Deputetja e Partisë së Lirisë, ka deklaruar se biznesi fason po bëhet viktima e fundit e krizës së çmimeve dhe rënies drastike të euros.
Ajo u shpreh se largimi i tyre nga vendi është kambana e fundit e alarmit për një ekonomi të drejtuar nga paraja e krimit dhe korrupsionit.
Deklarata e Plotë:
Të nderuar qytetarë,
Biznesi fason po bëhet viktima e fundit e krizës së çmimeve dhe rënies drastike të euros. Eksportuesit dhe fasonët, dy sektorët më të injoruar e të pambështetur, sot po detyrohen të largohen nga vendi ynë për shkak të një qeverie të paaftë dhe të papërgjegjshme.
Vështirësitë ekstreme me të cilat këta sektorë po përballen prej muajsh po çojnë në mënyrë të pashmangshme drejt largimit të këtyre bizneseve nga Shqipëria. Rënia drastike e euros dhe mbiçmimi artificial i lekut, shkak i të cilave është pastrimi masiv i parave dhe informaliteti, rëndojnë prej më shumë se një viti mbi biznesin fason, i cili punëson 75 mijë njerëz në vend, shumica dërrmese gra dhe vajza.
Rasti i fundit, ai i largimit pas 27 vitesh të një marke italiane të veshjeve intime është një këmbanë alarmi për gjendjen e vështirë në të cilën gjenden fasonët. Zhvendosja e saj nga Shqipëria në Uzbekistan do të sjellë papunësi për qindra punonjës dhe rrezikon të kthehet në modelin që do të ndiqet edhe nga kompani të tjera, falë të cilave ushqehen mijëra familje shqiptare.