Kryeministri Edi Rama në një takimi me qytetarët e Bulqizës, ka akuzuar Prokurorinë e Tiranës se nuk ka trajtuar çështjet e të akuzuarve për evazion fiskal.
Rama deklaroi se në Prokurorinë e Tiranës janë bërë kallëzime nga institucione të tilla si Tatimet dhe Doganat por që nuk është bërë asgjë. E vetmja gjë që ndodh sipas Ramës është rritja e pazareve të prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës.
Më tej, kreu i qeverisë shprehet se Prokuroria e Rrethit Tiranë është një zullum i madh i një sistemi që akoma nuk është reformuar si duhet.
“Ose s’kanë faj sepse janë në Prokurori për evazion me miliona dhe prokuroria nuk i prek me dorë. Prokuroria nuk i prek me dorë dhe i tregojnë njerëzve lajmet në televizor. Ndërkohë që duhet të shkojnë në Prokurori dhe të përgjigjen për miliona që ja u kanë marrë shqiptarëve sepse nuk i kanë paguar taksat që duhet të paguanin. Dhe ne kemi bërë punën tonë, shteti ka bërë punën e vetë, i ka çuar në Prokurori, Prokuroria nuk i prek. Siç Prokuroria nuk prek të gjithë këta të mëdhenjtë, qofshin këta të ekraneve, qofshin të tjerë që s’kanë ekran por që e kanë babëzinë të madhe. I çon atje shteti, tatimet, doganat, dhe atje thjesht rritet pazari i prokurorëve të rrethit Tiranë, që të jemi të saktë, të rrethit Tiranë. Se SPAK-u është tjetër gjë. Prokuroria e Rrethit Tiranë është një zullum i madh i një sistemi që akoma nuk është reformuar si duhet”, deklaroi Kryeministri Rama.