Dosjet e humbura të Sigurimit të Shtetit, lista e zhdukur e UDB: Kush ishte Petrit Ame, lidhja me Gazideden

0

Shkruan Bedri Islami

Materiali i paraqitur nga Autoriteti i Dosjeve, gjithnjë lidhur me figurën qytetare dhe politike të ish-Presidentit Ilir Meta, ka qenë tepër e natyrshme që të ngjallte reaksionin medial, që prej disa ditësh po ndodh në Shqipëri. Nëse është i vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një nga skandalet dhe ngjarjet më të rënda të pluralizmit në Shqipëri, që kthen përmbys çdo gjë, sado të pakët, që është besuar deri tani.

Problemi i dosjeve të Sigurimit të Shtetit shqiptar në periudhën komuniste është më i prekshmi, më reali dhe më i pazgjidhuri në jetën tonë politike. Me dosjet është manipuluar si dhe sa është dashur, janë tjetërsuar, janë djegur, janë ndryshuar, janë fshehur, janë depozituar pranë zyrës së Berishës, janë dërguar në shërbime të tjera jashtë Shqipërisë, sidomos pranë shërbimit sekret serb dhe kjo përmes njerëzve të këtij shërbimi në strukturat e larta të shtetit; me dosjet është luajtur me fatet njerëzore, janë kapërcyer dhe fshirë ngjarje të rëndësishme, janë fshehur denoncues, emra hetuesish që kanë përgjakur të burgosurit për të marrë dëshmi të rreme dhe Qemal Lame ka qenë njëri prej tyre; me dosjet është bërë politikë dhe tani, nëse e gjithë kjo do të saktësohet si e vërtetë, pra rasti Ilir Meta president i kapur, atëherë gjithçka që është thënë për pastërtinë e figurave politike, bie poshtë dhe duhet urgjentisht të rishikohet ligji.

Gjykimi se në kohën e shtetit monist një sekretar i Komitetit të Rinisë nuk mund të bashkëpunonte me Sigurimin për shkak të detyrës si i zgjedhur, është alibi e kotë. Ilir Meta mund të ketë qenë sekretar i Komitetit të Rinisë, fakt që deri tani pak vetë e kanë ditur dhe shumë të tjerë kanë menduar se ai shkoi në Lëvizjen e Dhjetorit nga shpirti i revoltuar, por kjo nuk e ka penguar të jetë edhe dëshmitar i rremë, edhe denoncues.

Kur u dënua me shumë vite burg një shqiptar i Kosovës, I.Z., në gjyqin e tij ishin dëshmitarë, por edhe e kishin denoncuar më parë tre vetë: sekretari i komitetit të rinisë së fakultetit dhe dy bashkëstudentë të tij, po ashtu nga Kosova, S.B., dhe M.H. Qenia si funksionar i rinisë nuk e ka përjashtuar rolin e bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, ashtu si nuk i ka përjashtuar edhe anëtarët e Partisë së Punës, por këto do të ishin vetëm me miratimin e Sekretariatit të Komitetit të Partisë.

Nuk e di se si ka rrjedhur jeta e Ilir Metës; ai tani është ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri, me rolin e tij të dyshimtë në drejtimin e zyrës presidenciale, që desh e ktheu në një poligon qitjeje kundër aleatëve strategjikë të shtetit shqiptar; në jetën e tij private dhe si njeri i politikës rëndojnë mëkate të shumta, dhe është krejt e mundur që tani ai do të mund të ishte një njeri i zakonshëm, nëse dosja e tij nuk do të ishte fshehur, gjithnjë nëse është e vërtetë ajo ç’ka ngul këmbë Autoriteti i Dosjeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu