Edi Ramës iu anulua darka në Bruksel

0

Sali Berisha ka përsëritur nga Breshia deklaratat për një ndodhi të pakëndshme që sipas tij i ka ndodhur Edi Ramës në Bruksel, ku disa zyrtarë të Këshillit të Europës i kanë anuluar një darkë kryeministrit të Shqipërisë për shkak të sjelljes së tij të padenjë. Madje sipas Berishës, Rama ka kërcënuar zyrtarët që i kishin anuluar darkën.

“Kreut të narkoshtetit shqiptar, në Këshillin e Europës, ia kishin anuluar darkën zyrtare që do të shtrohej për nder të tij, sepse ishte sjellë në mënyrë të padenjë në tempullin e demokracisë. Darka ju anulua sepse ai foli aty si nipi i xhelatit Spiro Koleka. Se ai foli aty sikur të ishte i biri i Muhamer Gadafit. Se ai foli aty si narkodiktator,” – tha Berisha, duke shtuar se pas këtij anulimi, anëtarët e delegacioneve europiane që e kishin marrë këtë vendim ishin “kërcënuar me qindra mesazhe nga banditë”.

“I marrë, mendoi se do të trembte Europën me banditë të tij,” – shtoi ai.

Kreu i PD deklaroi se një javë më parë kishte qenë i ftuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ku, sipas tij, kishte “paraqitur narkodiktaturën e Edi Ramës”.

“Të hënën që kaloi u prita në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Europës, tempullin e madh të demokracisë evropiane, në dy ndëgjesa, në dy grupet kryesore parlamentare kushtuar Shqipërisë… Unë isha zëri i shqiptarëve,” – u shpreh Berisha.

Në vijim, ai akuzoi kryeministrin Rama për përdorimin e aparatit shtetëror dhe të krimit të organizuar në përgatitje të zgjedhjeve të 11 majit.

“Paraqita narkodiktaturën e Edi Ramës. Njoha miqtë tanë në Europë se narkodiktatori, për të marrë një mandat të katërt, arrestoi, burgosi liderët e tre partive kryesore opozitare. Për të marrë një mandat të katërt, licencoi mbjellje të reja të kanabisit. Për të marrë një mandat të katërt, ka aktivizuar bandat e krimit të organizuar në Shqipëri, në Dubai, në Aruba, kudo që janë,” – deklaroi ai.

Pavarësisht këtyre akuzave, Berisha i siguroi mbështetësit se opozita do të fitojë.

“Informova miqtë e mi europianë se përsëri ne do të fitojmë. Nuk ka dhunë politike, nuk ka bandit dhe banda, nuk ka krim të asnjëlloji që mund të mposhtë shqiptarët në diasporë, në Itali dhe në botë. Se ata me 11 maj firmosin fundin e Edi Ramës, fundin e narkodiktaturës,” – tha Berisha.

Fjalimi i Berishës, i mbajtur në praninë e Chris LaCivita-s, strategut amerikan të fushatës së Partisë Demokratike, i cili ishte pjesë e një turi me diasporën shqiptare në prag të zgjedhjeve vendore të 11 majit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu