Beogradi dhe Prishtina në prag të një krize të re

0

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Beogradi dhe Prishtina janë në prag të një krize të re dhe se është e nevojshme një zgjidhje.

Borrell ka kujtuar se më 11 nëntor ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Paris dhe ka deklaruar se aty u paraqit një propozim që duhet diskutuar si një mënyrë e mirë për të dalë nga kjo situatë.

Ai u bëri thirrje të dyja palëve të përmbushin detyrimet e tyre dhe të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara disa vite më parë.

Albin Kurti ka përsëritur se nuk do të pranojë asociacion njëetnik në Kosovë, ndërsa tha se zhvillimet e fundit nuk duhet të largojnë vëmendjen nga marrëveshja finale me njohje reciproke.

Kurti nuk ka dhënë shenja se mund të tërhiqet edhe nga vendimi për targat, shtyrja e zbatimit të të cilit i është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Situata në veri mori një tjetër drejtim pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu