Në seancën e shtyrë të dosjes së AKSHI-t, SPAK paraqet prova të reja që lidhen me blerjen e një automjeti Porsche dhe marrëdhënie të dyshuara financiare mes biznesmenësh në kërkim dhe familjarëve të ish-drejtoreshës.
Seanca në Apelin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurit e dosjes së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit është shtyrë për më 5 shkurt, ora 15:00. Gjatë seancës maratonë, palët kanë kërkuar zëvendësimin e masave të sigurisë, ndërsa prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë paraqitur prova të reja që rëndojnë pozitën e disa prej të akuzuarve.
Sipas burimeve nga dosja, ish-zëvendësi i drejtoreshës së AKSHI-t, Daniel Shima, ka deklaruar para hetuesve se të gjitha veprimet dhe vendimmarrjet e tij janë kryer nën direktivat e eprorës së tij, Mirlinda Karçanaj. Ai ka pohuar se institucioni drejtohej realisht nga Karçanaj dhe se çdo vendim i tij ishte i diktuar prej saj, duke u përpjekur të shmangë përgjegjësinë penale personale.
Një nga provat më të forta lidhet me blerjen e një automjeti Porsche në vlerë 38 700 euro nga Porsche Albania, përmes një zinxhiri kompanish. Sipas hetimeve, pas disa transaksioneve të dyshimta për të humbur gjurmët, automjeti ka përfunduar tek Artan Babameto, bashkëshorti i Mirlinda Karçanaj, i cili rezulton se e ka blerë makinën për vetëm 9 000 euro. Të gjitha kompanitë e përfshira në këtë skemë dyshohet se janë të lidhura me biznesmenin Ermal Beqiri, aktualisht në kërkim.
Po ashtu, në dosje përmendet edhe një kontratë qiraje për një apartament, ku megjithëse formalisht përfshihet kompania e Beqirit, lidhjet çojnë drejtpërdrejt te kompania e kontrolluar nga Karçanaj, duke forcuar dyshimet për përfitime të paligjshme.



