Dosja e AKSHI-t, Jorida Tabaku: Shqiptarët janë drejtuar nga Ergys Agasi, një “zëvendës kryeministër në hije”! Shteti është lënë “peng” në tryezën e bixhozit politik

0

Ajo thotë se të dhënat e dala tregojnë se në të vërtetë shqiptarët janë drejtuar nga Ergys Agasi, duke iu referuar si një “zëvendës kryeministër në hije”, i cili është në kërkim nga SPAK për një sërë akuzash lidhur me këtë dosje.
“Ndërkohë që qeveria bënte shfaqje, miliona euro tendera publikë, emërime kyçe, por edhe politika strategjike si ajo e “Pasaportave të Arta”, e kishin origjinën dhe vulën pikërisht në zyrën e këtij zv.kryeministri në hije, tek “EA Tobacco”, shkruan Tabaku, duke shtuar se aty vendoseshin fituesit e tenderave të AKSHI-t.
Ajo thotë se qeveria është produkt i një grupi të strukturuar kriminal dhe “është një shtet i marrë peng dhe i lënë peng në tryezën e bixhozit politik.”
“Tani, pyetja është: A ka ende kjo qeveri legjitimitet moral për të qeverisur? Kur dy “zv.kryeministra” – njëra zyrtare me zyrë në Kryeministri dhe tjetri në hije me zyrë të lidhur direkt me godinën e pushtetit – janë sot të pandehur dhe të akuzuar nga SPAK, kjo qeveri ka rënë. Ajo mbahet në këmbë vetëm nga inercia e krimit.”, shton ajo.

Reagimi i plotë i Jorida Tabakut:

SHTETI “EA TOBACCO”

ajo që shumica e shqiptarëve ka lexuar këto ditë nga dosja e GJKKO-së, është dëshmia tronditëse jo e një shteti të kapur, por e një shteti tërësisht të inkriminuar.

Kjo dosje vërteton atë që dyshohej: Shqiptarët realisht janë drejtuar nga një “Zëvendëskryeministër në hije”, i cili aktualisht është në kërkim. Ndërkohë që qeveria bënte shfaqje, miliona euro tendera publikë, emërime kyçe, por edhe politika strategjike si ajo e “Pasaportave të Arta”, e kishin origjinën dhe vulën pikërisht në zyrën e këtij zv.kryeministri në hije, tek “EA Tobacco”.

Pikërisht aty:

Përcaktoheshin fituesit e tenderave të AKSHI-t;

Vendosej fati i politikave shtetërore;

Kryheshin takimet “brainstorming” të Agasit me vasalët e tij shtetërorë.

Rrezik, e me shumë gjasë, edhe projekte të tjera madhore për të cilat mban përgjegjësi maxhoranca, kanë dalë nga këto zyra të errëta dhe jo nga mbledhjet e qeverisë.

Dhe të mendosh, kjo dosje flet vetëm për 2 vite të operimit të Agasit. Nëse do të përdornim pak imagjinatën, bazuar në faktet që kemi lexuar, a mund ta merrni me mend se çfarë ka ndodhur në dekadën e fundit?

E vërteta është e dhimbshme: Qeveria sot është produkt i një grupi të strukturuar kriminal. Kemi të bëjmë me njerëz që jo vetëm rrëmbejnë me logjistikë policie, por kanë pushtetin absolut të shantazhojnë, inkriminojnë dhe prodhojnë politika, duke trajtuar çdo institucion shtetëror si vartësin e tyre të radhës.

Ky shtet i gjunjëzuar nuk është më thjesht i “kapur”. Është një shtet i marrë peng dhe i lënë peng në tryezën e bixhozit politik. Këto janë kusuret e një shumice që nuk është produkt i votës dhe ndershmërisë, por i zyrave të hijes që vendosin fatin e shqiptarëve që varfërohen përditë.

Tenderat e AKSHI-t diheshin prej kohësh që ishin të centralizuar dhe pa kontroll, të paracaktuar për një pakicë. Por sot kemi provën.

Tani, pyetja është: A ka ende kjo qeveri legjitimitet moral për të qeverisur? Kur dy “zv.kryeministra” – njëra zyrtare me zyrë në Kryeministri dhe tjetri në hije me zyrë të lidhur direkt me godinën e pushtetit – janë sot të pandehur dhe të akuzuar nga SPAK, kjo qeveri ka rënë. Ajo mbahet në këmbë vetëm nga inercia e krimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu