Këtë të martë në emisionin “Opinion” në Tv Klan u diskutua rreth sondazheve që kanë publikuar për 14 Majin disa prej televizioneve në vend. Kreu i listës për Këshillin Bashkiak në Tiranë, Ilir Alimehmeti u shpreh se “populli i lirë po flet qartë në favor” të Këlliçit dhe kandidatëve të tjerë të koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Alimehmeti tha se opozita ka analizën e rrjetit që sipas tij tregojnë realisht se çfarë duan njerëzit. Për sondazhet e publikuara, Alimehmeti u shpreh se janë të porositura dhe të paguara.
Ilir Alimehmeti: Ne jemi në terren dhe rrjeti është momenti kur njerëzit janë më të lirë për t’u shprehur. Ua garantoj unë që shumë njerëz, po t’i marrësh në telefon, po t’i shkosh tek shtëpia, apo po t’i ndalosh në rrugë për t’i pyetur për kë do votonin, në Shqipëri ka një ngurrim shumë të madh për t’ju përgjigjur. Ajo që nuk ju thonë ato (sondazhet) është që vetëm një person ndër shtatë përgjigjet. Gjashtë persona ndër shtatë nuk përgjigjen. Ngurrojnë sepse janë të intimiduar.
Në një televizion tjetër, jo këtu tek ju u nxorrën sondazhe të ngjashme për Bashkinë e Elbasanit, ku të dhënat ishin nga qendrat e Erzenit që i takojnë Tiranës dhe u nxorrën si të Elbasanit. Për t’ju thënë se sa të sakta janë këto sondazhe. Këto janë sondazhe të porositura, sondazhe të paguara për shkak se ka një frikë dhe kjo tenton që të lëvizë mendimin e votuesit, ta kondicionojë atë, ndërkohë që ne e kemi shumë të qartë që populli i lirisë po flet shumë qartë. Populli i lirë po flet qartë në favor të zotit Belind Këlliçi në Tiranë dhe në favor të kandidatëve të tjerë në rrethet e tjera.






