Budapesti-Parisi i Lindjes

0
Shkruan Ndue Lazri
Shënime udhëtimi
Kryeqytetin e sotëm hungarez, Budapestin, për bukurinë dhe stilin e ndërtimit, disa e quajnë Parisi i lindjes, sepse sipas tyre, ky qytet u ndërtua në njëfarë imitimi të kryeqytetit francez. Në të vërtetë, sipas disa studiuesve, ishte Viena një imitim lindor i kryeqytetit francez, kurse Budapesti ishte një imitim i imitimit, domethënë imitim i Vienës. Dhe kjo për shkak se Budapesti për një periudhë ishte kryeqytet i dytë i perandorisë austro-hungareze. Kur i ke vizituar të tre këto kryeqytete europiane, të mbetet pak të mendosh për imitimet, sepse secili prej tyre ka bukurinë e vet dhe stilin e vet të ndërtimit.
Ne hyjmë në Budapest nga pjesa perëndimore e tij, apo ajo pjesë e kryeqytetit që mban emrin Buda. Por hotelin e kemi në bregun lindor të Danubit, në pjesën që quhet Pest. Banorët e Pestit thonë: “Gjëja më e bukur që kemi ne, është të shikojmë pamjen e Budas”. Kjo frazë na duket si një tregues për të filluar vizitën pikërisht nga ajo pjesë e vjetër e qytetit, që ngrihet mbi një kodër të bukur. Bëjmë një tentativë të ngjitemi në pikën më të lartë, Gellert, 235 metra mbi Danub, pasi prej andej zakonisht realizohen fotot më të bukura të Budapestit. Por rruga e ngjitjes ishte mbyllur pak para se të arrinim, për shkak të punimeve që bëheshin. U ndalëm për pak çaste përpara statujës madhështore të San Gellertit, që i dedikohet një misionari italian me emrin Gerardo, të cilin mbreti Stefan i parë i Hungarisë e kishte thirrur për t’i edukuar djalin. Pas vdekjes së mbretit, gjatë një revolte, e kapën misionarin, e mbyllën në një vozë dhe e rrokullisën kodrës tatëpjetë, derisa ra dhe u mbyt në Danub. Edhe prej taracës ku ngrihet statuja, pamja e qytetit është e bukur dhe gati e plotë.
Drejtohemi për në Kështjellën e Budës, në qendër të qytetit të vjetër. Bie një vesë shi dhe kjo e bën ngjitjen pak të vështirë, ndaj marrim linjën e teleferikut që nga Bregu i Danubit. Kështjella të tërheq që në fillim me madhështinë e saj, pasi ka qenë pallat mbretëror, ku kanë jetuar shumë mbretër e mbretëresha. Ndërsa sot vizitohet për muzetë dhe galeritë e arteve që ndodhen brenda saj e për kopshtet e bukura që e rrethojnë. Pallati ka nisur të ndërtohet në shekullin e 13-të, por shkëlqimin e vet e ka arritur në shekullin e 15-të. Në afërsi të tij është edhe Pallati Shandor, që përfaqëson presidencën, ku ka zyrën Presidenti hungarez. Dy rojet e palëvizshme në vendqëndrimin e tyre duken më shumë si statuja.
Shiu dendësohet e ne përfitojmë nga rasti të hamë drekë në një lokal elegant brenda territorit të kështjellës. Pastaj vazhdojmë vizitën tek Kisha e Matias, që të bën të lëshosh një pasthirrmë habie e mrekullie me bukurinë e saj. E ndërtuar që në shekullin e 9-të në stil gotik, ajo përbën një nga monumentet arkitekturore më të bukura të Budapestit. Çatitë e saj me ngjyra janë spektakolare.
Pasi lëmë prapa kishën dhe nisim zbritjen drejt Danubit, ndodhemi në një ansambël tjetër të jashtëzakonshëm arkitekturor, në Bastionin e peshkatarëve, me shtatë kullat e tij të bardha e me shkallët që hapen në të dy anët e një tarrace që ofron një pamje të mrekullueshte të Pestit, sidomos të Parlamentit hungarez, të Urës së çelësave, që është më e bukura që lidh të dy anët e qytetit dhe të lumit Danub. Quhet bastion i peshkatarëve, sepse prej këtu kanë qenë peshkatarët që e kanë mbrojtur Budën.
Pasi kalojmë Urën e çelësave ndodhemi pranë ndërtesës madhështore të parlamentit, që është një nga objektet më simbolike e përfaqësuese të kryeqytetit hungarez. E ngritur në brigjet e Danubit, bukuria e madhështia e saj dyfishohen kur shihet edhe pasqyrimi në ujrat e lumit. Këtu ka një lëvizje të pandërprerë turistësh nga e gjithë bota në të tëra orët e ditës. Pranë tij, piazza Kossuth me monumentin mes gjelbërimit, monumentet e shumtë e skulpturat madhështore krijojnë një ansambël unikal, soditja e të cilit është edhe çlodhëse. Sipërfaqja që zë është rreth 18 dynymë, pika më e lartë arrin gati 100 metra dhe ka rreth 700 dhoma e 13 ashensorë. Ka 365 kulla, të cilat përfaqësojnë numurin e ditëve që ka viti. Për të ndërtuar këtë vepër gjigande kanë punuar për rreth 17 vjet mbi njëqindmijë punëtorë.
Bëjmë një fotografi edhe pranë një pllake, ku shkruhet 25 tetor 1956. Kjo datë lidhet me “të enjten e përgjakur”, ditën kur u vranë qindra të rinj, studentë, intelektualë e punëtorë të ngritur në revolucionin hungarez kundër komunizmit. Poeti Shandor Petëf kishte lexuar pikërisht në sallën e parlamentit një poemë të tij që bënte thirrje për revolucion. Hungarezët ishin të parët që u ngritën në këmbë për rrëzimin e sistemit komunist, vetëm 3 vjet pas vdekjes së Stalinit. Rrëzuan statujën e tij, nga e cila mbetën vetëm çizmet prej bronxi, si simbol i shtypjes së rëndë diktatoriale. Revolucioni triumfoi me 25 tetor, por gëzimi i fitores nuk zgjati as 2 javë. 3000 tanke ruse dhe mbi 100 mijë ushtarë u sulën kundër kryengritësve. U vranë mbi 3000 vetë, qindra u burgosën dhe mbi 200 mijë hungarezë u detyruan të lënë vendin e tyre. Këtë ngjarja, propaganda jonë e kohës e quante kundërrevolucion dhe tradhëti ndaj marksizëm-leninizmit, kurse Italia u kushtonte një këngë të rinjve që u ngritën në revolucion.
Hungarezët kanë rrëzuar shumë monumente, statuja e simbole të komunizmit, të atij sistemi që e mbyti në gjak kryeqytetin e tyre. Jo më kot, në muzeun e quajtur Shtëpia e Tmerreve, që ngrihet në bulevardin “Andrashi” ata i kanë vënë krah për krah tmerret e nazizmit hitlerian me tmerret e komunizmit stalinian. Statujat e rrëzuara ata nuk i kanë hedhur, por i kanë mbledhur në një si magazinë, të quajtur muzeu i kujtesës, për t’u mësuar brezave që të mos harrojnë kush ishin ata që shtypën jo vetëm popuj të tërë, por një të gjashtën e botës.
Nëpër Budapest gjen plot monumente, statuja, objekte kulturore e arkitekturore që i kushtohen perandoreshës Elizabetë, të njohur me emrin Sissi. E lindur në Gjermani, ajo kishte edhe origjinë hungareze dhe ishte perandore e Austrohungarisë si bashkëshorte e Franz Josefit të dytë. Në momente kyçe kur marrëdhëniet midis Austrisë e Hungarisë ishin gati të ngrira e Austria kishte nevojë për mbështetjen hungareze, ajo ndërmori një udhëtim të gjatë me karrocë, bashkë me fëmijët e saj dhe vajti në Budapest. Nga lidhjet miqësore që kishte me kontin Andrashi, i cili do të bëhej më vonë kryeministër i Hungarisë, ajo arriti të siguronte të drejtën e fjalës në parlamentin hungarez dhe u foli atyre në hungarisht, duke i ngrohur zemrat e hungarezëve, të cilët e rinovuan mbështetjen ndaj Franc Jozefit. Ky udhëtim, që saldoi unitetin e perandorisë, i kushtoi asaj jetën e njërit prej fëmijëve dhe gati tronditjen e marrëdhënieve brenda familjes. Ndaj hungarezët e kanë nderuar figurën e saj dhe kanë urën Elizabet, teatrin Elizabet, lagjen Elizabet e plot objekte të tjera me emrin e saj.
Duke shetitur nëpër Budapest të bën përshtypje edhe fakti që nuk shikon ndërtesa të larta. Ka një ligj që në qendrën historike të mos ngrihen ndërtesa mbi 45 metra. Bëhet shumë presion nga maniatët e zhvillimit të sotëm industrial për ngritje grataçielash, por është lejuar që vetëm në periferinë e qytetit të ngrihen rreth njëqind të tilla.
Kishim një kureshtje të vizitonim edhe liqenin më të madh në Europë, Liqenin Balaton, atë që quhet Deti i magjarrëve. E lamë të shkonim të hanim një drekë dhe udhëtuam rreth njëqind kilometra në jugperëndim të Budapestit. Shkuam në qytetin Balatonfured, një qytet me vila të lezeçme e hotele të vogla, në breg të liqenit. Kishte turistë pa fund, edhe pse temperaturat ishin ende të ulta. Diku gjetëm një restorant italian me emrin “Sorrento” dhe hëngrëm një drekë të këndshme. Pronarja, një vajzë e re, i kishte vënë këtë emër pasi kishte kaluar pushime të bukura në Sorrento të Italisë dhe përdorte kuzhinën italiane.
Pasi lemë mbrapa Budapestin, nisemi drejt qendrës perëndimore të ish perandorisë, Vienës, qytetit tjetër mbi brigjet e Danubit, vendit të Shtrausve, që e përjetësuan në muzikë Danublin blu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu