Kryeministri i Kirgistanit ka dhënë dorëheqjen pas protestave që nisën pas zgjedhjeve të ditës së dielë.
Kubatbek Boronov është zëvendësuar nga Sadyr Japarov, që u lirua nga burgu prej protestuesve.
Por edhe ai ende nuk e ka marrë detyrën, pasi u sulmua në hotelin ku ndodhej dhe u largua nga një derë e pasme.
Vendi është zhytur në një kaos dhe ekziston një vakuum pushteti. Edhe presidenti i vendit, Sooronbai Jeenbekov ka deklaruar se do të largohet.
Sipas BBC, opozita ka marrë kontrollin e parlamentit dhe i ka vënë zjarrin një pjese të godinës.
Më herët, Komisioni i Zgjedhjeve deklaroi anulimin e votimeve për shkak të manipulimeve dhe të parregullsive. Por protestuesit nuk u kënaqën me kaq.
Edhe pse zgjedhjet ishin problematike, ambasada amerikane në këtë vend, që drejtohet nga ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, i vlerësoi zgjedhjet e anuluara.
“Vlerësojmë po ashtu edhe Ministrinë e Brendshme dhe Komisionin Zgjedhor për përpjekjet e tyre për të organizuar një proces të sigurt elektoral pavarësisht sfidave në kohën e pandemisë. Raportetet paraprake të vëzhguesve nënvizojnë se fushata ishte konkurruese dhe procesi i vetimit ishte paqësor, i mirëorganizuar dhe përgjithësisht efiçient,” thuhet në deklaratë.
Dy presidentë janë rrëzuar në Kirgistan gjatë 15 viteve të fundit.
Vendi ka reputacion të keq për mënyrën se si i organizon zgjedhjet, të cilat nuk janë as të lira dhe as të ndershme.