Dekriminalizimi i Irena Gjokës, Prokuroria: Ende në verifikim, Gjyqtarja s’deklaroi dëbimin nga Greqia dhe shkarkimin nga detyra

0

Prokuroria e Përgjithshme zvarrit prej më shume se 1 viti hetimin për Dekriminalizmin e gjyqtares Irena Gjoka, Maneku , Spata. Pavarësisht se ne media dolën të dhëna se gjyqtarja me 3 mbiemra ka fshehur dëbimin e saj nga Greqia dhe shkarkimin nga presidenti në vitin 1996, prokuroria prej 1 viti nuk ka dalë në një konkluzion. Vonesa e tejzgjatur në procedurën verifikuese për gjyqtaren e posaçme pranohet nga vetë Prokuroria e Përgjithshme
Kur ka kaluar më shumë se një vit nga nisja e verifikimit, Prokuroria e Përgjithshme ende nuk ka dalë me një përfundim për “Dekriminalizimin” e gjyqtares së posaçme, Irena Gjoka, Maneku, Spata. Në Mars të vitit të kaluar, në media u publikuan të dhëna se gjyqtarja ishte shkarkuar nga detyra në vitin 1996 dhe se ishte përzënë nga Greqia për falsifikim dokumentesh. Këto të dhëna nuk ishin dorëzuar në formularin e Dekriminalizimit. Pas presionit mediatik, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme në Prill të vitit të kaluar që të niste një hetim të thelluar mbi të dhënat e vetëdeklaruara dhe ato të munguara në formularin e Irena Gjokës.

Por, kur kanë kaluar plot 12 muaj, Prokuroria e Përgjithshme ende nuk ka dalë në një konkluzion, pavarësisht se media publikoi të dhëna zyrtare, përfshirë dekretin e Presidentit të vitit 1996 për shkarkimin e saj nga detyra, si edhe vendimin e Gjykatës së Janinës, ku konfirmohej se Irena Gjoka, Spata, ishte deportuar nga Greqia. Vonesa e tejzgjatur në procedurën verifikuese për gjyqtaren e posaçme pranohet nga vetë Prokuroria e Përgjithshme. Në raportin vjetor për vitin 2024 mbi “Gjendjen e Kriminalitetit” të Kryeprokurorit Olsian Çela, të dorëzuar së fundmi në Parlament, thuhet se “në vitin 2025 vazhdojnë të jenë në proces verifikimi gjithsej 55 persona, mes të cilëve një zyrtar i emëruar, për të cilin është përcjellë kërkesa nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në vitin 2024”. Në Raport nuk përmendet emri i zyrtarit, por, bazuar në të dhënat publike rezulton se, gjatë vitit 2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përcjellë vetëm emrin e Irena Gjokës për verifikim të thelluar mbi çështjet e Dekriminalizimit.

Gazeta greke, “Protothema”, raportoi në marsin e vitit të kaluar se Irena Gjoka, e cila më herët ka mbajtur mbiemrin Spata, ka hyrë në Greqi me pasaportë të falsifikuar si vorio-epirote dhe për këtë shkelje është penalizuar për “falsifikim dokumentesh”. Një vendim i Gjykatës së Athinës i vitit 2004, ku gjyqtarja Gjoka ka kundërshtuar vendimin e ndalimit 10-vjeçar, tregon qartësisht se ajo ka qenë në dijeni të vendimmarrjes së autoriteteve greke dhe, me qëllim, i ka fshehur në formularët e dekriminalizimit, por edhe në ato që janë dorëzuar për efekt të vetingut. Pas këtij publikimi, Partia Demokratike kërkoi zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme që të niste verifikimin e thelluar për gjyqtaren me tre mbiemra. Pas kësaj kërkese, organi i Akuzës kërkoi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor verifikimin paraprak të Gjokës dhe dërgimin e rastit pranë Prokurorisë për hetim të thelluar. Deri më tani, kur ka kaluar më shumë se një vit nga ky ping-pong institucional, nuk ka asnjë përgjigje mbi rezultatet e verifikimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu