Vyacheslav Gladkov, guvernatori i rajonit rus të Belgorodit përgjatë kufirit me Ukrainën, njoftoi ditën e djeshme se afër fshatit Kozinka, rezervuarët e karburantit u goditën nga një raketë dhe më pas morën zjarr. Fshati Kozinka në rrethin Grajvoronski u granatua. Si pasojë e goditjes së raketës, një tank me naftë është në flakë në zonën e fermës”, tha Gladkov. Ai shtoi se nga sulmi nuk ka pasur viktima. Në këtë zonë janë raportuar shumë sulme së fundmi. Një depo municioni shpërtheu pak kohë më parë. Guvernatori i një province tjetër ruse, Kursk, tha se një nënstacion u dëmtua nga granatimet, duke lënë dy fshatra pa energji elektrike.
Agjencia nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur këtë informacion. Kohë më parë janë raportuar nga Rusia se Ukraina ka sulmuar disa struktura të pabanuara. Nga ana tjetër presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dje bëri një vizitë në qytetin e sapoçliruar të Khersonit dhe e konsideroi tërheqjen ruse si “fillimin e fundit të luftës”. Ai gjithashtu pranoi çmimin e rëndë që ushtarët ukrainas po paguajnë në përpjekjet e tyre për të shtyrë forcën pushtuese. Rimarrja e Khersonit ishte një nga sukseset më të mëdha të Ukrainës në gati nëntë muaj që nga pushtimi.
Zelensky bëri një shëtitje, disa orë pasi paralajmëroi përmes një videoje për kurthe dhe mina të lëna pas nga rusët përpara tërheqjes së tyre, shkruan The Mirror. “Ky është fillimi i fundit të luftës,” tha Zelensky gjatë një fjalimi të mbajtur në qytet ndërsa shtoi: Po vijmë hap pas hapi në të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia. Pra situata e luftës po ndryshon dhe ndihma që Perëndimi po i jep Ukrainës me armë po jep efekte.