Dokumentet e Sigurimit për survejimin e 237 izraelitëve që ndodheshin në Shqipëri

0

Shkruan Ilir Vata

“Përndjekja, survejimi, detyrimi për bashkëpunim i izraelitëve në Shqipëri ishte karakteristikë e regjimit komunist. Metodat që ndiqte Sigurimi i Shtetit ishin si për të tjerë të huaj apo vetë shqiptarët. Duke hedhur dritë mbi të shkuarën, ne mund të ndërtojmë të ardhmen…”..!!!
Shqipëria është një nga vendet e pakta të pushtuara nga nazizmi që priti dhe strehoi hebrenj të përndjekur nga gjenocidi nazist. Por ende pa u shuar era e luftës, mes tymit dhe flakëve, në Shqipëri lindi një tjetër regjim despotik. Nga rreth 2000 izraelitë që u strehuan në Shqipëri, pjesa më e madhe u larguan drejt shteteve të tjera ose u kthyen në vendet e tyre pas luftës, por sipas statistikave zyrtare, në vendin tonë mbetën deri në vitet 1960 gjithsej 237 izraelitë.
Sipas dokumenteve të gjetura në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, rezulton se izraelitët që qëndruan në Shqipëri, ikën nga ferri dhe ranë sërish në ferr. Regjimi komunist nisi zhveshjen e qytetarëve dhe të huajve nga çdo e drejtë: të drejtat politike, liria e fjalës, e drejta e pronës. Filloi shtetëzimi i realizuar me forca shtrënguese përmes policisë politike, Sigurimit të Shtetit, pre e së cilës ranë edhe hebrenjtë që mbetën në Shqipëri.
Dritë mbi këtë të vërtetë të hidhur hedh dosja e gjetur në arkivin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në kuadër të ballafaqimit me të shkuarën, AIDSSH ka vënë në dispozicion të studiuesve dosjen e fshehtë të Sigurimit të Shtetit për 237 izraelitët që mbetën në Shqipëri dhe përjetuan regjimin diktatorial, njësoj si shqiptarët. Persekutimi, përndjekja, survejimi, detyrimi për bashkëpunim dhe përgjimi i izraelitëve në Shqipëri ishte fokus i veçantë i regjimit të kohës dhe realizohej përmes Sigurimit të Shtetit.
Metodat që ndiqte Sigurimi i Shtetit ishin praktika të zakonshme, të aplikuara edhe ndaj të huajve të tjerë në Shqipëri apo vetë shqiptarëve, me qëllim zbulimin e “armiqve të pushtetit” dhe dyshimin për bashkëpunim me agjentë të huaj. Dosja e deklasifikuar, që gjendet në arkivin e Autoritetit të Dosjeve, nuk përmban të dhëna për ekzekutime të hebrenjve; vetëm një rast shënohet kur një izraelite është burgosur, por të dhënat janë të pamjaftueshme për identitetin apo vendin ku vuajti dënimin. Nuk dihet nëse jetoi apo vdiq në burg.
Dosja e hartuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, me numër 270/2, titullohet: “Relacion mbi izraelitët (çifutët) që ndodhen me banim në vendin tonë”. Në të shënohet afati i ruajtjes si i përkohshëm dhe mban datën 19.08.1960. Dosja e parë përmban 6 fletë dhe përfundon më 19.08.1960, me numër rendor 79.
Në vitin 1954 rezulton se në Shqipëri banonin 237 izraelitë.
Regjimi komunist ishte kujdesur t’i shpërndante izraelitët në disa rrethe të vendit, kryesisht aty ku Sigurimi i Shtetit kishte kontroll më të rreptë. Po ashtu kishte përpunuar të gjitha të dhënat mbi ardhjen e tyre në Shqipëri, vendin e origjinës dhe identitetet. Në relacionin e firmosur nga Sigurimi i Shtetit thuhet se, sipas evidencave të vitit 1954, në vendin tonë banonin 237 izraelitë, të përqendruar në rrethet: Vlorë 140, Tiranë 83, Sarandë 5, Gjirokastër 4, Shkodër 4, Peshkopi 1. Nga ky numër, 68 persona kishin ardhur nga vende të tjera: Greqia 59, Jugosllavia 3, Çekosllovakia 3, Austria 2, Rumania 1.
Në dosje rezulton se disa izraelitë kishin nënshtetësi greke (47 persona), jugosllave (5 persona), ndërsa të tjerët kishin marrë shtetësinë shqiptare. Sipas informacionit, ata ishin marrë kryesisht me tregti dhe pas çlirimit kishin paguar tatim-fitimin, ndërsa pasuritë e tyre ishin shtetëzuar, përfshirë edhe pasuritë e luajtshme.
Një tjetër vëmendje e Sigurimit ishte profesioni i tyre, mendimi politik, lidhjet brenda dhe jashtë vendit, bisedat mes tyre dhe aktiviteti i përditshëm. Në dosje thuhet se në vitet 1954–1955, 37 persona punonin në sektorë shtetërorë, të tjerët si zanatçinj; 5 ishin në kurse, ndërsa për pjesën tjetër nuk dihet aktiviteti. Sipas dokumenteve, nga viti 1950 deri në atë periudhë nuk rezulton të ketë pasur të arrestuar nga ky kontingjent, ndërsa 6 persona ishin përfshirë në kategoritë 2/B dhe 2 B.P.
Martesat kryesisht bëheshin brenda komunitetit, ndërsa me shqiptarë kishte shumë pak raste. Gjatë okupacionit gjerman ky kontingjent ishte ndjekur këmba-këmbës me qëllim shfarosjen, ndaj izraelitët kishin lëvizur nëpër shtete të Ballkanit, si Greqia dhe Jugosllavia.
Në dosje pasqyrohet edhe qëndrimi i tyre politik. Thuhet se në vjeshtën e vitit 1950, nën kryesinë e Isak Kohanit në Vlorë dhe Zhak Vitulit në Tiranë, kishin kërkuar të njiheshin si sekt fetar më vete dhe më pas kishin kërkuar formalitete për riatdhesim, duke dërguar 127 formularë në Legatën e Izraelit në Jugosllavi.
Shqetësim për Sigurimin e Shtetit ishte edhe lidhja e izraelitëve me Amerikën, veçanërisht me Komitetin e Përbashkët Amerikan për Çështjet e Shpërndarjes (Joint), seksioni Janinë me qendër në Paris. Në vitin 1952 ata kishin rënë në kontakt me Legatën e Izraelit në Moskë dhe i kishin shkruar Ministrit të Punëve të Jashtme të Izraelit për riatdhesim, duke dërguar kopje edhe miqve jashtë shtetit.
Në dosje përmendet gjithashtu kontakti me shoqërinë amerikane “Joint”, nga e cila kishin marrë materiale fetare dhe ndihmë ushqimore, si dhe kishin kërkuar ndihmë për riatdhesim për shkak të gjendjes së keqe ekonomike.
Një tjetër shqetësim ishte kontakti i disa izraelitëve me një oficer dhe marinarë bullgarë që udhëtonin me vaporin Bullgari–Izrael. Këta kishin vizituar familje izraelite në Vlorë, ndërsa izraelitët u kishin dhënë letra rekomandimi për të afërmit e tyre në Izrael dhe Palestinë.
Në dosje përmendet edhe një “spiune amerikane” e arrestuar në vitin 1950, pa të dhëna të tjera mbi identitetin apo fatin e saj. Thuhet se në vitin 1948 disa izraelitë në Vlorë kishin zhvilluar një mbledhje “antipushtet”, të drejtuar nga agjentë perëndimorë.
Gjithashtu përmenden mbledhje të izraelitëve në Tiranë, përfshirë takime në familjen “X”, si dhe parulla dhe komente mbi gjendjen ekonomike të vendit. Sipas një informacioni të Drejtorisë së Zbulimit të datës 23.03.1953, Organizata Sioniste në Austri kishte organizuar përgatitjen e pasaportave false për riatdhesimin e çifutëve nga vendet e Demokracisë Popullore në Izrael.
Në dosje përshkruhet edhe vizita e të ngarkuarit me punë të Izraelit në Bullgari në korrik 1955, i cili kërkoi të vizitonte varrin e një revolucionari izraelit, të bisedonte për shkëmbime tregtare dhe të interesohej për riatdhesimin e izraelitëve. Vizita u shoqërua me takime, udhëtime dhe kontakte të shumta, të gjitha të monitoruara nga Sigurimi i Shtetit.
Në fund të dosjes theksohet se pas vitit 1955 nuk ishte punuar më me këtë kontingjent dhe se mungonin evidenca të sakta mbi numrin, shpërndarjen dhe aktivitetin e tyre. Për këtë arsye propozohej evidentimi dhe hetimi i tyre, me argumentin se lëvizjet e shpeshta ndërkombëtare mund t’i bënin objekt rekrutimi nga zbulimet kapitaliste.
Dosja përmbyllet me lista emrash, raporte të mëvonshme të viteve 1960–1970, sugjerime për kontroll, arrestime sporadike dhe vendimin për arkivimin e fashikujve për vlera studimore.
Metodat e Sigurimit të Shtetit fillimisht ishin ofruese për rekrutimin e bashkëpunëtorëve, më pas përndjekëse, kërcënuese dhe ndëshkuese, duke përfshirë izolimin, rrahjet dhe torturat, pre e të cilave ranë edhe izraelitët e fundit që i mbijetuan nazizmit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu