji. Talenti i Edvardit u shfaq që më punët e hershme të tij, por ngjarjet traumatike që ia plagosën fëmijërinë patën një impakt të thellë për vizionin e tij artistik shumë më tepër se ndikimi i kujtdo tjetër artisti apo lëvizje kulturore që qarkullonte në atë kohë.

Më 1885, Munch mori fillimisht për tre javë një bursë studimi në Paris. Një vit më vonë, filloi të punonte për “Fëmijën e sëmurë” që do të jetë realisht puna e tij e parë e vërtetë. Këtu do jetë vërtetë Munch, i cili na zbulon pjesën më të errët të rinisë së vet, në një pikturë bazuar mbi kujtimet e Sofisë, motrës së tij të dashur, teksa cfilitej nga tuberkulozi. Munch iu shmang afrimeve natyralistike të Krogh dhe tendencave ekspresioniste në punën e vet. Vdekja, sëmundja, dhe angushtia mentale ishin temat që do të ishin prej atëherë e në vazhdim figurat dominuese në pikturat e veta. Megjithatë, “Fëmija i sëmurë” nuk ishte fillimisht e vlerësuar prej kritikëve, ajo do mbetet më vonë një nga punët e tij më të rëndësishme, përgjatë dhe me “Dita tjetër” dhe “Pubertiteti”, dy pikturat që i takojnë së njëjtës periudhë. Munch do kalonte kohë të mjaftueshme duke diskutuar probleme të ndryshme filozofike me liderin e bohemëve norvegjezë Kristiania Hans Jaeger, dhe do arrinte në atë pikë saqë të vendoste impresionizmin në shpirtin e vet, dhe jo sytë e veta, kur donte të realizonte kanavacën.

Më 1889, në moshën 26 vjeçare Edvard Munch realizoi ekspozitën e tij të parë retrospektive në Shoqatën e Studentëve Norvegjezë në Kristiania. Ekspozita do të konsiderohej vërtetë si një sukses, dhe s’kish dyshim kjo nga ata që e njihnin, pasi ai zgjodhi të prezantonte ndriçimin e vet, krijimet me më pak ankth, dhe mu për këtë arsye iu blatua një grant për udhëtime, i cili e lejoi të kthehej në Paris për tre vitet e ardhshme për të vazhduar studime të mëtejshme. I ati i Munch vdiq kurse u kthye në Paris të studionte këtë herë me Léon Bonnat, por Munch mori drejtime shumë më të avancuara artistike për interesat e veta në punët e post-impresionistëve. Ekspozitat e tij të cilat vazhduan më vonë, këtë herë u realizuan në Shoqatën e Artistëve në Berlin. Ekspozita ishte e suksesshme por në fund konsiderohet edhe si një disfatë, pasi kritikët e denoncuan veprën e tij si të një artisti anarkist dhe ia mbyllën fare ekspozitën. Megjithëkëtë, kjo e pati dhe një sukses, pasi që këtej e tutje Munch ishte një emër shumë i përfolur në Gjermani. Munch jetoi dhe punoi për shumë vjet në Berlin dhe Paris dhe ndërkohë punët e tij u përfshinë në shumë e shumë ekspozita.

Korpusi krijues

Edvard Munch padyshim që i përkiste një panteoni artistësh vizionar. Kuti i tij artistik përbënte esencën e njëmendtë anën e errët të shoqërisë së atëkohëshme. Kryerendëse ishte krejtkjo trajtesë artistike, krejtky kundrim jashtë rrjeshtit që mbrujti dhe u ndesh fyta-fytaz me kundërshti, mosdakordësi dhe mospranim. Gjakimi i tij jetësor, këndshkimi prejnga ai do të këqyrte botën dhe lejonte atë të pahej prej saj, e ndau me një murë të trashë dhe të lartë. E pagëzoi vetminë e tij të trishto në altarët e Hadit. Jeta sentimentale e rrugëtuar nëpër një terren të çapraztë nuk e largoi atë nga penelatat e errëta të panoramës së jëtësores. E vetvetishmja e tij nuk përshfaqi vetëm momentet e shpirtit të vet, por edhe të çdo lulimi dhembshurie e flatrimi të frumës. Krejtçka u bë filozofi e jetës, veprës dhe amshimit të tij.

KlithmaAi luftonte çdo moment me veten dhe kjo përpjekje titanike është bujaria e muzës së tij krijuese, e cila mbushi përPlot hambarin e galerisë artistikë me qindra piktura, gdhendje në materiale të ndryshme, si dru dhe litografi, ndërsa muraleve Oslos, ai do t’i japi  karakterin e vet unik, që shëmbëllen edhe sot. Jeta torturuese e Edvad Munch na dha sakaq ngjyra brilante, të cilat jehojnë zezonën e trishtimit dhe një pasqyrë ku mund të mbështetesh kundër përballjes së vuajtjes humane. Munch mbase nuk mund të jetë aq shumë i dukshëm sa janë artistët e tjerë evropianë si Salvador Dali apo Pablo Picasso, por kjo rrjedhoi më shumë prej faktit se ai ia dhuroi të gjithë koleksionin e vet qytetit të Oslos. Megjithëkëtë, ai mbetet një nga artistët më inovatorë që jetuan në fillim të shekullit të njëzetë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu