Familja Hysa vijon sot të kërkojë nëpër gjykata, prokurori, në Ministrinë e Drejtësisë dhe ambasada pronat e trashëguara dhe të njohura nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, pasi në pronën e tyre ka ngritur bizneset private një gazetar i kthyer në oligark, i cili erdhi nga Lezha në Tiranë si fans i Tefta Radit….
Shkruan Adriatik Doci
Komisioni i kthimit të pronave pothuajse u ka njohur në të njëjtën kohë, gati tre dekada më parë, familjet Begeja dhe Hysa, si pronare të pronave të trashëguara dhe të konfiskuara nga regjimi komunist.
Madje, për familjen Hysa ka një vendim të Gjykatës së Lartë, nr. 1614, datë 03.12.1997, i cili i njeh trashëgimtarët e familjes Hysa pronarë të 165 mijë m2 tokë në ish Kinostudio. Vendimi korrigjon një vendim të komisionit të kthimit të pronave të datës 5 maj 1995, i cili e njihte familjen Hysa pronare të 159 mijë m2 tokë në Kinostudio.
Të dyja familjet nisën në të njëjtën kohë një betejë për të regjistruar pronat që u ishin njohur, të cilat ishin shtetëzuar nga regjimi komunist.
Çfarë ndodh?
Nga vitit 2005 deri në vitin 2013, Sali Berisha angazhon pushtetin e tij, duke penguar familjen Hysa që të gëzojë pronën e trashëguar.
Në të njëjtën kohë, Sali Berisha vendos në dispozicion të gjithë pushtetin e tij për kaluar në duart e familjes Begeja pronën ish Klubi Partizani, meqenëse përfitues kryesor do të ishte dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
I vetmi zyrtar që bëri rezistencë, duke refuzuar shkeljen e procedurave, gjeneral Vladimir Qirjazi, Berisha i lëshoi anti-korrupsionin me në krye Oerd Bylykbashin, duke e shantazhuar dhe kërcënuar me hetime dhe burgosje, ndërsa si përfundim e shkarkoi përmes Arben Imamit dhe Bamir Topit, duke e zëvëndësuar me Xhemal Gjunkshin, i cili firmosi menjëherë letrat që refuzonte Qirjazi.
Kështu, në vitin 2009, dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, nga trashëgimtar i pretenduar i 113 m2, arriti të bëhej aksioner deri në 60 % i 19 kullave, duke përdorur pushtetin e vjehrrit kryeministër, i cili angazhoi qeverinë dhe të gjitha degët e saj për pasurimin e dhëndrit. Pastrimi i parave është një tjetër histori, pasi profesor Abi ngriti kullat duke pasur vetëm 39 mijë euro para të ligjshme.
Familja Hysa në luftë me pushtetin e Berishës për pronat
Teksa dhëndri i Berishës përlau më shumë prona nga sa i takonte si trashëgimtar i dyshimtë (ka dyshime se familja Begeja është shpronësuar në 1939, por babai i dhëndrit ka zhdukur dokumentet kur drejtonte Arkivin e Shtetit) dhe nisi ngritjen e kullave, familja Hysa luftonte me Sali Berishën dhe pushtetin e tij për të regjistruar dhe gëzuar pronat në ish Kinostudio.
Sot publikohen për herë të parë dokumente që tregojnë se si Sali Berisha, ka angazhuar qeverinë e tij, përfshirë ish ministrat Genc Ruli, Ridvan Bode, Aldo Bumçi etj., duke penguar trashëgimtarët e familjes Hysa të regjistrojnë dhe marrin në dorëzim pronën që u ka njohur Gjykata e Lartë që në 1997.
Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Kulturës u kanë dhënë me qira disa subjekteve private sipërfaqe toke nga prona e familjes Hysa, në funksion të aktivitetit privat, ndërsa një pjesë e sipërfaqes është zënë nga shoqëria aksionere Alba Film sha, në pronësi të Ministrisë së Kulturës.
Mes subjekteve private dominojnë tre kompani të kontrolluara nga Aleksandër Frangaj, klient mediatik i pushtetit të Sali Berishës 2005-2013.
Këto kartela pasurie tregojnë se si qeveria Berisha, në vitin 2012, i ka dhënë me qira mijëra m2 tokë nga prona e familjes Hysa, kompanive Media 66 (nipt K51929001N), TNSH shpk (nipt K72407011O) dhe Tv Klan (nipt J71413001L), të cilat kanë zhvilluar biznese private si panele diellore, lokale, televizion, radio, restorante etj.
Kompania Media 66 rezulton në pronësi të Aleksandër Frangajt, i cili ka rreth 10 % të aksioneve si dhe në pronësi të subjektit TV Klan, që ka 90 % të aksioneve.
Kompania TNSH rezulton më parë në pronësi të zonjës Alba Gina, bashkëshortja e Aleksandër Frangajt. TNT është përthithur më pas nga Tv Klan.
Kompania Tv Klan, që kontrollon Media 66 dhe TNT, është në pronësi të Aleksandër Frangaj, i cili ka 60% të aksioneve dhe të bashkëshortes së Sandrit, Alba Gina, me 40% të aksioneve.
(Kjo e fundit dyshohet posedon një pasuri me vlerë dhjetëra miliona euro, përfshirë edhe një kullë te Liqeni dhe restorant Padam pranë Rrugës së Salës, në emrin e të vëllait).
Pasi Sali Berisha i ka mundësuar Sandër Frangajt të mbajë dhe shfrytëzojë pronën e familjes Hysa (njohur me vendim gjykate të formës së prerë), Sandër Frangaj ka nisur privatizimin e disa sipërfaqeve, në funksion të interesave të tij private, pra zhvillimit të biznesit.
Procesi i privatizimit, në funksion të planeve për të ndërtuar një qendër tregtare dhe disa kulla, është një histori më vete dhe një nga sfidat më serioze për SPAK-un.
Përpos 12 milionë euro reklama klienteliste, janë miratuar akte dhe vendime të dyshuara si korruptive në funksion të këtij operacioni zaptues.
Janë implikuar një zinxhir funksionarësh dhe ish funksionarësh publikë për të finalizuar pazarin e dyshuar mes Sali Berishës dhe freskuses së tij mediatike Aleksandër Frangajt, sot klient i pushtetit aktual, në këmbim të përfitimeve ku përfshihen prona publike, leje për kulla në Tiranë dhe resorte në bregdet, leje për vila tek TEG, qindra milionë euro tendera dhe koncensione, kamufluar me një kartel kompanish, ku spikat Gjikuria.
Në pah del edhe prokurorja e Tiranës, Suela Salavaçi, e cila ka firmosur të paktën dy herë mbylljen e një dosje penale për zaptimin e pronës së familjes Hysa në ish Kinostudio. Në të dy rastet vendimarrja e saj është rrëzuar nga gjykatat.
Nga vitit 1995 deri në vitin 2023, është zhvilluar një xhungël gjyqesh, përfshirë padi, kundërpadi, memo, ankesa, denoncime, marifete procedurale dhe manovra.
Në këtë cirk korrupsioni del në pah edhe mbesa 18 vjeçe e Sandrit, e cila merr një licencë në 2006 për televizion mbi pronën e familjes Hysa. Licencën e shet pas 1 muaji 700 mijë euro.
Si përfundim, familja Hysa vijon sot të kërkojë nëpër gjykata, prokurori, në Ministrinë e Drejtësisë dhe ambasada pronat e trashëguara dhe të njohura nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, pasi në pronën e tyre ka ngritur bizneset private një gazetar i kthyer në oligark, i cili erdhi nga Lezha në Tiranë si fans i Tefta Radit.
Duket e pabesueshme, por ekziston edhe një padi e Avokaturës së Shtetit kundër familjes Hysa, në funksion të zaptuesve privatë të pronës së njohur nga Gjykata e Lartë.
Se cilat janë arsyet që e kanë shtyrë Sali Berishën t’i grabisë pronën familjes Hysa, për llogari të Sandër Frangajt, mjafton të shikoni kronikat e Klanin nga viti 2005 deri në vitin 2013, sidomos gjatë dhe pas 21 janarit 2011.