Shkruan Arben Rrozhani
Ekziston njëfrymëzuese në botë: Një fotograf dhe bashkëshortja e tij, për 20 vite mbollën 2 milionë pemë për të shndërruar një zonë të shkretë në një gjelbërim të harlisur, ku pas rritjes së pemëve, u kthyen edhe kafshët.
Fotografi Sebastião Salgado, në fillimvitet ’90, pasi ishte dërrmuar fizikisht dhe emocionalisht duke dokumentuar krimet ndëretnike në Ruanda vendosi të kthehej në vendlindjen e tij, ku në vend të pyjeve tropikale gjeti një tokë të shkretë. Por, bashkë me gruan e tij, Lélia Deluiz Wanick Salgado, vendosën të risillnin jetën dhe pas dy dekadave mendohet se kanë mbjellë 2 milionë pemë, një peisazh lehtësisht i dallueshëm “para dhe pas”, që përfundoi në faqet e mediave botërore, aq të shqetësuara për prerjen e pemëve të Amazonës
Por, sot, në Tiranë, shpiket një histori tjetër, që me shifra tejkalon edhe të mësipërmen. Kjo, jo vetëm nuk frymëzon kënd, por të indinjon, të bën te nxjerrësh zorrët e barkut.
Erion Veliaj, kryebashkiak prej vitit 2015, që synon mandatin e tretë në zgjedhjet vendore të 14 majit, mes disa fëmijëve, u filmua gjithë pompozitet duke deklaruar se po mbillte pemën e 1 miliontë.
Askush nuk habitet nga lajme të tilla që vijnë të gatshme në mediat e blera për të treguar njeriun që bën punët në shërbim të banorëve të kryeqytetit.
Sepse të gjithë janë dëshmitarë të masakrës që po bëhet prej 8 vitesh duke kafshuar parkun e Liqenit Artificial të Tiranës me kulla oligarkësh, sulmit të nisur te liqeni i Farkës, copat e mbetura te kodrat që rrethojnë Tiranën, për të mos përmendur betonizimin e qendrës së kryeqytetit, për të cilën “mbjellësi i pemës së 1 miliontë” pati premtuar publikisht se do t’i ndalonte ndërtimet, por sot kulla e betonit i bën hije dhe është vetëm 8.5 metra larg Kullës së Sahatit, monumentit të kulturës që humbi nën peshën e betonit.
Ky politikan ka premtuar se do t’i bëjë 2 milionë pemët e mbjella deri në vitin 2030, pra e mendon veten edhe një mandat pas këtij që pretendon.
Se si do të jetë Tirana 2030 me 2 milionë pemët e Veliajt, nuk është e vështirë të përfytyrohet. Merrni një foto të vitit 2015, kur në Tiranë kishte “zero” pemë, vendosni sot Tiranën me pemën e “1 miliontë” dhe dyfishojeni. Pastaj, këtë panoramë me 2 milionë pemë betoni vendosini përballë 2 milionë pemëve që mbodhi Sebastião Salgado me bashkëshorten dhe…mallkoni ditën kur keni lindur.