Materiali që Hashtag.al prezanton sot, lyp një parantezë për shpjegimin e kontekstit. Jemi në vitin 2023, Berisha është shpallur non-grata në SHBA dhe së fundmi ai ka pajtuar një kompani lobimi për të hetuar dosjen dhe shkaqet që sipas tij çuan në shpalljen e tij non-grata.
Hashtag.al ka mësuar së fundmi se pjesë e materialit të dosjes “non-grata” është dhe një video me intervistën e dhënë nga Berisha në Tiranë në Mars-1997 për televizionin shtetëror iranian, i cili në atë vit kishte nisur transmetimet në nivel ndërkombëtar.
Kjo intervistë u publikua në Iran dhe mendohet se të parët që e dokumentuan ishin autoritetet e inteligjencës izraelite, të cilët e cilësuan si tepër shqetësuese.
Duke qenë se në intervistë Berisha përmendte dhe Bosnjën, gazetarët iranianë ia dhanë pjesën ku përmendej Bosnja kolegëve të tyre në Sarajevë, editorëve të revistës boshnjake “Ljiljan”, një revistë kjo e krahut musliman të Bosnjës.
Në kohë rekord intervistën e revistës boshnjake e siguroi Et’hem Haliti. Ai e përktheu brenda ditës dhe më pas e dërgoi në revistën “Rimëkëmbja”, publikimi në shqip u realizua më 29 prill 1997.
Pikërisht në arkivën e kësaj gazete e ka gjetur dhe Hashtag.al këtë intervistë të harruar dhe thuajse të panjohur në Shqipëri.
Pohimet që Berisha u ka bërë gazetarëve dhe televizionit iranian, janë drastike, thuajse të pabesueshme.
Le të rendisim disa:
–Fuqitë kolonialiste (me në krye SHBA-të) shkaktuan rrëmujën në Shqipëri dhe luftën në Bosnjë.
-Kisha orthodhokse bashkë me mafien organizuan furnizimin me naftë dhe thyerjen e embargos në Ish-Jugosllavi.
-Berisha pohon se e lejoi kontrabandën e naftës sepse ndihej inferior nga presioni (sipas tij anti-musliman) i vendeve perëndimore.
-Firmat piramidale u stimuluan nga bankat evropiane dhe sidomos nga bankat amerikane.
-Amerikanët kërkuan Limanin e Durrësit për bazë ushtarake në këmbim në anëtarësimin e Organizatës së Partneritetit për Paqe (NATO), por i kishin mashtrime.
Të gjitha këto pohime kaq të rënda të Berishës për televizionin iranian, në fakt janë një truk i ftohtë i tij, për të gjetur mbështetje ku të mundej në botën muslimane në kulmin e luftës së tij me amerikanët në vitin 1997.
Ky botim i Hashtag.al nuk synon absolutisht të cenojë ndjenjat e asnjë komuniteti fetar, pasi kjo intervistë duhet kuptuar si një teknikë e dëshpëruar dhe makiaveliste e Berishës. Këtë e vërteton lehtësisht dhe periudha pas vitit 2005, kur Berisha bëri ujdi sërish me amerikanët dhe në disa deklarata të përsëritura e ka quajtur regjimin në Iran si “regjim nazist”.
Por me sa duket amerikanët operojnë me metodën “vazhdojmë, por shënojmë”, ia kanë mbajtur shënim dhe “futur në dosje” këtë intervistë tepër kompromentuese që Berisha ka dhënë në vitin 1997.
BOTIMI ORIGJINAL:
Në kuadrin e partneritetit për paqe, kërkoi limanin e Durrësit për bazë ushtarake
(Marrë nga revista javore “Ljiljan”, nr.222, datë 23 Prill 1997, Sarajevë)
Në kohën e kërkesave më të ashpra nga bota që të japë dorëheqjen presidenti i Shqipërisë Sali Berisha pas një heshtjeje të gjatë i dha një intervistë RTV Iranian.
RTV-Iranian: A është e vërtetë se Administrata e Klintonit ka kërkuar dorëheqjen tuaj?
Berisha: “…Fatkeqësisht, sot si nocioni ekstremizmit islamik është bërë alibi përfituese me të cilën operojnë fuqitë e mëdha. Këtë alibi ata e shfrytëzojnë për qëllimet dhe idetë e tyre kolonialiste. Shembulli më i mirë për këtë është situata aktuale në Shqipëri. Edhe këtu është fjala për aktorë të njëjtë, domethënë ata të cilët shkaktuan luftën në Bosnjë…
RTV-Iranian: Sipas mendimit tuaj, kush qëndron pas ngjarjeve në Shqipëri?
Berisha: …Askush akoma nuk e di se çfarë janë duke përgatitur fuqitë e mëdha për këtë vend. Në ribotimin e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe i cili u bë para katër viteve më Egjipt, në parathënien e shkruar nga një mendimtar egjiptian, tërhiqet vërejtja për rrezikun që u kanoset shqiptarëve myslimanë. Ne atëherë nuk lejuam që paralajmërimet e tij të publikoheshin, sepse kishim frikë se kjo mund të shkaktonte përçarjen në mes myslimanëve e pjesëtarëve të besimeve të tjera në Shqipëri. Shumë herë policia na ka njoftuar se Kisha Ortodokse në bashkëpunim me mafjen ka shkelur embargon kundër Jugosllavisë. Naftën për në Jugosllavi e transportonin nëpër territorin tonë, ndërsa neve nuk kemi dashur të ndërhyjmë dhe i kemi mbyllur sytë ndaj asaj shkeljeje flagrante nga frika e reaksioneve negative. Situata ishte shumë delikate.
RTV-Iranian: Sipas mendimit tuaj kush qëndron pas firmave piramidale?
Berisha: Shumë banka Evropiane dhe të tjera i kanë mbajtur këto firma në mënyrë të veçantë SHBA-ja, ajo nga njëra anë kërkonte prej nesh të heqim dorë nga limani i Durrësit, me qëllim që të vendoste bazat ushtarake të cilat do t’i shërbenin për inspektimin e fluturimeve mbi territorin e Bosnjë-Hercegovinës dhe për këtë ata na premtuan anëtarësimin në Partneritetin për Paqe. Për fat të keq, as që bëhet fjalë për anëtarësim për Partneritet për Paqe, për ndihmë, ndërsa ata tani kërkojnë dorëheqjen time…
Përktheu nga boshnjakishtja: Et’hem Haliti
(Shkodër, 23.04.1997)
Gazeta “Rimëkëmbja”, nr. 9(88) datë 29 Prill 1997, faqja.4.