Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit më 8 mars do të mbahet seanca e për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu sa i përket çështjes së dosjes së “Gërdecit”.
Në seancën e 8 marsit do të jetë gjyqtarja Irena Gjoka që do të vendosë nëse do të kalojë çështjen për gjykim.
Kujtojmë që pak ditë më parë gjyqtari Erjon Çela ka dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i dosjes së Gërdecit, e cila është rihapur nga SPAK dhe i pandehur është marrë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Arsyeja e dorëheqjes është bërë fakti se Erjon Çela ka dhënë njëherë mendim për rastin. Sipas tij, Fatmir Mediu nuk mund të gjykohet pasi afati për veprat penale për të cilat ai akuzohet është parashkruar.
Mirëpo, SPAK nuk e ka pranuar këtë arsyetim dhe Prokuroria ka ankimuar, duke plotësuar dosjen me prova të reja. Fatmir Mediu akuzohet për dy vepra penale të “Shpërdorimit të detyrës”, një e parashikuar nga Kodi Penal dhe një nga Kodi Ushtarak.
Kujtojmë që shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars (e shtunë) 2008, rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, dha dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë. Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.”






