Djaloshi i talentuar i Kelmendit/ Ndahet nga jeta inxhinieri dhe piktori Zef Naçaj

0

Shkruan Ndue Lazri
Gazetar, Itali

Ishte buzëmbrëmje dhe sapo kishim arritur në Qafë të Përdëlecit, një nga pikat më të bukura të Kelmendit. Shkoja me shërbim si gazetar për të shkruar një reportazh për Vermoshin e bukur. Ishte mesi i viteve ’80, plot dyzet vjet më parë. Ndër njerëzit me të cilët u prezantuam aty, ishte edhe një djalosh i ri, energjik. Sapo më tha emrin e tij, Zef Naçaj, u kujtova që e kisha dëgjuar emrin e tij si piktor. Njihja më parë piktorin tek ai, se sa profesionin e vërtetë të tij, atë të inxhinierit të pyjeve.


Që nga ajo mbrëmje u bëmë shokë të ngushtë dhe krijuam shpejt një miqësi të afërt familjare. Zef Naçaj, djaloshi i talentuar i Kelmendit, kishte lindur në Vermosh në vitin 1953, në një familje shumë të mirë, me tradita atdhetare. Pasi kishte mbaruar shkollën e mesme pyjore në qytetin e Shkodrës, vazhdoi studimet e larta për inxhinieri pyjesh në Tiranë dhe në vitin 1977 u kthye inxhinier në qytetin e bukur të humorit e të kulturës.

E donte shumë profesionin e tij. Ishte një specialist shumë i mirë, i përkushtuar dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte në terren, atje ku nevoja ishte më e madhe jo vetëm për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pyjeve, por edhe për shtimin e tyre. Shkodra kishte një pasuri të madhe pyjore, jo vetëm në zonën e Kelmendit, ku ato janë një pasuri jo vetëm ekonomike, por edhe artistike, që natyra i ka dhuruar njeriut, por edhe në zona të tjera si Dukagjini, gjithë Malësia e Madhe, Shllaku, apo edhe zonat më afër qytetit të Shkodrës.


Qëlloi që edhe shtëpitë i kishim afër dhe shpesh herë, të shtunave, kur ai nuk ishte në terren, mblidheshim për të kaluar një darkë apo një mbrëmje të gëzuar herë në shtëpinë e tij, herë në shtëpinë tonë. Me bashkëshorten e tij, Marianën, një zonjë e vërtetë, edhe ajo nga një familje shumë e mirë, po rrisnin e edukonin tri vajza të bukura si flutura. Në bisedat tona, në më të shumtën e rasteve, flitej për letërsinë, librat (ai ishte edhe një lexues i pasionuar), si dhe për pikturën, që ishte dashuria e tij e dytë. Edhe sot ruaj disa piktura të tij, që m’i pat bërë dhuratë që në ato vite. Piktura e tij i afrohej impresionizmit dhe postmodernizmit. Gjatë udhëtimeve të tij nëpër pyje ai i vështronte pemët me dashurinë dhe syrin e artistit, fotografonte fenomenin e simbiozës tek pemët dhe në pejsazhet e tij moderne shpesh pemët merrnin trajta njerëzore, ashtu si në simbiozat-krijime fantastike të natyrës. Në pejsazhet e tij, si ato me kalem apo grafika bardhezi, ashtu edhe në tabllotë me ngjyra, Vermoshi dhe e gjithë zona e Kelmendit, na vijnë me gjithë bukurinë dhe sfumaturat që natyra e Vermoshit, Lëpushës, Selcës, Tamares e të tjera dhurojnë me bujari në të gjitha stinët e vitit, sidomos në vjeshtën e ngjyrave të përflakura. Kurse në portrete ai paraqet shpesh karakterin e burrave e grave malësore, me ato tiparet e tyre si të gdhendura në shkëmb, si dhe bukurinë e kostumeve kombëtare, të cilat ai i çmomte shumë, i vishte edhe vetë, i studionte dhe i pikturonte deri në imtësitë e tyre.


Punimet e Zefit filluan të ekspozohen edhe në ekspozitat e ndryshme të arteve figurative, si në Shkodër, ashtu edhe në Tiranë. Në Shkodër e shikoja shpesh në shoqërinë e piktorëve të talentuar si Ismail Lulani, Danish Juknej, Pjerin Sheldija, Angjelin Dodmasej, çifti Kadillari e të tjerë. Ata jepnin gjithnjë vlerësime të veçanta për pikturat e Zefit. Më ka qëlluar edhe të botoj në gazetën lokale “Jeta e re”, skica, portrete dhe pejsazhe të tij.


Në vitin 1979 Zefi u emërua drejtor i Ndërmarrjes Pyjore në Shkodër. E mori këtë detyrë në një periudhë tepër të vështirë, çka u bë më e rëndë pas vitit 1990, në atë periudhë tranzicioni, ku çmenduria e papërgjegjësia e shumë njerëzve u hodh kundër pyjeve, duke i çuar ato drejt shfarosjes. Kolektivi i ndërmarrjes pyjore, nën drejtimin e Zefit, në ato vite dëshmoi kompaktësi, ndjenjë të lartë përgjegjësie, dashuri për atë pronë të çmuar të popullit, aq të domosdoshme për ekonominë e për ekosistemin. Zefi nuk sillej si drejtor, por si një koleg i barabartë me specialistët e tjerë e punonjësit e ndërmarrjes, ruante respektin dhe dashurinë e të gjithëve. Edhe kur më vonë do të punonte në DSHP të Malësisë së Madhe apo me Projektin Shqiptar të pyjeve, ai do të tregonte profesionalitetin e tij të lartë.


Në fillim të viteve të demokracisë në Shkodër filloi botimin gazeta “Humor Shkodran”, e botuesit Zef Gjeta, ku unë isha në detyrën e kryeredaktorit. Po përgatisnim numurin e parë të saj. Duhej punuar koka e gazetës. Për këtë iu drejtova Zefit. Dhe ai e punoi atë me shumë dashuri, duke ruajtur në karakterin e germave jo vetëm natyrën e humorit të spikatur të atij qyteti, por edhe traditën e tij në fushën e historisë e të artit. Që në numurin e parë, ajo do të tërhiqte syrin dhe veëmendjen e lexuesve e do të bëhej e dashur për ta.
Në fillimin e viteve 2000, si shumë e shumë shqiptarë të tjerë, Zefi, me gjithë familjen e tij, mori rrugën e mërgimit dhe u sistemua në Amerikë. Si për të gjithë, edhe për ata fillimi dhe ambientimi në jetën amerikane, nuk qenë aspak të lehta. Por Zefi nuk ishte nga ata që dorëzohej lehtë. Ai kishte në duar armën e fortë të talentit të tij dhe të vendosmërisë e zellit për të studiuar, për t’u përshtatur në jetën amerikane dhe për të ndërtuar një jetë konforte, për të jetuar si intelektual e për t’u dhënë mundësinë e shkollimit dhe të krijimit të familjes tri vajzave të tyre, që tashmë ishin rritur. Ai studioi me këmbëngulje e mbrojti gjuhën angleze, si një kusht i rëndësishëm për t’u integruar në jetën e përtejoqeanit, arriti të japë provimet e nevojshme për konvertimin e diplomës së inxhinierit të pyjeve në Bachelor degree, si dhe vazhdoi studimet për t’u bërë një specialist i dekorimeve të brendshme, sipas kërkesave bashkëkohore. Në këtë specialitet të ri, ai punoi gjatë gjithë viteve të fundit, si dizenjator në aplikime të ndryshme në ambientet e brendshme dhe të jashtme të shtëpive. Mjafton të shikosh ambientet e shtëpisë së tij, apo edhe plot banesa e ambiente të tjera për të kuptuar se me çfarë shijeje estetike, finese e modernizmi ka arritur të realizojë mjedise me mozaikë, ku spikasin motivet floreale, ato nga fauna, si dhe motivet kombëtare. Ai ka punuar edhe si arkitekt, duke bërë projektet e shumë vilave e shtëpive të ndryshme të banimit jo vetëm në vendlindjen e tij, në Vermosh, por edhe në Shkodër e në rrethinat e saj. Gjithnjë duke kombinuar shijet e tij moderne me harmoninë dhe traditat e ambientit ku ndërtoheshin ato shtëpi.


Edhe pse Zefi iku përtej oqeanit kur unë kisha disa vite në Itali, miqësia jonë u ruajt e fortë dhe e pastër, me ato ndjenja të përhershme malli për t’u takuar si dikur. Aty nga viti 2017 Zefi më shkruante se dëshironte të botonte një libër për jetën dhe historinë e Kelmendit, por në qendër të të cilit do të ishte figura e një njeriu që vuajti ferrin e kampeve të përqëndrimit në Shqipërinë komuniste, derisa u arratis për në Amerikë. Ai ishte Nikollë Marnaçaj. Zefi ma dërgoi dorëshkrimin e tij dhe unë bëra detyrën e redaktorit. Doli një libër i shkruar me shumë dashuri, me talent e me kulturë, i titulluar “Forca e Kelmendit”. Libri pati një jehonë shumë të mirë jo vetëm në komunitetin shqiptar në Amerikë, por edhe në Shkodër e në Malësisnë e Madhe.
Sot mora lajmin e hidhur, se pas një sëmundjeje të gjatë e të rëndë, inxhinieri dhe piktori i talentuar i Kelmendit, Zef Naçaj, është ndarë para kohe nga jeta. Ai ikën në botën e pafund të ngjyrave të amëshimit, por le pas vetes një emër shumë të mirë dhe një trashëgimi artistike, që e bëjnë të paharruar jo vetëm për familjarët e rrethin e tij, por edhe për të gjithë bashkëatdhetarët dhe ardashësit që admirojnë artin e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu